Kur Jusufi pa në ëndërr se atij i bënin sexhde njëmbëdhjetë yje, dielli dhe hëna, ai i tregoi babit të tij. Nga babai, ai u këshillua që të mos ua tregonte ëndrrën që e kishte parë vëllezërve te tij, sepese ata mund të ta bëjnë ndonjë dredhi, e padyshim se djalli është armik i hapur i njeriut.
Prnadaj, mos iu trego njerëzve për qëllimet e tua, për begatitë e dhëna nga Zoti, sepse xhelozia e të tjerëve mund të jetë shkak i mos plotësimit të qëllimeve që ti ke ndërmend t’i arrish.
Madje, edhe njerëzit e tu më të afërt, qofshin ata familjarë ose shoqëri e afërt mund të mos të të duan për atë që je, mund të xhelozojnë për atë që je e bile mund të thurrin komplote kundër teje, por Zoti është me të drejtit, me durimtarët dhe gjithmonë do t’i plotësojë të mirat apo begatitë që ka caktuar për ty.
Ndaj teje mund edhe të ndodhin gjëra të këqija si shkak i këtyre kurtheve, por Zoti do ta vë drejtësinë e Tij herët apo vonë. Mbështetja duhet të jetë vetëm tek Allahu, sepse njerëzit do të t’harrojnë, do të braktisin e do të tradhëtojnë.
Dhuntia jote mund të mos vlerësohet nga disa (të cilët nuk kanë kapacitet të dijnë për dhuntinë tënde, ose që me vetëdije nuk duan që ti të vlerësohesh), por Zoti medoemos gjenë mënyrèn e duhur, vendin e duhur dhe kohën e duhur qe ti dhe dhuntitë e tua të vlerësohen nga njerëzit e duhur.
Edhe nëse fajësohesh padrejtësisht, pafajësia jote do të vërtetohet një ditë. Prandaj, Ji durimtar.
Pa caktimin e Zotit nuk ndodh asgjë, mirëpo masat duhet të mirren ashtu si shihen të arsyeshme.
Të njejtit njerëz që kanë bërë shpifje ndaj teje, kanë thurrur kurthe ndaj teje, te kanë bërë keq, mund të ndryshojnë në të ardhmen, por mund edhe të mbesin po të njejtë dhe do vazhdojnë ende me dredhitë e tyre. Ti mbaji shpresat në Allahun Fuqiplotë njësoj sikurse Jakubi a.s që në asnjë moment nuk është dëshpëruar por gjithmonë ka shpresuar se i biri i tij Jusufi do të kthehet një ditë shëndosh e mirë.
Ai që ruhet nga e keqja dhe bën mirë, s’ka dyshim se Allahu nuk e humb shpërblimin e punëmirëve.
Fali ose mëshiroji njerëzit në Tokë, që të të falë dhe të të mëshirojë Ai që ndodhet lart.
Gjatë jetës do të përballesh me njerëz të llojeve të ndryshme: me ata që janë në kërkim të së mirës dhe me ata që janë të prirur të bëjnë dredhira. Ti duhet ta kuptosh që ata janë krijuar në atë formë dhe s’ka ndryshim për ta, ti duhet të kapesh për të vërtetën dhe litarin e Allahut dhe t’i kryesh detyrat tua në këtë botë. Ai që të ka larguar nga çdo e keqe më parë, do të të largojë edhe nga sprova aktuale në të cilën gjendesh.
Edhe nëse njerëzit e tu më të afërt janë kundër teje, përderisa ti beson në Allahun dhe ke durim, Ai do t’i hapë dyert e mirësisë në momentet më të errëta të jetës tënde.
Flora Sherifi