4.8 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Raportuesja e OKB-së: Nuk ka asnjë argument moral që justifikon shitjen e armëve Izraelit

Më të lexuarat

“Nuk ekziston asnjë argument moral që mund të justifikojë vazhdimin e shitjes së armëve Izraelit nga shtetet që respektojnë parimin e universalitetit të të drejtave të njeriut”, ka thënë Mary Lawlor

Furnizimi i Izraelit me armë që vrasin më shumë civilë palestinezë është një “luftë kundër të drejtave të njeriut” dhe asgjë nuk justifikon vazhdimin e shitjeve të armëve, ka thënë raportuesja speciale e OKB-së për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, Mary Lawlor, transmeton Anadolu.

Në një shkrim të botuar të enjten nga e përditshmja britanike The Guardian, Lawlor ka elaboruar vazhdimin e shitjeve të armëve për Izraelin përballë përkeqësimit të situatës humanitare në Rripin e Gazës, ku rreth 32.000 njerëz janë vrarë në sulmet izraelite që nga 7 tetori 2023.

“Nuk ekziston asnjë argument moral që mund të justifikojë vazhdimin e shitjes së armëve Izraelit nga shtetet që respektojnë parimin e universalitetit të të drejtave të njeriut”, ka thënë raportuesja speciale e OKB-së.

Duke theksuar se Izraeli ka demonstruar me kalimin e kohës se do të përdorë armë të tilla “në mënyrë joselektive kundër palestinezëve”, Lawlor është shprehur se çdo pretendim i Izraelit për vetëmbrojtje si reagim ndaj sulmit të 7 tetorit nga Hamasi është “zhvlerësuar” prej kohësh nga disproporcionaliteti i përgjigjes.

Duke vënë në dukje se koncepti i proporcionalitetit në konflikt përfshihet në nenin 51 të Protokollit të Parë Shtesë të Konventave të Gjenevës, ajo ka theksuar se tani ka “argumente ideologjike” për vazhdimin e shitjes së armëve, “të cilat mund të konkludoj se vlerësojnë jetët izraelite mbi ato palestineze”.

“Kjo gjë është e pandërgjegjshme”, ka shtuar Lawlor, duke kujtuar se disa vende perëndimore, duke përfshirë SHBA-në, Britaninë, Gjermaninë, Francën dhe Kanadanë, kanë theksuar të gjitha mbështetjen e tyre për mbrojtësit e të drejtave të njeriut, ndërsa kanë vazhduar të armatosnin Izraelin.

Duke cituar të dhëna, ajo ka thënë më tej se midis viteve 2013 dhe 2022, 68 për qind e shitjeve të armëve për Izraelin kanë ardhur nga SHBA-ja.

Lawlor ka përmendur mbrojtësit e të drejtave të njeriut, gazetarët dhe punonjësit e kujdesit shëndetësor që janë vrarë në enklavën e rrethuar palestineze gjatë muajve të fundit, duke kujtuar se kjo është një “luftë ndaj grave dhe fëmijëve”, të cilët përbëjnë 72 për qind të pothuajse 32.000 palestinezëve të raportuar të vdekur në Gaza.

Lidhur me viktimat në mesin e gazetarëve, Lawlor ka thënë se më shumë se 122 gazetarë dhe punonjës të medias janë vrarë në Rripin e Gazës nga Izraeli.

“Kohët e fundit, në komentet për të festuar punën e gazetarëve ukrainas, nënsekretari i SHBA-së për diplomacinë publike dhe çështjet publike tha: ‘Është angazhim i ynë që të vazhdojmë të ngremë, fuqizojmë, avokojmë dhe burimojmë zërat që tregojnë se çfarë po ndodh në terren’”.

“Jo, siç duket, nëse këto zëra janë palestineze”, ka shtuar ajo.

Duke thënë se 162 anëtarë të stafit të agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA) janë vrarë, Lawlor ka nënvizuar se kjo është gjithashtu një “luftë kundër personelit humanitar”.

Ajo ka theksuar se arkitektura ndërkombëtare e të drejtave të njeriut po dobësohet nën peshën e hipokrizisë së vendeve që kanë shprehur mbështetje për një rend të bazuar në rregulla, por në të njëjtën kohë vazhdojnë të dërgojnë armë në Izrael që vrasin më shumë civilë palestinezë, duke vënë në dukje se “mbi të gjitha, kjo është një luftë kundër të drejtave të njeriut”.

/aa/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit