-0.1 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Ramla: aty ku mund të rremosh kah e kaluara e lavdishme islame

Më të lexuarat

Kur gjeografi Muhammad Ibn Ahmad Shams al-Din al-Muqaddasi vizitoi qytetin e Ramlës në rrugën midis Kajros dhe Damaskut në shekullin e dhjetë, ai e përshkroi atë si një parajsë urbane që rivalizonte qytetin e tij të lindjes, Jeruzalemin.

“Eshtë një qytet me shije dhe i ndërtuar mirë: uji është i mirë dhe i bollshëm, frutat janë të shumta”, shkroi al-Muqaddasi në librin e tij të famshëm të udhëtimeve. “Tregtia këtu është e zhvilluar dhe tregjet janë të shkëlqyer”.

Qyteti, caktuar si kryeqyteti i ri provincial i Palestinës në vitin 715, menjëherë pasi rajoni u vendos nën qeverisjen muslimane, krenohej me xhamitë e mëdha, ndërtesat administrative dhe vilat me kopshte, mozaikët dhe shatërvanët. Por, pjesa më e madhe e këtyre ndërtesave të hershme islame, u shkatërruar nga një valë tërmetesh në shekullin e 11-të, dhe qyteti, edhe pse u rindërtua pjesërisht, nuk e arriti kurrë prestigjin e mëparshëm.

“Tani nuk mund të shohësh gati asgjë nga këto”, thotë Gideon Avni, kreu i njësisë arkeologjike të Autoritetit izraelit të Antikiteteve. Sot, Ramla është një qytet i vogël izraelit populluar si nga hebrenjtë ashtu edhe nga arabët në afërsi të aeroportit Ben Gurion, rreth 25 kilometra në juglindje të Tel Avivit, që po përpiqet të hedhë pas reputacionin për kriminalitet dhe trafik droge.

Por, bota nëntokësore e cisternave të ujit plot zbukurime ofron një vështrim në të kaluarën e mrekullueshme të qytetit.

Hyrja kryesore drejt botës nëntokësore, ku arkeologët kanë gjetur katër cisterna të punuara artistikisht, ashtu sikundër edhe prova të mëtejshme sesi një kanal i furnizonte me ujë, gjendet thjesht në anë të një rruge kryesore në qendër të Ramlas.

Brenda një ndërtese të vogël, rrethuar nga blloqe banimi dhe një park, një palë shkallë prej guri të çojnë poshtë drejt një cisterne të bollshme, të mbushur me ujë. Tavani i saj mbështetet mbi shumë harqe me majë, që i kanë dhënë edhe emrin “Pellgu i Harqeve”. Hapje të vogla në tavan, si dhe llampat moderne të kuqe e jeshile, shpojnë errësirën, duke shfaqur mure të mbuluar me myshk dhe mbishkrime të gdhendura në arabisht që thonë se cisterna ishte porositur në vitin 789 nga kalifi Harun al Rashid, që sundonte rajonin nga Bagdati.

Një dok i vogël ofron varka me rrema për të eksploruar cisternën 1228–vjeçare. Ndërsa rremon në ujërat e rezervuarit, duke u përplasur me bazën e një numri të madh harqesh, mund të shohësh tavanin rreth 9 metër sipër kokës e që duket më i përshtatshëm për një katedrale apo pallat sesa për një depo uji.  

Arkeologët besojnë se kjo cisternë përbën përdorimin e parë të njohur në botën arabe të harkut me majë, që më pas u shndërrua në një karakteristikë përcaktuese të arkitekturës islame që mund të shihet gjerësisht në monumente të mirënjohura si pallati Alhambra në Granadë të Spanjës.

Këto harqe “çliruan arkitektët nga detyra e vështirë që të ngrinin strukturat e tyre dhe në të njëjtën kohë t’i bënin të bollshme në hapësirë dhe ajrim”, thotë Katia Cytryn-Silverman, pedagoge e arkeologjisë dhe studimeve për Lindjen e Mesme në universitetin e Jeruzalemit.

Përveçse i japin cisternës një ndjesi madhështie, harqet përfaqësojnë gjithashtu edhe shkrirjen kulturore që përcaktojnë Ramlën dhe perandorinë e hershme islame si një të tërë. Frymëzimi për harqet me majë është marrë nga perandoria perse, ndërsa ideja e një cisterne nëntokësore vjen nga sistemi i furnizimit me ujë, ndërtuar nga grekët, me harqe të kthyera në Kontandinopojë.

“Këtu është një nga pikat e takimit midis Lindjes dhe Perëndimit”, thotë Gideon Avni. Në fakt, kjo cisternë është tipike e Ramlas si udhëkryq për kulturën dhe tregtinë në kulmin e saj.

Kur provinca antike e Palestinës sundohej nga romakët dhe bizantinët, kryeqyteti i saj ishte Caesarea, qyteti-port që ishte ndërtuar nga Herodi i Madh në bregun e Mesdheut. Por, kur zona ra nën qeverisjen e perandorisë muslimane të dinastisë Umajad që po zgjeronte territorin në fillim të shekullit të tetë, kryeqyteti i ri u caktua Ramla, e cila ishte në një zonë të pazhvilluar me tokë ranore rreth 13 kilometra larg bregut. Vendndodhja u zgjodh për shkak se ishte përgjatë rrugës kryesore drejt Damaskut, qendrës së kalifatit Umajad, dhe ndoshta gjithashtu edhe për shkak të afërsisë me qytetin e krishterë Ludd, që refuzoi të jepte tokë për perandorinë  e re muslimane.

Sidoqë të jetë vendosur, për hakmarrje apo arsye objektive, kryeqyteti i ri gëzonte një pozicion strategjik.

Përgjatë viteve, arkeologët në Ramla kanë zbuluar me qindra monedha të lashta, me mbishkrime nga e gjitha bota islame, nga Algjeria deri në Uzbekistan, dëshmi sesa udhëkryq domethënës ishte dikur qyteti. Prova të tjera vënë në dukje një popullsi të përzier, muslimanë, të krishterë dhe hebrenj.

Kur dinastia abbaside mori kontrollin e perandorisë islame nga duart e dinastisë Umajad në vitin 750, edhe ata, po ashtu, vazhduan të zhvillojnë Ramlën. Pellgu i Harqeve, ndërtuar në vitin 789, ishte projekti i tyre më ambicioz – ai mbulon 400 metra katrorë dhe ushqehet nga një kanal, mbetjet e të cilit mund të shihen edhe sot jashtë qytetit. Hapja në tavanin e gurtë të cisternës lejonte banorët të tërhiqnin ujin me kova.

Por, pavarësisht ndërtimit solid, Pellgu i Harqeve doli nga përdorimi vetëm 150 vjet më pas, kur tërmeti dëmtoi kanalin që e furnizonte atë me ujë dhe një projekt rindërtimi e la cisternën jashtë kufijve të qytetit të ri. Cisterna mbeti e parregulluar, dhe për shekuj, u bë thjesht një vend ku mblidhej uji i shiut dhe ku ndalonin barinjtë për të marrë ujë për bagëtitë e tyre – banorët vendas e quajtën atë “Pellgu i dhive”.

Në vitin 1862, arkeologu francez, Melchior De Vogue zbuloi mbishkrimin e gdhendur dedikues, dhe madhësinë e vërtetë të cisternës që deri në atë kohë ishte mbushur me dhe.

Por cisterna mbeti më së shumti e fshehur deri në vitet 1960, kur bashkia e Ramlas e pastroi dhe nisi të lejonte vizitorët të rremonin me varka përqark. Burimi i ujit për pellgun e sotëm është një kanal që rrjedh mes shkëmbinjve e që mbledh ujin që vjen nga sistemi modern i furnizimit me ujë në qytet, më shumë sesa nga kanali i lashtë. Të paktën tre cisterna të tjera të ngjashme janë zbuluar në afërsi të Pellgut të Harqeve përgjatë viteve, mirëpo ato nuk janë të hapura për publikun për shkak të druajtjes për sigurinë dhe qëndrueshmërinë e strukturës.

Në ndryshim nga themelet e shumë ndërtesave të hershme islame të gjetura në nëntokën e Ramlës nga arkeologët, që shpesh duken si grumbuj gurësh për një sy të pastërvitur, Pellgu i Harqeve lejon vizitorët të ndjejnë të kaluarën e lavdishme të qytetit. Kalifi Harun al Rashid, i cili porositi cisternën, sundoi në moshën e Artë të Islamit, kur ekonomia, shkenca dhe kultura lulëzonin që nga cepi perëndimor i perandorisë në Spanjë e deri në të gjithë hapësirën deri në Azi.

Domethënia dhe arritjet e asaj periudhe bëhen mjaft të qarta ndërsa një varkë me rrema çan errësirën mes ujërave, nën harqe madhështorë, që qëndrojnë ende në këmbë pas 1200 vjetësh.

“Kjo është gati gjithçka ka mbetur”, thonë arkeologët në Ramla. “Dhe duhet të futesh nëntokë që ta zbulosh”.

Përgatiti: Juli Prifti- /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit