-2.1 C
Pristina
Friday, November 22, 2024

Raportuesi për Serbinë në PE thotë se Beogradi zyrtar “duhet të përgjigjet për ngjarjet në Banjskë”

Më të lexuarat

Raportuesi i ri për Serbinë në Parlamentin Evropian, Tonino Picula, ka thënë se ndër pengesat më të mëdha në rrugën e Serbisë drejt Bashkimit Evropian (BE) është edhe stagnimi në reformat në fushën e sundimit të ligjit.

Veç kësaj, në një intervistë me agjencinë Beta, Picula tha se nevojitet gjithashtu një lëvizje drejt harmonizimit më të madh me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së.

Ndërsa i pyetur nëse Serbia mund të bëhet anëtare e BE-së nëse de jure nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, Picula ka theksuar se dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës duhet të përmbyllet me marrëveshje, shkruajnë mediat serbe, përcjell Telegrafi.

“Sa i përket marrëdhënieve me Kosovën, dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është nën patronazhin e BE-së, pjesë e së cilës duan të jenë Serbia dhe Kosova. Ai proces duhet të përmbyllet me një marrëveshje që ndër të tjera do të mundësojë dhe jo të bllokojë anëtarësimin në BE për të dyja vendet”, citohet të ketë thënë ai.

Veç kësaj, Picula ka vënë theksin tek ngjarjeve në Banjskë, duke theksuar se Serbia duhet të inicojë dhe të përfundojë procesin e përcaktimit të përgjegjësisë për të gjithë të përfshirët në ato ngjarje.

Bëhet fjalë për sulmin terrorist që ndodhi gjatë vitit të kaluar në Banjskë të Zveçanit ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

“Unë kam qenë në mesin e atyre që mirëpritën planin franko-gjerman dhe aneksin e Ohrit si rivitalizimin e procesit të Brukselit. Fatkeqësisht, në vend që të hynim në një fazë më të avancuar të negocimit të një marrëveshjeje përfundimtare, ne patëm një sërë krizash të reja dhe një përshkallëzim të dhunës. Krahas obligimeve të njohura, por edhe zbatimit të tyre, Serbia duhet të inicojë dhe të përfundojë procesin e përcaktimit të përgjegjësisë së të gjithë të përfshirëve në ngjarjet e Banjskës dhe të punojë për qetësimin e përhershëm të tensioneve në veri të Kosovës. Për suksesin e dialogut, autoritetet në Prishtinë, natyrisht, mbajnë pjesën e tyre të përgjegjësisë”, ka shtuar ai.

Picula është pyetur nëse Kosova mund të bëhet anëtare e BE-së nëse fillimisht nuk bëhet anëtare e Kombeve të Bashkuara (OKB).

Lidhur me këtë, Picula ka thënë se kjo varet nga shumë faktorë.

“Mendoj se bëhet fjalë kryesisht për procese plotësuese dhe paralele, përfundimi i të cilave varet nga shumë faktorë. Aranzhimet tashmë të dakorduara në kuadër të dialogut kërkojnë që Serbia të mos pengojë pranimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare”. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit