1.5 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Reagimet e ndërkombëtarëve pas sulmeve ndaj Policisë së Kosovës

Më të lexuarat

Të premten në një konferencë të jashtëzakonshme të ministrit ë Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe drejtorit të Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti u bë e ditur se brenda tri ditëve Policia e Kosovës është sulmuar katër herë.

Në këtë konferencë u tha se sulmi i katërt ndaj Policisë kishte ndodhur të premten në orën 07:40, gjatë kohës sa Policia e Kosovës ishte duke shkuar për ta realizuar ndërrimin në pikat kufitare.

Ministri Sveçla njoftoi se ky sulm ka ndodhur me granatë dore dhe AK 47, si akt terrorist është bërë me qëllim të frikësimit të zyrtarëve policor por dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës.

“Tashmë po shihet se angazhimi serioz i institucioneve të Kosovës dhe posaçërisht i Policisë që të vendosë rend dhe ligj në çdo cep të Kosovës është bërë pengesë për Serbinë dhe grupe të caktuara që mbështeten drejtpërdrejtë nga Serbia”, ka thënë Sveçla, duke shtuar se këto sulme as nuk do t’i ndalin e as nuk do të frikësojnë.

Ndërkaq, drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti tha se prej datës 13 prill deri të premten kanë ndodhur katër sulme të sinkronizuara ndaj Policisë së Kosovës, në territore që janë afër me njëra tjetrën.

“Kjo na bën me dije se kemi të bëjmë me grup të organizuar”, tha Mehmeti, duke shtuar se dikujt po i pengon puna e Policisë së Kosovës dhe lufta kundër kontrabandës.

Drejtori i Policisë së Kosovës dha edhe detaje të sulmeve që kanë ndodhur.

Sulmi i parë ka ndodhur më 13.04.2022 rreth orës 07 e 30 në magjistralen Mitrovicë – Zubin Potok, ku patrulla e Policisë ka hasur në rrugë në iriqë metalikë që përdoren për dëmtimin e gomave të automjeteve. Aty ishin vendosur rreth 46 iriqë mes të rrugës dhe që mundësonin bllokimin e rrugës.

Sulmi i dytë ka ndodhur ka ndodhur të njëjtën ditë, rreth orës 21:45, ku Njësia e policisë kufitare duke u kthyer nga përfundimi i ndërrimit në afërsi të vendkalimit kufitar është sulmuar me gur.

Mehmeti bëri të ditur se përveç dëmeve materiale nuk ka pasur të lënduar, raporton Telegrafi.

Sulmi i tretë ka ndodhur të enjten mbrëma në fshatin Bube rreth orës 20:40 ku janë dëgjuar katër-pesë breshëri, diku rreth 30 fishekë. Ai tha se dyshohet që të shtënat kanë ardhur nga territori i Republikës së Serbisë, ndërkaq përveç dëmeve materiale nuk raportohet për të lënduar.

Drejtori i Policisë njoftoi se gjuajta ka ndodhur diku në distancë 200-300 metra afër patrullës që ka qenë e vendosur në fshatin Bube. Ai tha se kjo rrugë ilegale ishte mbyllur para një kohe e që është përdorur për kontrabandë dhe aktivitete kriminale.

Ndërkaq, sulmi i katërt ka ndodhur të premten rreth orës 07:40.

Ai tha se janë sulmuar drejtpërdrejtë patrullat e policisë kufitare. Sulmi është kryer me grantë dore dhe AK 47. Të dy veturat e blinduara të policisë janë dëmtuar, por fatmirësisht nuk ka të lënduar.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, ka bërë të ditur se në veturat që u sulmuan mëngjesin e sotëm, ka pasur zyrtarë policorë shqiptarë, por edhe serbë.

Në një konferencë për media të mbajtur bashkë me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ai tha se sulmi dyshohet se ka ardhur nga territori i Serbisë.

“Dyshohet se sulmi ka ardhur nga 200-300 metra dhe dyshohet se ka ardhur nga territori i Serbisë. Të gjitha patrollat tona policore janë të përbëra nga komunitete të ndryshme ndaj edhe në veturat që janë sulmuar ka pasur policë shqiptarë, por edhe serbë”, deklaroi Mehmeti.

Ai shtoi se qytetarët e Kosovës duhet të ndihen të qetë dhe të sigurt, pasi “në të gjitha pjesët e territorit të Republikës së Kosovës janë zyrtarët e Policisë së Kosovës, të cilët kanë pajisje të nevojshme për ta garantuar rendin dhe ligjin”.

E pas sulmeve ndaj Policisë ka pasur reagime të shumta të zyrtarëve vendor si dhe ndërkombëtarë.

Përveç zyrtarëve vendorë, sulmin ndaj Policisë e ka dënuar edhe Ambasada amerikane dhe Bashkimi Evropian.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovës, Jeffrey Hovenier, është shprehur thellësisht i shqetësuar nga raportimet për të shtëna me armë zjarri dhe gurë të hedhur ndaj zyrtarëve kosovarë të zbatimit të ligjit afër Zubin Potokut.

Ambasadori amerikan përmes një reagimi në Facebook, ka thënë se këto sulme ndodhën kur autoritetet sovrane e përgjegjëse për ruajtjen e paqes dhe sigurisë po kryenin detyrat e tyre zyrtare.

“Ne e dënojmë fuqishëm këtë dhunë të mjerueshme, të pajustifikueshme. Zyrtarët e zbatimit të ligjit janë përgjegjës për hetimin e situatës. Ne bëjmë thirrje shmangen spekulimet që do të rrisin tensionet dhe do të dënojmë çdo përpjekje për të penguar këtë punë thelbësore”, ka shkruar Hovenier, transmeton Telegrafi.

Ndërkaq, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë e ka dënuar fuqishëm sulmin e dhunshëm ndaj patrullës së Policisë kufitare të Kosovës në komunën e Zubin Potokut.

Përmes një reagimi në Twitter, nga kjo zyrë kanë thënë se Policia e Kosovës është ofruesi kryesor i sigurisë dhe çdo përdorim i forcës kundër policëve të saj është i papranueshëm.

“U bëjmë thirrje të gjithëve të shmangin spekulimet e panevojshme që mund të shtojnë tensione të mëtejshme, duke theksuar se hetimi i rastit do të kryhet nga organet përkatëse ligjzbatuese”, thuhet në reagimin e tyre.

Lidhur me sulmin, ka reaguar edhe vet Sindikata e Policisë së Kosovës, duke thënë se është momenti i fundit që institucionet e Kosovës të kthejnë vëmendjen kah Policia e Kosovës në përmirësimin e mirëqenies së pjesëtarëve të saj.

Sindikata e Policisë së Kosovës ka falënderuar Policinë e Kosovës për guximin e treguar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare, duke rrezikuar shëndetin dhe jetën e tyre në shërbim të qytetarëve dhe sigurisë së shtetit. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit