1.4 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Reagon hoxha Fatmir Latifi: Dikush po tenton ta rrënojë kontributin tim për vendin

Më të lexuarat

Pas publikimit në media të dëshmisë së një kosovari në gjykatë, i cili ka qenë pjesë e të ashtuquajturit Shtet Islamik i Sirisë dhe Irakut (ISIS), kanë ardhur reagimet e të apostrofuarit në këtë dëshmi.

Hoxha i Mitrovicës, Fatmir Latifi, emri e të cilit lakohet në këtë dëshmi, ku thuhet se dëshmitari i ka përcjellur ligjeratat e këtij hoxhe para se të niset në drejtim të Sirisë, ka reaguar në rrjetin social Facebook, duke e quajtur tendencioze dhe të pasaktë këtë dëshmi, ku për më tepër për ta bërë më të mjegullt dëshminë, sipas tij, nuk njihet as identiteti i këtij personi.

Ai ka thënë se vazhdimisht është anagazhuar në t’mirën e vendit: është veteran i UÇK-së, ka ndihmuar në luftimin e dukurive negative, pajtimin në mes familjeve të hasmuara, sqarimet e vazhdueshme që i ka bërë për rrezikun e ekstremizmit fetar, përfshirë edhe pjesëmarrjen në luftëra të huaja, etj.

 

Latifi ka thënë se i mbetet organeve të drejtësisë të merren me këto deklarata, duke mos lejuar që të njëlloset puna dhe angazhimi i dikujt me pa të drejtë.

Më poshtë mund ta lexoni reagimin e plotë të hoxhës, Fatmir Latifi:

“Të gjithë jemi dëshmitarë se lufta kundër dukurive negative nuk është e lehtë e sidomos kur devijimi ka rrënjë te keqkuptimet në ide dhe botëkuptime. Kësisoj, mbetet sfidë e të gjithëve përballja me ekstremizmin e dhunshëm dhe terrorizmin. Kohëve të fundit kjo është bërë brengë edhe e shoqërisë sonë. Në realitet do të duhej që të gjithë ta bartim barrën e kësaj përgjegjësie, secili nga këndi i vet.

Unë si hoxhë, ish luftëtar i lirisë, aktivist për çështjen kombëtare dhe figurë publike jam munduar dhe vazhdoj që keqkuptimet fetare ti izoloj deri në maksimum. Gjithë veprimtaria ime, publike dhe private është vënë në shërbim të ruajtjes së vlerave të Islamit dhe në luftimin e keqkuptimeve të tij. Jam i vetdijshëm se kjo nuk është gjë e lehtë dhe njëkohësisht zgjatë shumë. Ajo që ditëve të fundit, ma ka prishë terezinë është lakimi i emrit tim nga disa portale për gjoja frymëzim të një të riu për të shkuar në Siri për të luftuar atje. Realisht, nuk e kam idenë se kush është ai përson që apostrofohet me iniciale, e as çka ka deklaruar ai në gjykatë. Mund edhe të ketë deklaruar diçka të tillë, me qëllim të caktuar apo tendencë. Fundja, organet e drejtësisë le të merren me vërtetësinë e asaj deklarate, por është zhgënjyese që disa media, që deklarativisht i kanë shpallë luftë izmave të ndryshme, të raportojnë me kaq tendencë dhe joprofesionalisht, duke lakuar emrin tim në tituj e nëntituj, duke lënë të kuptohet se u zbulua rekrutuesi, e ai qenkam unë.

A thua, në shërbim të kujt janë vënë këta ‘gazetarë’. A i kanë shpallë luftë ekstremizimit apo atyre që e luftojnë atë, si në rastin tim? Apo ndoshta është fushatë e ultë qërimi hesapesh në mjegull për të eliminuar figura, për të rrënuar kontribute dhe për të larguar pengesa nga rruga e ekstremistëve të të gjitha llojeve e ngjyrave.

Nuk është e tepërt të deklaroj se unë që prej fillimit, madje edhe atëherë kur shumë syresh nuk i kishin të qarta konturat e ekstremizmit, unë jam pozicionuar qartë kundër shkuarjes së të rinjëve tanë në konfliktet jashtë vendit dhe kam kontribuuar konkretisht në këtë drejtim. Nëse dikujt i pengon kjo, le të deklarohet, por jo duke hedhur gurin dhe fshehur dorën, me tendencë të njollosjes së figurës sime. Jam gjithnjë në shërbim të vendit dhe popullit tim dhe e kam dëshmuar gatishmërinë për të dhënë edhe më të shtrenjtën për lirinë e këtij vendi, andaj përpjekjeve të kujtdo (me apo pa qëllim) për të më prezantuar ashtu si nuk jam, do tu kundërvihem me fjalë, më qëndrime dhe do të kërkoj nga organet e drejtësisë për të luftuar keqpërdorimet dhe ofendimet e tilla” (sic), ka shkruar hoxha Fatmir Latifi.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit