Manifestime solidarizimi me palestinezët në Gaza janë bërë në shumë vende, por diçka e tillë nuk është bërë në Kosovë. Përveç nëpër komentet e faqeve të rrjeteve sociale në internet, thirrjet kundër sulmeve izraelite kundër palestinezëve, nuk janë parë në rrugët dhe sheshet e qyteteve të Kosovës. Por, kjo gjendje mund të përmbyset së shpejti, në rast se realizohet ideja e aktivistit Fuad Ramiqi, i cili paralajmëron një iniciativë paqësore solidariteti me palestinezët.
“Personalisht, më herët kam marrë pjesë në një manifestim humaniteti gjatë dërgimit të anijeve me ndihma në Gaza, të cilat u sulmuan nga komandot izraelite. E ajo që duam të bëjmë, fundi i fundit është një model që të shprehet solidaritet kudo në botë nëse dikujt i bëhet ndonjë padrejtësi, gjithë edhe morale. Kjo praktikë duhet të krijohet edhe në Kosovë, sepse në Perëndim ekzistojnë organizata të fuqishme që e mbështesin popullin palestinez”, ka thënë Ramiqi, për “Tribuna Shqiptare”.
Ramiqi ka thënë se palestinezët vuajnë nga gjenocidi, vrasjet dhe dëbimi prej trojeve të veta, por atij i vjen keq që në Kosovë nuk ka manifestime në shenjë proteste apo solidarizimi me popullin palestinez. Sipas tij, kjo është si pasojë e vasalitetit që gjithnjë ka mbretëruar tek politikanët shqiptarë.
“Këta nuk kanë pasur koncept rreth identitetit të vet, dinjitetit dhe trashëgimisë të popullit dhe të shtetit. Këta janë të interesuar për veten dhe për grupet që përfaqësojnë. Këta harrojnë. Tash nuk janë ashtu siç e kanë paraqitë veten para të tjerëve në kohën kur popullit të Kosovës i është nevojitur ndihma e botës. Këta nuk janë në gjendje të bëjnë asgjë për tjetërkënd, përpos për veten”, ka thënë Ramiqi.