Gazetarja që denoncon sjelljen e kolonizatorëve të deridjeshëm ndaj të kolonizuarve dikur
Nga Francesca Paci, La Stampa
“Të gjitha paratë që shpenzon sot Evropa për t’u mbrojtur nga emigrantët, përveç financimit të regjimeve nga të cilat ata po arratisen, nxisin edhe paqëndrueshmëritë e së nesërmes”. Gazetarja Salli Hajden, e sapo nderuar me Çmimin Ndërkombëtar Letrar Tiziano Terzani në Itali për librin “Dhe herën e katërt u mbytëm”, e di shumë mirë se kush do të përfitojë nga marrëveshjet e reja mes Italisë dhe Libisë për kontrollin e Mesdheut.
Në një intervistë për gazetën La Stampa, ajo thotë se i ka parë ato në shikimet e tmerruara të të mbijetuarve nga muajt dhe vitet e torturave, përdhunimeve dhe skllavërisë. Për gjashtë vjet, ajo ka mbledhur historitë e emigrantëve të burgosur në kampet e paraburgimit Bani Valid dhe Sabrata, si dhe të atyre që kanë kryer udhëtimin e rrezikshëm nga Eritrea, Sudani dhe Nigeri. Ajo nuk ka asnjë përgjigje, por vetëm një pyetje për ata që do të votojnë për Evropën e nesërme në zgjedhjet e qershorit: A besoni ende tek të drejtat e njeriut?
Prej vitesh jeni marrë me historitë e atyre që tentojnë të vijnë në Evropë përmes Mesdheut, dhe që shpesh vdesin disa metra larg bregut. Si është situata për momentin?
Mendoj se nuk ka ndryshuar në krahasim me kohën kur isha atje deri vitin e kaluar. Udhëtimi sfilitës drejt Libisë apo Tunizisë shoqërohet nga e njëjta dhunë. Kemi lajme për mbi 265 persona që kanë mbërritur një javë më parë. Ka të ngjarë, që siç ndodh periodikisht, të ketë ndryshuar rruga që ndjekin trafikantët. Njerëzit ende kalojnë nëpër Niger për të arritur në Libi, por tani një rrugë më e ndjekur është ajo që shkon nga Afrika Perëndimore në Ishujt Kanarie.
Muajt e fundit, media ka raportuar se praktikisht nuk ka më OJQ që të ndihmojnë njerëzit që rrezikojnë të mbyten në Mesdhe. A janë të vetëdijshëm për këtë emigrantët dhe refugjatët me të cilët jeni në kontakt?
Ata që ikin nga vendet e tyre, e dinë shumë mirë se si është situata. Por OJQ-të nuk kanë qenë kurrë një faktor tërheqës. Njerëzit janë aq të dëshpëruar, sa që përpiqen dhe do të provojnë ende të largohen nga Libia, duke lënë pas edhe të kaluarën e tyre. Të gjithë e dinë se është e vështirë, dhe gjithsesi të gjithë zgjedhin të ikin.
Sipas sondazheve, zgjedhjet e ardhshme evropiane do të sjellin në parlament parti të reja sovraniste, të cilat ashtu si Hungaria e Orban, por edhe Italia e Xhorxhia Melonit, premtojnë të forcojnë “Fortesën Evropë” nga pushtimi i emigrantëve. Si mund të kundërshtohet narrativa e tyre?
Personalisht, kam provuar ta bëj këtë me shkrimet dhe librat e mi. Njohuritë e mia mbi këtë situatë janë zgjeruar me kalimin e kohës. Deri dje nuk e dija shkallën e abuzimeve dhe nuk isha në dijeni se sa shumë ishte i përfshirë Perëndimi në krimet kundër njerëzimit të kryera në ato anë, pavarësisht se ato ishin shumë të dokumentuara.
Unë jam evropiane, por vetëm pasi dëgjova zërat e atyre që zakonisht janë më të pazëshmit, kuptova se si po shkelen të drejtat e njeriut në emrin tim. Dhe siç ndodhi me mua vite më parë, mendoj se shumë njerëz të zakonshëm nuk janë në dijeni të asaj që po ndodh.
Kam frikë se pas zgjedhjeve të qershorit, BE-ja do të jetë edhe më larg një qasjeje racionale sesa sot, dhe do të marrë shumë më pak në konsideratë raportin kosto-përfitim, pra sa para janë investuar në sistemet e destinuara për të krijuar destabilitet dhe nxitur më shumë njerëz të arratisen.
Me dy luftëra në pragun e Evropës, me inflacionin që po e varfëron shtresën e mesme dhe me interesat e shteteve anëtare të përqendruara gjithnjë e më shumë tek çështjet e tyre të brendshme, ç’mund të bëjë realisht Bashkimi Evropian për të mos braktisur emigrantët, dhe në të njëjtën kohë për të shmangur luftën midis të varfërve, nga e cila përfiton e djathta?
Rreth nesh po zhvillohen lufta e Ukrainës dhe e Gazës. Po luftë ka edhe në Sudan, nga i cili kanë ikur dy milionë njerëz. Unë jam gazetare dhe nuk di si t’u jap këshilla qeverive por shumë politika më duken të verbra. Modeli dominues i tyre është ai i Britanisë, ku merren masa ekstreme, dhe ku të sakrifikuarit janë emigrantët.
Do të doja që evropianët t’i bënin vetes disa pyetje. Ata që ikin nga vendi i tyre nxiten nga një mijë arsye të ndryshme, arsye politike, pabarazi sociale në rritje, ndryshimet klimatike, kriza ekonomike globale pas Covid-it. Pavarësisht nga të gjitha problemet tona përballë vuajtjeve masive rreth nesh, ne nuk mund të ndërtojmë vetëm mure dhe as të mbyllim sytë.
Në rregull, por dikush do të thoshte: Ne s’mund t’i pranojmë që të gjithë…
Unë nuk e di këtë, nuk jam aktiviste. Megjithatë, besoj se pavarësisht se ka të varfrit e saj, Evropa është në tërësi një kontinent i pasur, mirëqenia e të cilit rrjedh edhe nga shfrytëzimi i burimeve të njerëzve të tjerë. Dhe ne duhet të jemi të vetëdijshëm se shumë emigrantë vijnë nga vende të dëmtuara nga kolonializmi ynë.
Unë nuk kam asnjë përgjigje, por kam një pyetje: A besojmë ende ne evropianët tek të drejtat e njeriut? Meqë jam marrë me këto çështje, e kam ndjerë zhgënjimin e punës në një dhomë komode. Të gjithë diskutojmë se kush ka apo s’ka të drejtë të emigrojë nga ngrohtësia dhe komoditeti i shtëpive tona, dhe jemi shumë larg realitetit.
Xhorxhia Meloni ka shpallur “Planin Mattei”, me të cilin synon të ndalojë flukset migratore përmes marrëveshjeve me Libinë, Tunizinë, Egjiptin dhe Bangladeshin, që për këtë qëllim janë përcaktuar si “vende të sigurta” për riatdhesimin e emigrantëve. Qeveria italiane pretendon se emigrantët duhet të ndihmohen në shtëpitë e tyre. Si do të reagonin protagonistët e librit tuaj?
Mesa kam mundur të verifikoj me raportimet e mia, ky plan siguron vazhdimin e shpërdorimit të shumë parave për shtyrjen e kufijve, përtej të cilëve krijohen kushtet për një destabilitet të mëtejshëm. Por problemi s’ka të bëjë vetëm me Italinë. Në të gjithë Evropën politika është e fokusuar në ndalimin e emigracionit me çdo kusht.
Ata paguajnë vendet që ndalojnë largimet, në vend se të mbështesin njerëzit që vdesin nga uria. Unë kam parë refugjatë në Somali që mbijetojnë vetëm falë ushqimit të siguruar nga financimi i diasporës. Pra ne nuk po i ndihmojmë fare në shtëpitë e tyre, sepse paratë e shpenzuara për sigurinë e përkeqësojnë problemin. Në vend të kësaj qasje, këta të rinj entuziastë, mund të na ndihmojnë këtu në Evropë ku popullsia po plaket.
Që nga eksodi i madh sirian i vitit 2005, kishte nga ata që me keqdashje vunë re se emigrantët nuk ishin dhe aq nevojtarë, sepse kur zbarkonin në duar mbanin telefona inteligjentë të gjeneratës së fundit. Çfarë domethënie ka celulari për ata që ikin nga vendi i tyre?
Ekziston një ide e shtrembëruar, sipas së cilës refugjatët duhet të jenë domosdoshmërisht të varfër. Por nuk është kështu, pasi ata ikin nga persekutimi, bombat, nga situatat e luftës, në të cilat nuk vlen të qenit i pasur. Nga përvojat që kam mbledhur, pasja e një smartfoni do të thotë të jesh në gjendje të dërgosh vendndodhjen tënde, të mbash kontakte me familjen, të shkëmbesh informacione me ata që kanë ndërmarrë të njëjtin udhëtim, apo të lëshosh alarmin në rast rrëmbimi. Pra do të thotë të mbijetosh. Pastaj nuk është e vërtetë që të gjithë ata e kanë një telefon të tillë. Shumë prej tyre kanë një kartë SIM dhe e alternojnë me një smartfon që e mban njëri prej tyre. Njëherë takova dikë që më tha se zgjodhi celularin në vend të ushqimit, në mënyrë që të paktën të jepte alarmin se po vdisnin nga uria.
Cila është historia që ju ka prekur më shumë?
Ajo e Fatimas, një grua nga Gambia, e cila kishte shkuar në Libi për t’u bashkuar me burrin e saj të punësuar atje. Ajo nuk ishte refugjate dhe as kërkoi azil. Gambia është një vend shumë i varfër dhe ajo donte të punonte. Por një ditë i shoqi u sëmur, dhe askush nuk donte ta mjekonte.Ndaj bashkë me fëmijët e tyre të vegjël vendosën të kalonin Mesdheun. Megjithatë, ata përfunduan në një qendër paraburgimi. Bashkëshorti vdiq, Fatima lindi një foshnjë që u sëmur nga apendiciti dhe nuk mbijetoi. Fundi i historisë është se Fatima me fëmijët e tjerë u rikthyen në Gambia përmes të ashtuquajtur “riatdhesim vullnetar”. Pyes ende veten se çfarë do të thotë termi “vullnetar” në kushtet e saj.
Puna juaj ka tërhequr jo pak vëmendje. Në një kohë kur shumë njerëz po kremtojnë “funeralin e gazetarisë” dhe opinioni publik po formohet kryesisht në rrjetet sociale, a kanë ende gazetarët një pushtet politik dhe kulturor?
Unë besoj shumë tek misioni i gazetarit. Besoj në misionin e ofrimit të informacionit të sinqertë, që u jep mundësi njerëzve të formojnë opinionet e tyre. Të gjithë janë të lirë të mendojnë në mënyrë të pavarur. Por faktet janë fakte, dhe një fakt i vërtetuar është pasoja e rëndë mbi qeniet njerëzore të vendimeve politike të Evropës në lidhje me migracionin.