Përgjigje për Ramën: Bektashiizmi dhe shteti fetar, koncepte të papajtueshme!
Një reagim i përfaqësuesve të sektit bektashi (ose bektashinjve) në Turqi ka ardhur nga plani i kryeministrit shqiptar Edi Rama për të krijuar brenda territorit të vendit të tij një shtet sovran musliman bektashi, sipas modelit të Vatikanit.
Sipas New York Times, shteti i ri do të quhet “shteti sovran i rendit (sektit) bektashi. Ai do të ketë një qeveri të veçantë, pasaporta dhe kufij. Ai do të përfshijë 270 hektarë në anën lindore të Tiranës dhe do të përbëjë kështu, sipas gazetës amerikane, shtetin më të vogël në botë. Do të karakterizohet nga liria në përdorimin e alkoolit e liri të tjera. Në krye të këtij shteti të vogël është i destinuar të jetë lideri shpirtëror i bektashinjve të Shqipërisë, Edmond Brahimi, i njohur ndryshe si Baba Modi.
Përfaqësuesit e organizatave alevi-bektashiane nga Turqia, në deklaratat e tyre të publikuara në rrjetin turk në pronësi të Azerbajxhanit, Haber Global, thonë se bektashiizmi dhe “shteti fetar” janë koncepte të papajtueshme me njëri-tjetrin.
Presidenti i Federatës Alevite të Turqisë, Zeynel Abedin Koç, tha: “Si alevi që jetojmë në Turqi, ne mbajmë qëndrimin tonë në favor të laicizmit. Bektashizmi është një sistem besimi me origjinë nga Turqia. Megjithatë, në Shqipëri jetojnë edhe rreth 115 mijë bektashinj. Dhe kjo përfaqëson 5% të popullsisë së Shqipërisë. Nuk e kuptoj fare pse kanë nevojë për një shtet të tillë. Ne në asnjë mënyrë nuk e miratojmë një shtet të bazuar në besim”.
Edhe ish-kryetari i Federatës Alevi Bektashiane dhe njëherësh shkrimtari Ali Bakiz beson se besimi bektashi nuk mund të krijojë një shtet fetar. “Bektashinjtë alevi kanë jetuar në këto troje prej shekujsh. Më vonë, me Perandorinë Osmane, u përhapën në Ballkan, duke arritur deri në Hungari. Dhe Shqipëria është vendi më i rëndësishëm mes tyre. Filozofia alevi bektashiane i konsideron 72 kombet si një, këshillon që të gjithë të jenë sovran në veprimet e tyre dhe të jenë në anën e të shtypurve. Një shtet fetar nuk është i drejtë. Çdo shtet ka pushtet, ndërsa në besimin alevi bektashi ka liri”, tha Ali Bakiz.
Nga ana e tij, presidenti aktual i Federatës Alevi Bektashi në Turqi, Husein Güzelgül, raportohet të deklarojë se ndërsa i konsideron hapat e ndryshëm të ndërmarrë nga shtetet për të njohur besimin alevi bektashi në mbarë botën në përgjithësi pozitive, ai gjithashtu mbështet pikëpamjen se besimi i bektashinjve dhe shteti fetar nuk mund të shkojnë paralelisht. “Ne nuk e konsiderojmë të drejtë një shtet të bazuar në fe. Nuk mund të ketë një gjë të tillë ku ka tolerancë, paqe dhe dashuri”, theksoi Güzelgül. /tesheshi.com/