1.7 C
Pristina
Thursday, November 14, 2024

Rasti Shefqet Krasniqi – Paradokset e shtetit ligjor dhe “gjuetia e shtrigave”

Më të lexuarat

Bashkësia më e madhe fetare në Kosovë, edhe njëherë është shndërruar në një arenë ku shteti po kërkon “armikun e kombit” – (siç do të thoshte E.H). Për këtë punë shteti ka vënë në lëvizje mekanizma të cilët, në raste të tjera, nuk po funksionojnë thonë njohësit e çështjeve. Për më shumë mekanizmat e tillë, që do të duhej të funksiononin në luftën kundër korrupsionit, nepotizmit, krimeve të tjera ekonomike, janë vënë në shërbim të agjendave të një klike të caktuar politike – thonë këta njohës.

 

  1. Standarde të dyfishta dhe dekalogu i Chomsky-t

‹‹1.Populli duhet ta ketë gjithnjë mendjen të zënë me tjetër gjësend dhe jo me problemet e vërteta. Për këtë: T’i largosh vijimisht vëmendjen nga problemet sociale reale duke e kthyer drejt çështjeve më të vogla, por me ndikim të madh emocional. 2. Populli duhet t’i perceptojë udhëheqësit si shpëtimtarë të vërtetë të kombit›› – thonë dy pikat e para të Dekalogut të famshëm të Chomsky-t. Por a po ndiqet kjo strategji me përpikëri nga institucionet e vendit? Duke qenë të pafuqishme për të dalë nga dekadenca dekadëshe që e ka përfshirë sistemin arsimor, shëndetësor, ekonomik, gjyqësor etj, a janë duke u përpjekur që ta rigjallërojnë një “armik” të vërtetë?

Pikërisht kjo skemë sikur vihet në dukje me rastin e imamit Shefqet Krasniqi, rast që ka marr gjithë vëmendjen mediale përsëri. Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj tij, për veprat penale: Shtyrja për kryerjen e veprave terroriste, nxitje të urrejtjes dhe shmangie e tatimit.

‹‹Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kundër të pandehurit Sh.K., për veprat penale: Shtytja për kryerjen e veprave terroriste, sipas nenit 141 tё Kodit Penal të Republikës së Kosovës, Nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor, fetar apo etnik, sipas nenit 147, paragrafi 2 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe Shmangia nga Tatimi sipas nenit 313 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 tё Kodit Penal tё Republikës se Kosovës. Sipas aktakuzës, i pandehuri Sh.K, veprat penale: Shtytja për kryerjen e veprave terroriste dhe Nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor, fetar apo etnik, i ka kryer në vazhdimësi gjatë intervalit kohor 2013 dhe 2014, ndërsa, veprën penale Shmangia nga Tatimi ka kryer në vazhdimësi gjatë intervalit kohor 2011 dhe 2016.›› – thuhet ndër të tjera në njoftimin e prokurorisë.

  1. Absurditete juridiko-penale

Njohësi i çështjeve juridike Armend Shkoza, thotë se këto lojëra s’janë veçse spektakle gjyqësore nga ana e konturave të pushtetit, për t’i kamufluar ngjarjet  e mëdha.

‹‹ Mënyra e ndjekjes penale si është menaxhuar, në kuptim të afateve ligjore, meqë aktakuza është ngritur në afatin e fundit ligjor, e që sigurisht nuk është bërë nën arsyet e hetimit të ndërlikuar, lë përshtypje se impulsiviteti politik po i dikton proceset e caktuara gjyqësore. Më e keqja e kësaj është se gjyqësia është bërë levë e politikës ditore, tërësisht në shërbim të saj.›› – thekson Shkoza. Ai e shtjellon procesin e Krasniqit duke ju qasur me kujdes dhe duke i identifikuar lëshimet e rënda të institucioneve.

‹‹Nga rasti i procesit kundër imamit Shefqet Krasniqi duhet analizuar me kujdes qasja dhe raporti i shtetit (lexo prokurorisë, pasi që prokuroria sipas Kushtetutës së Kosovës përfaqëson shtetit në ndjekje penale), me bashkësinë fetare, në rastin konkret Bashkësinë Islame të Kosovës. Bashkësitë fetare në Kosovë trajtohen nga këndi i lirisë së asociimit, pra bashkimit të lirë të qytetarëve. Ky lloj i organizimit është jo-qeveritar dhe si i tillë nuk krijon norma imperative (detyruese). Sikurse një parti politike që nuk mund të nxjerrë norma me të cilat, madje as anëtarësinë e saj nuk mund ta detyrojë në kuptim të mendimit dhe interpretimit uniform, ashtu edhe bashkësitë fetare nuk mund të uniformojnë ligjërimin dhe mendimin në kuptim të dispozitivit detyrues. Kjo është njëjtë sikurse prokuroria të kishte kërkuar nga një parti politike qëndrimin lidhur me një çështje dhe që [ ky qëndrim të paraqitet si provë kundër një anëtari të saj për shkak të bindjeve dhe ligjërimit të bërë. Vepra penale nga Neni 147 të Kodit Penal i ka elementet e qarta sa i përket konstatimit të përgjegjësisë penale. Pasoja e saj ka karakter objektiv. Andaj ndërhyrja e prokurorisë në çështje hermenautike (interpretuese), përpos se është absurditet juridiko-penal, është po ashtu edhe kontradiktë në raport me karakterin laik të proklamuar me norma kushtetuese që janë në fuqi.›› – përfundon Shkoza.

  1. Paradokse të tjera

Aktualisht Bashkësia Islame e Kosovës, nuk ka një status të qartë, sipas të cilit ajo mund të definohej në kuptimin juridik. Por në çfarë cilësie i është drejtuar Prokuroria Speciale BIK-ut, për të kërkuar interpretim, kjo mbetet e paqartë, respektivisht paradoks në vetvete.

Në një pjesë të përgjigjes që BIK i kthen prokurorisë shkruan (dokumenti zyrtar i së cilës qarkulloi nëpër mediat elektronike gjithandej):

‹‹Dy ligjëratat në fjalë nuk janë në frymën e interpretimeve parimore islame, interpretimi i ajeteve uranore është bërë jashtë kontekstit kohor, andaj mënyra e predikimit dhe gjuha e përdorur në këto ligjërata konsiderojmë se nuk janë në frymën e duhur të predikimit tonë tradicional ngase është përdorur një gjuhë e vrazhdë e cila nuk përkon me etikën e komunikimit me masën.››

Nga vet përmbajtja, shumë segmente të tekstit mbeten të paqarta. Çka kanë nënkuptuar zyrtarët e BIK-ut nëpërmjet këtyre frazave shumë përgjithësuese si: Me frymën e interpretimeve parimore islame ose frymën e duhur të predikimit tonë tradicional? – po ashtu, mbetet e paqartë.

Ndërkohë që Saga Krasniqi, mund të zgjatet edhe më, BIK-u është fragmentarizuar në dhjetëra pjesë, pikërisht për shkak të rastit.  Orhan Bislimaj, Sekretar në Bashkësinë Islame në Prizren, ka dalë në krah të Shefqet Krasniqit duke treguar se qëndrimet përbrenda këtij institucioni nuk janë krejt homogjene. Por vala e reagimeve nuk ka prekur vetëm besimtarët, qëndrime pro dhe kundër, kanë eklipsuar çdo agjendë tjetër, duke lënë më një anë problemet e mëdha. Duket qartë që skemat e Dekalogut të Chomsky-t janë të pashmangshme./Gazetaere.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit