2.3 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Reciprociteti për targat, Trajkoviq: Vuçiq kishte shpresuar se Kosova do të ndahej deri në vitin 2021

Më të lexuarat

Politikanja serbe dhe ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës, tash kryetare e Lëvizjes Evropiane të Serbëve nga Kosova, Rada Trajkoviq, ka komentuar zhvillimet e fundit në Kosovë, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës, për aplikimin e reciprocitetit me Serbinë për targat e automjeteve

Trajkoviq në një intervistë për Telegrafin, e ka cilësuar të dëmshme krizën e shkaktuar për raportet mes dy vendeve.

Ajo thotë se është shqetësuese që kryeministri Albin Kurti nuk mund të zmbrapset nga ky vendim, sepse do të komprometohej në prag të zgjedhjeve lokale.

Në pozitë të njëjtë, sipas saj është edhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq, i cili ka nisur forcat ushtarake drejt Rashkës, duke menduar për zgjedhjet e ardhshme në Serbi.

Ndërsa, duke folur për Marrëveshjen e vitit 2016 lidhur me targat, Trajkoviq thotë se Vuçiq e kishte nënshkruar atë duke shpresuar se deri në vitin 2021 (kur do të skadonte afati i saj) do të vinte deri të ndarja e Kosovës ose shkëmbimi i territoreve, “si zgjidhje për të cilën ishin angazhuar ai [Vuçiq] dhe Thaçi”.

Trajkoviq thotë se momentumi i shkaktimit të krizës më reciprocitetin e targave është i papërshtatshëm, madje, sipas saj, i papërgjegjshëm, sepse po ndodh gjatë pandemisë së coronavirusit, i cili mori shumë jetë si në Kosovë ashtu edhe në Serbi dhe që tashmë po e vështirëson funksionimin normal.

“Kjo krizë po ndodhë edhe në atmosferën parazgjedhore në Kosovë, në vigjilje të zgjedhjeve lokale që po zhvillohen në rrethana të vështira dhe për të cilat është shqyrtuar mundësia të mos mbaheshin [shtyhen]. Futja e Kosovës në një gjendje të jashtëzakonshme shtesë në rrethanat e një gjendjeje të jashtëzakonshme tashmë ekzistuese nuk është një vendim i përgjegjshëm. Nëse vazhdon kështu dhe nuk gjendet një zgjidhje e shpejtë për krizën, serbët dhe shqiptarët në gjendje të jashtëzakonshme vështirë se do të jenë në gjendje të bëjnë një fushatë efektive zgjedhore. Për më tepër, tani nuk dihet nëse serbët e Kosovës do të dalin fare në zgjedhje në këto rrethana. Kjo do të thotë kthim mbrapa i situatës dhe proceseve politike në Kosovë”, tha Trajkoviq për Telegrafin.

Politikania serbe thotë se “një problem tjetër është se tërë kjo vështirësi në qarkullimin e njerëzve dhe mallrave në vendkalimet administrative e izolon më tej Kosovën dhe e përjashton atë nga funksionimi normal në rajon.

Shumëkush tani do ta shmang Kosovën si rrugën e tyre transit, gjë që bart rreziqe dhe pasoja të mëtejshme ekonomike, politike dhe të sigurisë”.

Trajkoviq ka folur edhe për rreziqet që sjell gjendja e krijuar pas aplikimit të reciprocitetit për targat e automjeteve të Serbisë.

“Me gjithë vullnetin e mirë të Policisë së Kosovës dhe serbëve në Kosovë, një situatë kaq të ndjeshme kurrë nuk mund ta kontrolloni plotësisht. Ekziston një rrezik serioz që ndonjë reagim i papritur t’i çojë protestat në një drejtim të padëshirueshëm. Sa më gjatë të qëndrojnë në barrikada, aq më e madhe është mundësia e konfliktit dhe radikalizimit. Ndërsa tani shohim se forcat serbe i janë afruar vijës administrative të Kosovës”, tha ajo.

“Shqetëson fakti se kryeministri i Kosovës, Kurti, nuk mund të kthehet prapa pas vendimit të tij për reciprocitetin, sepse me këtë do ta komprometonte veten para zgjedhjeve. Nga ana tjetër, Vuçiq është në një pozicion të ngjashëm në Beograd dhe ka nisur forcat serbe drejt Rashkës, sepse edhe ai mendon për zgjedhjet e ardhshme në Serbi dhe shqetësohet nëse do të veprojë fort dhe sa duhet te  votuesit e tij. Të dyja palët kujdesen më shumë për rejtingun e tyre, dhe këtu nuk ka kushte për të lëshuar pe ose përgjegjësi të mjaftueshme personale për kompromis. Prandaj është një situatë shumë shqetësuese ku askush nuk mendon për njerëzit e zakonshëm. Ndërsa, përmes menaxhimit të keq të pandemisë, ne kemi parë tashmë se as Beogradi dhe as Prishtina nuk kujdesen shumë për njerëzit e thjeshtë”, tha Trajkoviq.

Ajo thotë se as rrethanat ndërkombëtare nuk janë ideale për zgjidhjen e krizës së shkaktuar me reciprocitetin për targat.

“Disa akterë ndërkombëtarë me deklaratat e tyre, që dënojnë vetëm njërën apo tjetrën palë, i hedhin vaj zjarrit dhe rrisin armiqësinë, sepse atyre u konvenon jo stabiliteti në teren. Nga ana tjetër, administrata amerikane, ndikimi i së cilës është i nevojshëm për të zgjidhur çdo krizë në Ballkan, është në proces të riorganizimit të qasjes së saj në rajon dhe tek pritet emërimi i ambasadorit të ri amerikan në Kosovë. Pra Amerika është duke pritur iniciativën e BE-së për të zgjidhur këtë krizë. Ndërsa, kredibiliteti dhe fuqia e BE -së është komprometuar në terren, sepse kjo krizë ndodhi pikërisht gjatë vizitës së Miroslav Lajçakut në rajon. Pra, jemi në një situatë të palakmueshme dhe të rrezikshme ku aktorët lokalë nga të dyja palët duhet të tregojnë përgjegjësi”.

Trajkoviq ka folur për ndikimin e situatës së krijuar në dialogun Kosovë-Serbi.  Ajo thotë se “në një farë mënyre, negociatorët duhet të rifreskohen për të rifilluar procesin e negociatave”.

“Kjo nënkupton një pjesëmarrje më të fortë dhe më të drejtpërdrejtë të Amerikës në negociata, si dhe freskim të ekipeve negociuese të Prishtinës dhe Beogradit. Situata me tabelat tregon se nuk do të ketë përparim në këtë proces negociues. Vuçiq dhe Kurti janë njerëz të cilët janë shumë të ngarkuar me rejtingun e brendshëm politik për të arritur një marrëveshje, kështu që zgjerimi i ekipeve dhe përfshirja e përfaqësuesve të shoqërisë civile mund të sjellë energji të re dhe konstruktivitet në negociata”.

“Nëse e dimë se Asambleja e Përgjithshme e OKB -së autorizoi dialogun teknik midis Beogradit dhe Prishtinës në vitin 2010, si dhe se mandati i UNMIK-ut u zgjat edhe për një vit tjetër, kjo do të thotë se na është dhënë më shumë kohë për t’iu kthyer seriozisht procesit të negociatave. Situatat si ajo me tabelat tregojnë se edhe çështjet më themelore teknike në negociatat midis Beogradit dhe Prishtinës nuk janë zgjidhur dhe se masat e papritura dhe zgjidhjet e shpejta shkaktojnë trazira dhe destabilizim të madh”, tha Trajkoviq, për Telegrafin.

Ajo mendon se ka shumë marrëveshje të mira që janë nënshkruar, por që nuk janë zbatuar plotësisht.

“Këtu kam parasysh marrëveshjet e nënshkruara në kuadër të Marrëveshjes së Brukselit, si dhe Marrëveshjen e Uashingtonit, që problemin e Kosovës e sheh nga pikëpamja praktike dhe ekonomike. Në vend që kohën dhe energjinë ta fokusojmë kot në përpjekjen për të rishikuar marrëveshjet e nënshkruara, ne duhet të përqendrohemi në zbatimin efektiv të asaj që është nënshkruar tashmë dhe të vazhdojmë tutje. Nuk ia vlen ‘për të qarë për qumështin e derdhur’”.

Trajkoviq në këtë intervistë për Telegrafin ka komentuar edhe kritikat e opozitës në Serbi, e cila e akuzon Vuçiqin se e dinte që do të aplikohej reciprociteti, pasi ai personalisht e kishte nënshkruar marrëveshjen në vitin 2016, e cila do të skadonte në vitin 2021.

Ajo thotë se “marrëveshja për targat nga shtatori i vitit 2016 – e cila u nënshkrua nga regjimi i Vuçiqit, d.m.th. Marko Gjuriq – shkoi një hap më tej sesa marrëveshja për lirinë e lëvizjes nga viti 2011”.

“Marrëveshja nga viti 2016 parashihte të mbuloheshin simbolet shtetërore në targat e automjeteve nga të dyja palët, që do të thotë se vërtet do të aplikohej koncepti i reciprocitetit në këtë çështje. Kjo zgjidhje u motivua nga marrëveshja që Greqia dhe Maqedonia e Veriut e kishin arritur  atë kohë, por ndoshta ishte shumë ambicioze sepse natyra e mosmarrëveshjes midis dy vendeve është e ndryshme dhe shumë më e lehtë, sesa mosmarrëveshja midis Prishtinës dhe Beogradit [Kosovës dhe Serbisë]. Unë do të thosha se Vuçiq atëherë ishte ende në fillimin e sundimit të tij, dhe se në atë fazë të bashkëpunimit të jashtëzakonshëm me bashkësinë ndërkombëtare, donte të tregohej si një negociator konstruktiv. Por më duket se mori përsipër një detyrim që nuk ka fuqi ta përmbushë, as para votuesve të tij dhe as sipas Kushtetutës së Serbisë”, tha ajo.

Trajkoviq thotë se Marrëveshja nga viti 2016 nuk është zbatuar deri më tani, sepse vlefshmëria e tabelave të KS është zgjatur në 5 vjet.

“Tani, në mungesë të një marrëveshjeje të re, ajo që u nënshkrua në vitin 2016 po aktualizohet sërish. Vuçiq thjesht nuk ka forcën politike për ta zbatuar atë në praktikë. Unë mendoj se ai (Vuçiq) nënshkroi marrëveshjen e vitit 2016 me shpresën se deri në skadimin e saj, në vitin 2021, do të ketë një ndarje të Kosovës, respektivisht shkëmbim të territoreve – ndryshe zgjidhjen për të cilën angazhohej ai së bashku me zotin Thaçi. Siç po shihet, kjo nuk ndodhi dhe zgjidhjet e nënshkruara nga e kaluara tani po paguhen”, ka thënë Trajkoviq. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit