Procesi gjyqësor për lëndën “Monstra” vazhdon më 3 shkurt. Në seancën e sotme për vrasjen e pesëfishtë afër liqenit të Smillkovës, nga ana e prokurorëve si dëshmitarë shtesë u propozuan edhe lideri i LSDM-së Zoran Zaev, informatori Xvonko Kostovski, Zoran Trajkovski (person që gjendet në dëshmitë e PSP-së) dhe ish-drejtori i BSP, Lupço Todorovski – Radnik. Familjet e të dëmtuarve si dëshmitarë e propozuan Sinisha Aleksovskin, bashkëpunëtorë shumëvjeçar për sigurinë e ish-presidentit Gjorge Ivanov.
Nga ana tjetër avokatët e të pandehurve në lëndën “Monstra” , paralajmërojnë deri 50 dëshmitarë të rinj për këtë procedurë.
“Një pjesë të dëshmitarëve i propozuam nga fundi i vitit 2019. Listën tjetër me rreth 20 dëshmitarë do ta propozojmë më 3 shkurt. Ne insistojmë të shfaqet video materiali nga Komuna e Ilindenit ku mund të shihet edhe i pandehuri Fejzi Aziri. Gjithashtu si dëshmitarë do t’i propozojmë edhe ish-ministrin Mile Janakieski dhe ish-kryetarin e Komunës së Ilindenit. Duke pasur parasysh se lënda drejtohet sipas Ligjit të vjetër për procedurë penale, nuk e përjashtojmë mundësinë gjatë kësaj procedure të propozojmë edhe dëshmitarë të tjerë”, deklaroi për MEDIAL-n avokati Naser Raufi.
Lëndën “Monstra” e drejton gjykatësi Ognen Stavrev, ndërsa përfaqësues të aktakuzës janë Fatime Fetai dhe Gavril Bubevski.
Për vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës më 12 prill të vitit 2012, kur u vranë djemtë Kire Triçkovski, Filip Sllavkovski, Cvetanço Ackovski, Aleksandar Naqevski dhe peshkatari Borçe Stefanovski, në procedurë paraprake për lëndën me burg të përjetshëm u dënuan Alil Demiri, Afrim dhe Agim Ismailloviq, Fejzi dhe Haki Aziri dhe Sami Luta.
Gjykata Supreme në dhjetor të vitit 2017 i shfuqizoi aktvendimet, i liroi nga paraburgimi të dënuarit Agim Ismailloviq, Haki Aziri, Sami Luta dhe Fejzi Aziri dhe u përcaktoi masa kujdesi. Pas shfuqizimit të aktvendimeve, lëndën “Monstra” e ndërmor Prokuroria Speciale Publike dhe lënda u rikthye në gjykim të sërishëm. Nga fundi i vitit të kaluar lëndën sërish e ndërmor Prokuroria Themelore Publike.