3.4 C
Pristina
Thursday, November 28, 2024

Refugjatët Rohingya rrezikojnë të deportohen nga India

Më të lexuarat

Grupi pa shtetësi, i cili nuk është i pranuar as nga Mianmari, e as nga vendi fqinj, Bangladeshi, jeton në frikë të vazhdueshme nga deportimi

NJU DELHI (AA) – Shuriah Niazi

Amina Khaton, një refugjate Rohingya, një 24-vjeçare, që jeton në kryeqytetin e Indisë, Nju Delhi, rrezikon të humbë shtëpinë e saj për të dytën herë. Ajo iku nga Mianmari në vitin 2012, nga dhuna lokale që kishte shpërthyer, si pasojë e së cilës bashkëshorti i saj humbi jetën.

“Isha shtatzëne kur erdha këtu. I’a dola të mbijetoj. Është më mirë të vdes këtu në Indi, se sa të kthehem në shtëpi,” u shpreh ajo për Anadolu Agency (AA) të premten.

Grupi pa shtetësi, i cili nuk është i pranuar as nga Mianmari, e as nga vendi fqinj, Bangladeshi, jeton në frikë të vazhdueshme pas shpalosjes së planit të qeverisë indiane për të deportuar 40,000 refugjatë Rohingya.

Kiren Rijiju, ministri shtetëror i Indisë për Punë të Brendshme, kohët e fundit ka thënë në parlament se qeveria qendrore ka kërkuar nga shtetet të identifikojnë muslimanët Rohingya që jetojnë ilegalisht dhe të nisin procesin e deportimit të tyre.

Ai tha se OKB ka regjistruar muslimanët Rohingya si refugjatë, mirëpo India nuk ishte nënshkruese e ndonjë marrëveshje për refugjatët. India nuk është e obliguar ti mbajë ata në shtet, shtoi ai.

Komisioni kërkon raport

Komisioni kombëtar për të drejtat e njeriut, të premten mori njoftim nga raportimet e mediave që sugjeronin deportimin e refugjatëve Rohingya. Po ashtu është lëshuar një njoftim deri tek Ministria e Punëve të Brendshme duke bërë thirrje për një raport rreth çështjes në fjalë brenda katër javëve.

Komisioni tha në një deklaratë se refugjatët ishin shtetas të huaj, por ata kishin frikë nga persekutimi nëse ato kthehen në vendet e tyre të lindjes.

Këshilli Evropian për Rohingya-t (ERC) në Holandë, i ka shkruar kryeministrit indian, Narendra Modi, me shpresë se çështja do të trajtohet në mënyre humane.

Në letrën e dërguar të mërkurën, Dr. Hla Kyaw, kryetare e këshillit thotë: “ERC shpreson se ju do të inkurajoni anën humane të tuajën dhe do t’iu dilni zot njerëzve Rohingya dhe do të parandaloni planin e deportimit”.

Ali Johar, i cili qëndron në një kamp në Okhla të Nju Delhit, gjithashtu iku nga Mianmari në vitin 2012 së bashku me 5 anëtarë të familjes së tij.

Në kamp mungojnë pajisjet elementare. Ndërprerjet e energjisë janë të zakonshme, kurse shumica përdorin fushat në mungesë të tualeteve. “Është vështirë të jetosh këtu. Mirëpo përsëri jemi më mirë në Indi. Kemi mbështetjen e popullatës lokale”, tha Johar.

Burime të afërta në lidhje me këtë çështje pohojnë se qeveria nuk është serioze rreth planeve të deportimit të refugjatëve, por është duke e përdorur si taktikë kërcënimin për ti frikësuar ata që të regjistrohen tek autoritetet.

Një zyrtar nga ministria e brendshme në kushte anonime për shkak të kufizimeve për të folur me mediat, tha se “Unë nuk mendoj se ndonjë musliman Rohingya do të deportohet në të ardhmen e afërt.”

“Ministria është vetëm duke grumbulluar të dhëna për ta”, tha një tjetër zyrtar nga ministria, gjithashtu duke folur në kushte anonimiteti.

Rohingya janë një grup etnik muslimanë në Mianmar, mirëpo atyre u janë marrë të drejtat qytetare nga shkaku se qeveria e Mianmarit i konsideron ata migrantë ilegal nga Bangladeshi.

Në Indi, ata kryesisht janë vendosur në shtetet e Andtha Pradesh, Manipur, Rajasthan, Uttar Pradesh, Delhi, Maharashtra, Rajasthan dhe Haryana.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit