-0.9 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Reflektimi i Serbisë mbi dëmet, shkatërrimet dhe krimet janë parakusht për bisedime serioze – gjithçka nga vizita e presidentit slloven Pahor në Kosovë

Më të lexuarat

Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor të hënën ka qëndruar për një vizitë në Kosovë, ndërsa pas takimit me krerët e shtetit, deklaroi se Sllovenia është e interesuar të shoh progres dhe përkundër vështirësive bisedimet duhet të vazhdojnë.

Presidenti i Sllovenisë ka thënë në Prishtinë se iniciativa e Ballkanit të Hapur nuk është alternativë e përfshirjes së vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

Kurti-Pahor: Reflektimi i Serbisë mbi dëmet, shkatërrimet e krimet janë parakusht për bisedime serioze

Përkushtimi i dyanshëm për thellim të bashkëpunimit mes Kosovës dhe Sllovenisë dhe forcim të partneritetit ndërmjet dy vendeve, janë dy çështjet për të cilat kanë diskutuar sot kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidenti slloven, Borut Pahor.

Në një komunikatë për media të Zyrës së Kryeministrit bëhet e ditur po ashtu se kreu i ekzekutivit, Albin Kurti ka thënë se Sllovenia është partner i çmuar dhe se pret me padurim avancimin e marrëdhënieve dypalëshe në mbrojtje dhe siguri.

“Sllovenia është partneri ynë i çmuar pasi ndajmë të njëjtin interes për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe më gjerë, ka thënë kryeministri Kurti, duke u shprehur mirënjohës për kontributin e Sllovenisë në misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR, thuhet në komunikatë.

Kryeministri Kurti theksoi përkushtimin e Kosovës për anëtarësim në NATO dhe Bashkim Evropian, si dhe punën e qeverisë në këtë drejtim.

Ai kërkoi përkrahje nga Sllovenia për anëtarësimin në organizata dhe iniciativa ndërkombëtare.

Kryeministri theksoi se përkundër faktit që kanë filluar me vonesë vaksinimin nuk kanë marrë vaksina nga Kina apo Rusia, por vetëm ato të certifikuara nga FDA dhe EMA.

Duke thënë se këtë vit Kosova tregoi se është e gatshme të marrë përgjegjësi të reja me kalimin nga një konsumues i sigurisë në një ofrues sigurie, kreu i ekzekutivit veçoi se Kosova me krenari mbështeti operacionin e drejtuar nga NATO për evakuimin e refugjatëve afganë, gjë që sipas tij, dëshmon se Kosova është një partner i besueshëm.

Ne ishim të gatshëm të ndihmonim sepse kjo është ajo që vendet që ndajnë të njëjtat vlera të demokracisë dhe paqes bëjnë për njëri-tjetrin, tha kryeministri.

Kryeministri foli për përkushtimin e qeverisë në luftën kundër krimit e korrupsionit dhe për politikat qeverisëse.

Në komunikatë thuhet po ashtu se Presidenti Pahor ka përgëzuar kryeministrin për qasjen e re në qeverisje, derisa është interesuar të dijë më shumë rreth ecurisë së bisedimeve me Serbinë.

“Sllovenia është e interesuar të shoh progres. Përkundër vështirësive bisedimet duhet të vazhdojnë”, ka thënë Pahor.

Kryeministri e vlerësoi rolin e Sllovenisë në këtë proces si shumë të rëndësishëm dhe kërkoi mbështetjen e saj për të elaboruar rëndësinë e reflektimit të Serbisë për dëmet e shkaktuara, shkatërrimet dhe luftën, si dhe krimet e kryera në Kosovë, njofton Telegrafi.

Kryeministri e vlerësoi rolin e Sllovenisë në këtë proces si shumë të rëndësishëm dhe kërkoi mbështetjen e saj për të elaboruar rëndësinë e reflektimit të Serbisë për dëmet e shkaktuara, shkatërrimet dhe luftën, krimet e kryera në Kosovë.

Ky është një parakusht për bisedime serioze dhe normalizim të marrëdhënieve, tha kryeministri, duke e ritheksuar si parësore vendosjen në qendër të bisedimeve të njohjes së ndërsjellë të Kosovës me Serbinë.

Osmani e Pahor flasin për Ballkanin e Hapur, presidentja e quan hapësirë për ekspansion të hegjemonisë serbe

Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor ka thënë sot në Prishtinë se iniciativa e Ballkanit të Hapur nuk është alternativë e përfshirjes së vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

Pahor tha se në fillim e ka mirëpritur këtë iniciativë edhe si mënyrë për rregullimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, por tash, sipas tij, ka shumë kundërshtime.

“Kam parë se ka shumë kundërshtime, kur ka ardhur fillimisht kjo iniciativë më është dukur shumë me elegante për rregullimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi”, tha ai në konferencën e përbashkët për medie me presidenten Osmani.

Në anën tjetër presidentja Vjosa Osmani u shpreh se kjo iniciativë përmes të cilës Serbia synon të ketë rolin kryesor, nuk ka qëllime të mira për rajonin.

“Ballkani i Hapur është hapësirë për ekspansion të hegjemonisë serbe. Serbia e cila po tenton ta luaj rolin kryesor në këtë iniciativë nuk ka qëllime të mira për rajonin tonë. Do të ishte krejt ndryshe sikur Serbia do të ishte shtet që ka paqen e stabilitetin synim dhe ta kishte njohur Kosovën, por përderisa synon që Kosova të hyjë në iniciativa të tilla si provincë e saj gjë që nuk është sepse relaiteti është ndryshe, natyrisht që një iniciativë e tillë nuk i bënë interesave të vendit tonë e as rajonit”, tha Osmani.

Ajo ka shtuar se shqetësimet tjera kanë të bëjnë me ekonominë, sigurinë e politikën.

Osmani ka shtuar se Serbia është pjesë e shumë iniciativave tjera rajonale, ku Kosova është pjesë e barabartë. Porse edhe aty Serbia nuk respekton marrëveshjet.

“Ta zëmë në Procesin e Berlinit, ku Kosova është e barabartë, e mbështesim këtë proces. Udhëhiqet nga kancelarja gjermane dhe presidenti francez, ka mbështetje të plotë të BE-së, përkundër këtij niveli kaq të lartë të udhëheqjes, Serbia vazhdon të mos implementojë marrëveshjet e nënshkruara aty. Sidomos atë të nënshkruar në Londër për personat e zhdukur me dhunë. Nëse nuk implementon marrëveshjet e një procesi kredibil siç është ai i Berlinit, paramendoni sa implementon marrëveshjet në një proces ku vet ka rol udhëheqës”, ka thënë Osmani.

Presidenti slloven: BE-ja t’i heq vizat Kosovës, tejkaloni mosmarrëveshjet me Serbinë

Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, ka deklaruar se Sllovenia është mbështetës e dialogut mes Serbisë dhe Kosovës, dhe kësaj të fundit, Bashkimi Evropian duhet t’ia liberalizojë vizat.

Pahor ka kërkuar të tejkalohet gjitha mosmarrëveshjet në dialogun Kosovë-Serbi dhe të vazhdohet tutje për arritjen e marrëveshjes finale.

Ai në një konferencë të përbashkët me presidenten Vjosa Osmani, tha se Sllovenia do të mbështesë dialogun dhe perspektivën e Kosovës në procesin euro-integrues.

Megjithatë, ai tha se dy palët duhet të respektojnë edhe marrëveshjet e arritura. “Kushti i parë është t’i besohet dialogut dhe respektohen marrëveshjet”, tha ai.

Pahor deklaroi se dialogu duhet të bëhet një hap më tej tek çështja e personave të zhdukur.

“Në të dy këto çështje Sllovenia është mbështetëse edhe më tutje. Sllovenia e mbështet edhe perspektivën euroatlantike të Kosovës…Duhet të tejkalohen mosmarrëveshjet në dialog dhe të ndikojmë në Bashkimin Evropian”, deklaroi tutje ai. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit