2.2 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Ramazani në një familje rome: Iftari sjell gëzim në shtëpinë tonë

Më të lexuarat

Muaji i shenjtë për muslimanët, muaji i agjërimit – Ramazani për besimtarët muslimanë paraqet gëzim të madh dhe kënaqësi. Cila është atmosfera e Ramazanit tek romët gjatë kohës së këtij muaji, cilat janë zakonet dhe traditat gjatë këtyre ditëve, në një bisedë për Anadolu Agency (AA) flet Fadil Xhemail nga lagjja rome e Shutkës në Shkup në të cilën shumica e popullatës janë romë.

Që në hyrje të lagjes fillon të ndihet atmosfera e Ramazanit, xhamitë janë të hapura ndërsa nga shtëpitë mund të dëgjohet muzikë shpirtërore. Më ndryshe nuk është as në shtëpinë e Fadilit i cili duke folur për traditën e Ramazanit tek romët thotë se ky muaj në lagjen e tyre është posaçërisht i bukur.

Ai thekson se me familjen e tij përpiqen që të jetojnë sipas parimeve islame dhe ti edukojë fëmijët në frymën islame. Fadil sqaron se gjatë muajit të agjërimit, më shumë është i përkushtuar në islamin, duke treguar se përderisa zgjat agjërimi ndryshon edhe mënyra e jetesës, më pak flihet, ndërsa besimtarët më shumë i përkushtohen fesë, duke u përpjekur njëkohësisht që ti përmbushin obligimet e përditshme por edhe të kënaqen në të gjitha bukuritë të cilat me vete i bart muaji i shenjtë i Ramazanit.

“Në muajin Ramazan solidariteti ndaj të tjerëve është më i madh. E dimë se ky është muaj kur solidarizohemi me të tjerët të cilët nuk kanë mjete të mjaftueshme që ti plotësojnë nevojat elementare njerëzore. Organizohen iftare nga ana e komunës, xhamisë por edhe ne organizojmë iftare për shkak se jemi të vetëdijshëm çfarë do të thotë të ushqehet agjëruesi. Ne i ftojmë të afërmit, miqtë dhe tregojmë vëmendje ndaj atyre që janë më të varfër dhe që kanë nevojë për ushqim. Gjithsesi, i ftojmë edhe fqinjët. Përderisa e dimë se dikush ka problem material, i ndihmojmë, me qëllim të mos ndihen në këtë muaj të madh të dëshpëruar”, thotë Fadil duke treguar për solidaritetin në muajin e agjërimit, e cila është një nga karakteristikat kryesore.

Veçanërisht është e bukur atmosfera e Ramazanit, e cila e zbukuron muzikën shpirtërore, mësimin e Kuranit por edhe tubimet familjare, thotë Fadil.

“Iftari është gëzim. Çdo ditë e presim ezanin nga xhamia, përderisa vjen koha e iftarit lëshojmë ilahi, lexojmë Kuran, me familjen tonë, dëgjojmë ligjërata dhe presim të dëgjojmë ezanin që është shenjë për të ngrënë. Atëherë me të vërtetë është gëzim. Jo për shkak të ushqimit por për sinqeritetin në atë që besojmë”, thotë Fadil.

Që të ndihet bukuria e Ramazanit është kënaqësi e cila nuk mund të përshkruhet me fjalë, thotë Emine, bashkëshortja e Fadilit.

Si burri i saj edhe ajo thotë se ata si familje përpiqen që ti respektojnë parimet islame. Edhe përskaj asaj që punon dhe është nënë e tre fëmijëve, për Eminen muaji i agjërimit nuk paraqet vështirësi, por bukuri për të cilën janë të vetëdijshëm vetëm ata që u përmbahen kritereve të përcaktuara të Ramazanit.

“Me padurim e presim muajin e Ramazanit. Unë me kënaqësi përgatis për familjen. Ne dëshirojmë më shumë xhella, përgatisim ushqime të ndryshme nga të cilat më shumë gulash dhe sarme por fëmijët më shumë duan ushqime të shpejta”, thotë Emine, duke treguar për tryezën e iftarit dhe ushqimet tradicionale tek romët gjatë kohës së agjërimit duke theksuar se kujdeset që tryeza të jetë e pasur me ushqime të llojllojshme por edhe të ketë më shumë mysafirë.

“Në muajin e Ramazanit i ftojmë mysafirët. Përgatis për 20-30 njerëz për shkak se paraqet kënaqësi të jemi bashkë me familjen dhe të afërmit”, tha Emine.

– Shoqërimet e Ramazanit e dekorojnë këtë muaj: Xhamitë janë të vogla për ti pranuar të gjithë besimtarët

Me qëllim që ta përjetojë atmosferën e Ramazanit në lagjen rome të Shutkës, Fadil u bashkohet shoqërimeve në xhamitë dhe jashtë tyre gjatë kohës së këtij muaji.

“Vijnë besimtarë nga xhamitë tjera, një numër i madh i besimtarëve vijnë dhe xhamitë janë të vogla që ti pranojnë të gjithë besimtarët. Ka shumë shoqërime. Më shumë shoqërohemi me miqtë tanë. Shkojmë në ëmbëltore, bisedojmë. Shoqërimi është segment shumë i rëndësishëm gjatë kohës së Ramazanit. Shoqërimi ynë nuk ka kufi, ndonjëherë harrohemi”, shprehet Fadil.

–  Atmosfera e Ramazanit dikur dhe sot

Duke shpjeguar mbi atmosferën e Ramazanit dikur dhe sot Fadil thotë se dallimi është i madh, për shkak se sipas tij, praktikimi i islamit tani është më tepër i theksuar për dallim nga e kaluara.

“Dallimi është shumë i madh. Pak e kemi praktikuar islamin, tani me ndërtimin e xhamive, me imamin tonë ndihen ndryshimet. Më herët jemi tubuar nëpër shtëpi, nuk kemi patur hapësirë ti kryejmë ritet fetare. Në lagjen tonë ndihen ndryshimet. E dini se ne romët jemi popull i hareshëm madje dhe dasma kemi bërë gjatë kohës së Ramazanit, ndërsa situata tani është më ndryshe”, vlerëson ai.

Zgjimi me daulle gjatë kohës së syfyrit (ngrënia para lindjes së diellit) është traditë e vjetër e Ramazanit edhe në lagjen rome të Shutkës, e cila i jep bukuri të veçantë traditës së pasur të Ramazanit.

“Ka një grup të njerëzve më të rinj të cilët vijnë me daulle dhe na zgjojnë. Pas disa ditëve pa gjumë e kemi pak sa më të vështirë, të rinjtë vijnë dhe e zgjojnë lagjen çdo mbrëmje para syfyrit, ndërsa ditën e fundit para Bajramit kalojnë gjatë ditës. Duke kaluar, njerëzit i shpërblejnë për mundin të cilin e kanë bërë për shkak se i kanë zgjuar besimtarët”, tha Fadil.

– Ramazani tek fëmijët sjell gëzim të veçantë

Fadil dhe Emine janë prindër të tre fëmijëve, 12-vjeçari Alem, 9-vjeçarja Alemka dhe 5-vjeçarja më e vogël Alemina. Edhe pse fëmijët e tyre janë të vegjël, megjithatë udhëhiqen nga bukuria e muajit të Ramazanit dhe gëzimin të cilin e sjell.

Madje, edhe ata përpiqen të agjërojnë me qëllim që ta ndiejnë domethënien e muajit të Ramazanit. “Prindërit e mi agjërojnë dhe unë dua të agjëroj. Nuk e kam vështirë, ditët e para janë më të vështira ndërsa më pas mësohem”, thotë Alemka.

Ndërsa vëllai i saj më i madh Alem thotë se ka filluar të agjërojë që nga mosha shtatë vjeçare. “Fillova të agjëroj nga mosha shtatë vjeçare. Bëhemi gati të shkojmë në mbrëmje në teravi, të dëgjojmë ligjërata, të shoqërohemi. Luaj më shokët para iftarit që koha të kalojë më shpejtë”, thotë Alem.

Pesë vjeçarja Alemina është anëtarja më e vogël në familjen Xhemail, e cila tregon se dëshiron të shkojë me nënën e saj në xhami dhe kënaqet ti “ndihmojë” nënës së saj derisa ajo e përgatit tryezën e iftarit. /AA/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit