2 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Raportet e këqija mes nuseve dhe vjehrrave

Më të lexuarat

Falënderimet i takojnë Allahut, kurse përshëndetjet dhe selamet të Dërguarit të Tij, familjes dhe shokëve të tij.

Pothuajse nuk ka shtëpi pa probleme mes nuses dhe vjehrrës. Në disa shtëpi ato janë të vogla, kurse në disa të tjera më të mëdha. Madje aq të mëdha sa mund të çojnë deri te ndarja në mes të burrit dhe gruas apo të shkaktojnë grindje dhe ftohje të raporteve në mes të burrit dhe nënës, e pastaj edhe babait të tij.

Shkaku kryesor i këtyre problemeve është sjellja e keqe e nuses përballë nënës së burrit, pasuar nga mendimi i keq për vjehrrat ose si pasojë e presionit të ndokujt prej të afërmve të saj. Por, nganjëherë këto probleme vijnë edhe si rezultat i disa sjelljeve të nënës së burrit kundrejt nuses së saj. Sjelljet e tilla vijnë si rezultat i disa paragjykimeve që i ka vjehrra, e cila mendon se, para martesës së djalit, ai ishte i tëri i saj, kurse sot ka ardhur në shtëpi dikush me të cilën duhet ta ndajë djalin e vet. Prandaj, ajo përpiqet ta ruajë gjendjen e mëparshme me çdo kusht dhe në çfarëdo mënyre.

Roli i burrit në këtë rast mund të jetë: roli i gjykatësit ose ai i të urtit. Nëse bëhet gjykatës dhe e arrin pajtimin e nënës me gruan, ky pajtim nuk do të zgjasë shumë dhe sërish do të kthehen problemet. Nëse vepron me urtësi, nuk mund të punojë gjithherë në bazë të drejtësisë, që të mos e lëndojë nënën ose të mos e hidhërojë gruan, prandaj ndodh që shkon në punë dhe mendon për problemet ose i diskuton me shokë për të gjetur zgjidhje.

Atëherë, cila është zgjidhja e këtyre problemeve?

Zgjidhja është e lehtë dhe në dorën e nuses, po qe se u përmbahet këshillave vijuese:

1. Kije frikë Allahun në vetmi dhe prani të të tjerëve dhe kujtoji fjalët e Tij:

“Atij që i frikësohet Allahut, Ai do t’i gjejë rrugëdalje (nga çdo vështirësi) dhe do t’i japë risk prej nga nuk e pret.” (Et-Talak, 2-3)

2. Forcoje imanin e bindjen tënde dhe të jesh e sigurt në premtimin e Zotit të botëve, i Cili thotë:

“Allahu, në të vërtetë, i mbron besimtarët.” (El-Haxh, 38)

3. Mos e përgojo vjehrrën dhe mos shpif kundër saj, jo vetëm në prani të burrit, por as në prezencë të prindërve të tu. Mos harro ç’pasoja sjell përgojimi dhe bartja e fjalëve.

4. Burri yt e do nënën e vet dhe ti nuk mund t’ia largosh atë dashuri nga zemra, kështu që mos u mundo. Mos e informo atë për të këqijat e nënës së tij, nëse dëshiron të të dojë shumë.

5. Po qe se burri të pyet për sjelljet e nënës së tij, thuaji: Allahu e shpërbleftë dhe ia faltë gjynahet, e mos i thuaj diç tjetër, dhe kujtoje shpërblimin e durimtarëve dhe bamirësve.

6. Nëse të ngushtohen punët, thuaj shpesh:

“HasbijAllahu ue ni’mel-Uekil” (Mua më mjafton që e kam Allahun, Ai është mbrojtësi më i mirë).

Allahu i Lartësuar ka thënë:

“(Shpërblim kanë edhe ata) të cilëve njerëzit (hipokritë) u thanë: “Shumë njerëz po mblidhen kundër jush, prandaj frikësohuni!” e kjo gjë ua shtoi atyre besimin dhe thanë: “Neve na mjafton Allahu, Ai është mbrojtës i mrekullueshëm!” Ata u kthyen me dhuntitë dhe mirësitë e Allahut, nuk i gjeti asgjë e keqe dhe fituan kënaqësinë e Allahut. Allahu është Zotërues i mirësive të mëdha.” (Al-‘Imran, 173-174)

7. Mos e ngrit zërin në prani të nënës së burrit dhe ki kujdes nga fjalët e pamatura, sepse fjala e keqe i shkakton zemrës plagë që vështirë shërohen.

8. Dije se fjalët e këqija, sharjet dhe ofendimet janë armë të gruas së dobët, pa vetëbesim e me probleme psiko-shpirtërore, dhe të gruas e cila për shkak të mangësive të veta përpiqet t’i akuzojë të tjerët.

9. Të keqen ktheje me të mirë, që ta jetësosh urdhrin e Allahut të Lartësuar:

“Nuk barazohet e mira me të keqen! Të keqen ktheje me të mirë e atëherë armiku yt do të të bëhet menjëherë mik i ngushtë.” (Fussilet, 34)

10. Nxite burrin në respektim dhe mirësi ndaj prindërve të vet, sepse nëse ata janë të kënaqur me të, ai do të jetë i lumtur, rrjedhimisht edhe ti. Në të kundërtën, asnjëri s’do të jeni të lumtur.

11. Ki kujdes nga xhelozia ndaj vjehrrës sate dhe mos ndërmerr asgjë kundrejt saj, edhe nëse vëren smirë tek ajo.

12. Bëji mirë të gjithëve, qoftë edhe nëse nuk janë familjarë të burrit tënd, sepse kjo sjell dashuri mes jush.

13. Mos u tall me vjehrrën tënde, mos i komento sjelljet e saj, mos e nënçmo dhe dije se ajo është nëna jote e dytë.

14. Nëse vjehrra të kërkon ndonjë shërbim, mundohu ta realizosh atë sipas mundësisë, pa nervozizëm dhe ankesë.

15. Dije se në të ardhmen edhe ti do të bëhesh vjehërr, e “atë që e mbjell, atë do ta korrësh”, dhe dije se në fund triumfi u takon të devotshmëve.

16. Mos e ngarko burrin tënd me këto probleme dhe lëre të mendojë në ndërtimin e familjes.

17. Problemet që i ke me vjehrrën mos i përcill te familja jote, por tregohu durimtare dhe falënderuese, sepse me falënderim zgjaten begatitë, kurse durimi është çelës i zgjidhjes së problemeve.

18. Mos u gëzo kur i ndodh diçka e keqe vjehrrës sate, si për shembull ndonjë sëmundje, por mundohu ta ndihmosh, ta disponosh e t’i shërbesh, dhe bëj dua për të. Tërë këtë bëje duke shpresuar në kënaqësinë e Allahut, i Cili për një të mirë shpërblen dhjetëfish.

19. Fale namazin në kohën e vet, sepse namazi është shtylla kryesore e devotshmërisë së përmendur në fillim të këtyre këshillave. Gjithashtu, përmende Allahun vazhdimisht, që të jesh e lumtur dhe të kesh qetësi shpirtërore, siç thotë Allahu i Lartësuar:

“Vërtet, zemrat qetësohen me përmendjen e Allahut!” (Err-Rra’d, 28)

20. Përpiqu që herë pas here, sidomos gjatë festave, t’ia bësh vjehrrës ndonjë dhuratë, nxite edhe burrin të veprojë kështu, duke e pasur parasysh hadithin e të Dërguarit, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të: “Shkëmbeni dhurata, që të duheni”.

21. Ki kujdes nga pakënaqësia a parashtrimi i pyetjeve kur burri yt i dhuron nënës së vet ndonjë dhuratë ose kur i blen diçka që i nevojitet, sepse ajo ka më shumë të drejta tek ai sesa ti dhe familja jote.

22. Dije se ti je pjesë e të mirave të kësaj bote, siç thotë i Dërguari, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të: “Kjo botë ka begati, e begatia më e madhe e saj është gruaja e mirë”.

Sa i përket nënës, i Dërguari, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Qëndroji pranë, sepse Xheneti është nën këmbët e saj”.

23. Mos u mashtro me rininë, bukurinë dhe prejardhjen tënde e të tregohesh mendjemadhe karshi vjehrrës sate, sepse Allahu e urren mendjemadhësinë dhe vetëkënaqësinë.

24. Për problemet tuaja mos kërko zgjidhje në filma dhe seriale, sepse zgjidhja gjendet në mësimet islame, në të cilat ka udhëzim dhe dritë. Allahu i Lartësuar thotë:

“Juve ju erdhi prej Allahut dritë dhe Libër i qartë, me të cilin Allahu i drejton ata që ndjekin pëlqimin e Tij, në rrugën e shpëtimit, i nxjerr nga errësira në dritë me lejen dhe vullnetin e Vet dhe i shpie në rrugën e drejtë.” (El-Maide, 15-16)

25. Mbështetu plotësisht në Allahun, në përputhje me fjalën e Tij:

“Allahu i mjafton kujtdo që mbështetet tek Ai.” (Et-Talak, 3)

26. Nëse u përmbahesh këtyre këshillave, me lejen e Zotit do të jesh margaritar i çmueshëm i burrit tënd, pa të cilin ai nuk mund të qëndrojë dhe do të kesh sukses në jetën bashkëshortore dhe në ndërtimin e një familjeje shembullore.

Le të jetë slogani yt i përhershëm fjala e Allahut të Madhërishëm:

“Atë që ruhet (nga gjynahet) dhe bëhet i durueshëm, Allahu e shpërblen, se Ai kurrë nuk ia humb shpërblimin punëmirëve.” (Jusuf, 90)

Këshilla për të gjithë

Në vijim do t’i paraqesim disa këshilla për nënën e burrit, nënën e gruas dhe vetë burrin.

Këshilla për nënën e burrit

1. Kije frikë Allahun në raport me djalin tënd dhe gruan e tij. Largohu nga çdo padrejtësi, qoftë në fjalë a në vepër. Në një hadith është thënë: “Në Ditën e Kiametit padrejtësitë janë errësira.”

2. Mos u bëj sikur ortake për nusen tënde, por bëju nënë e dytë dhe këshilluese e saj.

3. Mos prit nga një vajzë e re që të jetë e përsosur dhe e përkryer, sepse ajo është në fillim të jetës së saj.

4. Mos i përhap të metat e nuses sate dhe ndihmoji që të fitojë vetëbesim, sepse në të kundërtën do të të urrejë.

5. Shtoji lutjet për të dhe djalin tënd, sepse, si nënë që je, lutja jote pranohet. Gjithashtu nxite burrin tënd të bëjë lutje për të sepse edhe atij, si prind që është, i pranohet duaja.

6. Mos ndiej pakënaqësi nga ndonjë dhuratë që djali yt ia bën gruas së tij a nga ndonjë udhëtim i tij familjar së bashku me gruan e tij, dhe dije se gjëra të tilla, bile edhe më të mira, do të bëjë për ty.

7. Shfaqi të mirat e nuses sate para djalit tënd, anashkaloji të këqijat e saj, nëse nuk kanë të bëjnë me nder dhe fe, dhe mos u mundo të fusësh te djali yt urrejtje kundër saj.

8. Dije se ti je nënë, kurse ajo bashkëshorte dhe që të dyja keni të drejta, andaj ndihmoji birit tënd që t’jua japë të dyjave të drejtat që ju takojnë.

9. Mos shfaq neveri përballë familjes së nuses sate dhe mos harro sa herë ke shkuar tek ata, e sa rrugë ke bërë, kur e kërkoje dorën e saj për djalin tënd. Gjithashtu, mos i harro premtimet dhe shpresat për mirësjellje që ua ke dhënë atyre menjëherë pas martesës.

10. Respektoje familjen e nuses, që nusja të të respektojë ty.

Këshilla për nënën e nuses

1. Mos ndërhyj në punët familjare mes bijës sate dhe burrit të saj, sepse çdokush i ka problemet e veta.

2. Këshilloje vajzën tënde vazhdimisht për mirësi, sepse “Feja është këshillë”.

3. Nëse vajza jote të vjen e hidhëruar, lëre të shprehet, pastaj këshilloje dhe tregoja gabimet e saj, nëse ka. Assesi mos kontribuo në ndarjen e saj nga burri dhe përmendi asaj shembuj nga jeta e përditshme, sepse prej tyre përfiton i mençuri.

4. Bëhu nënë e dytë për dhëndrin tënd, kujdesu për të, respektoje dhe mos e ngarko me diçka që nuk mund ta përballojë.

5. Tregoja bijës sate mirësitë dhe burrërinë që ke vërejtur te burri i saj dhe mos ia përmend të metat e tij, sepse mund ta urrejë atë.

6. Largohu nga çdo gjë me të cilën mund të akuzohesh në rast të problemeve në mes të vajzës dhe burrit të saj, sepse zakonisht shoqëria në këto raste e akuzon nënën e djalit dhe atë të vajzës.

Këshilla për burrin

1. Kije frikë Allahun në çdo situatë, dhe, nëse sprovohesh, duro, duke shpresuar në shpërblimin e Allahut të Madhërishëm.

2. Ruaje gjuhen tënde nga të folurit e ndaluar, nderin tënd nga imoraliteti dhe dije se mëkati ndikon në sjelljet e gruas sate.

3. Jepja çdokujt atë që e meriton dhe mos i bëj padrejtësi nënës sate nga dashuria e madhe për gruan, sepse Xheneti është në këmbët e nënës.

4. Mos lësho pe nga burrëria dhe nga të drejtat që t’i ka dhënë Allahu, siç janë: të qenët zot shtëpie, e drejta për shkurorëzim është në dorën tënde, leja për largim nga shtrati i gruas (në rast të mosbindjes së saj) pasi ta kesh këshilluar atë dhe të është lejuar rrahja e lehtë, po qe se e kërkon nevoja.

5. Mos e lejo gruan të të flasë për të metat e nënës sate dhe tërhiqja vërejtjen nga bartja e fjalëve dhe përgojimi.

6. Respektoji prindërit dhe vëllezërit e gruas sate, nëse dëshiron të fitosh dashurinë e tyre.

7. Largohu nga shkurorëzimi me kushtëzim (p.sh. të thotë: nëse bëhet ndonjë punë ose nëse nuk bëhet ndonjë çështje e caktuar, atëherë gruaja ime është e shkurorëzuar) sepse mahia dhe serioziteti në çështjen e shkurorëzimit e kanë dispozitën e njëjtë. Mos fut në shtëpinë tënde revista të ndyra dhe mos e lejo gruan të shikojë filma të pavlerë.

8. Mos e ndiz zjarrin në mes të gruas dhe nënës sate e pastaj të mos mund ta fikësh atë.

9. Shpeshtoji duatë, largohu nga haramet e dukshme dhe të padukshme, largohu nga shokët e këqij dhe mos e bëj shprehi daljen e vazhdueshme dhe vonesën jashtë shtëpisë, sepse prania jote në shtëpi është mburojë për familjen tënde. Kujtoje çdoherë fjalën e Allahut të Lartësuar:

“Vërtet, Allahu është me ata që e kanë frikë dhe që janë punëmirë.” (En-Nahl, 128)

Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve.
Përktheu nga arabishtja: Arben Ahmetaj
Burimi: Revista Shembulli – Shembulli.com

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit