1.6 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Ramazani Muaj i Bekuar

Më të lexuarat

Hytbe

Përgatiti: Bahri Curri

Të nderuar besimtarë!

Falënderimi i takon Allahut xh.sh., i Cili në Kur’an thotë:

“Unë nuk i krijova xhinët dhe njerëzit për tjetër pos që të më adhurojnë.” (Dharijatë, 56)

Andaj dhe muslimani duhet që tërë jetën t’ia kushtojë adhurimit të Allahut, sepse Ai po ashtu thotë:

“Dhe adhuroje Zotin tënd deri të vijë ty e vërteta (vdekja)!” (Hixhr, 99)

Për këtë disa nga selefët thanë: “Puna e muslimanit nuk ka kufi deri në vdekje”. Prandaj, muslimani duhet t’i kushtojë rëndësi kohërave të caktuara për ibadete, të cilat Allahu i ka dalluar dhe e shumëfishon shpërblimin në to.

Të nderuar besimtarë!

Një prej këtyre kohërave është edhe Muaji i Bekuar i Ramazanit në të cilin ka zbritur Kur’ani udhëzues për njerëzit. Është një muaj i madh, i bereqetshëm e fisnik. Është një mysafir i nderuar, andaj edhe duhet ta presim ashtu si e meriton. Ta presim me plot gëzim duke e falënderuar Allahun që na e mundësoi ta presim atë dhe ta shijojmë kënaqësinë e tij, ta lusim të na ndihmojë në dituri e vepra të mira dhe të na i pranojë ato. Pejgamberi a.s. e luste Allahun që t’ia mundësonte ta arrinte Ramazanin duke thënë në muajin rexheb:

“O Zot na begato në Rexheb e Shaban dhe na e mundëso ta arrijmë Ramazanin!” (Transmeton Taberani)

Të njëjtën gjë e vepronin edhe selefët (sahabët dhe pasuesit e tyre). Sulejmani r.a. thotë: Na fliste Pejgamberi a.s. në fund të Shabanit duke thënë:

“O njerëz! Iu është afruar një muaj i madh, i begatshëm. Një muaj në të cilin është Nata e Kadrit që është më e vlefshme se një mijë muaj. Agjërimin e ditëve të tij (Zoti) e bëri farz, faljen gjatë netëve të tij e bëri vullnetar.

Kush punon në të një të mirë ka shpërblimin sikur ta ketë kryer një farz jashtë Ramazanit. E kush e punon një farz në të ka shpërblimin sikur t’i ketë kryer 70 farze jashtë tij.

Është muaj i durimit, e shpërblimi i durimit është Xheneti. Është muaj i shpëtimit dhe ngushëllimit, muaj në të cilin shtohet rrizku.

Kush i jep iftar një agjëruesi do të jetë falje mëkatesh për të dhe shpëtim nga zjarri. Do ta ketë shpërblimin sa edhe vetë agjëruesi pa iu pakësuar shpërblimi i tij (agjëruesit). Thanë: O i Dërguar i Allahut, por nuk ka mundësi çdonjëri prej nesh të jap iftar për agjëruesin! Ai tha: Allahu e jep këtë shpërblim edhe nëse i jep agjëruesit të bëjë iftar qoftë edhe me një pikë qumësht, copë hurmeje apo ujë.

Kush i jep agjëruesit me pi, atij do t’ia mundësojë Allahu të pijë nga Havdi im që pas asaj pirjeje nuk do të ketë etje derisa të hyjë në Xhenet. Kush ia lehtëson (e liron) robit (shërbëtorit, punëtorit) të tij në të (Ramazan), Allahu do t’ia falë gjynahet dhe do ta shpëtojë nga zjarri i Xhehenemit deri sa të futet në Xhenet.

Është një muaj, i cili fillimi i tij është mëshirë, mesi i tij është falje dhe fundi i tij është shpëtim nga zjarri.

Punoni sa më shumë gjatë këtij muaji katër gjëra: Dy gjëra janë që me to e kënaqni Zotin tuaj, ndërsa dy të tjerat janë që ju keni shumë nevojë për to. Dy të parat janë: Shehadeti (La ilahe il-lall-llah Muhammedun resulull-llah) dhe istigfari (kërkimi i faljes), ndërsa dy të tjerat janë: Të kërkoni Xhenetin e Allahut dhe të kërkoni mbrojtjen e Allahut nga zjarri.” (Transmetojnë Ibën Huzejme dhe Bejhekiu)

Të nderuar besimtarë!

Sipas këtij hadithi kuptojmë se ky muaj ka shumë të mira dhe na nxitë të bëjmë sa më shumë ibadete: Namaze, bamirësi, agjërim, lexim Kur’ani, vizita, dhënie ushqimi, durim në ibadete, gjallërimi i ditës me agjërim ndërsa i natës me namaz, dua, lutje etj. Ta kërkojmë Natën e Kadrit, e cila është më e vlefshme se një mijë muaj. Andaj muslimani nuk bën ta kalojë kot këtë kohë dhe t’i ik ky rast kaq i mirë. Por duhet të shpejtojë me pendim dhe t’i përmbahet këtij Dini, e veçanërisht në Ramazan. Ngase në këtë muaj hapen dyert e Xhenetit, mbyllen dyert e Xhehenemit, prangosen shejtanët, zbresin të mirat e shumta nga Allahu. Pra, Ramazani është një muaj që vetë Allahu e ka madhëruar, prandaj madhërojeni edhe ju, është një mysafir i respektuar e fisnik andaj nderojeni atë!

Të nderuar besimtarë!

Pejgamberi a.s. angazhohej shumë gjatë këtij muaji duke i lënë anash punët tjera dhe duke iu përkushtuar ibadetit ndaj Zotit të vet. Edhe selefët vepruan një praktikë të tillë, Zuhriu thotë: “Kur vinte Ramazani, i tëri ishte lexim Kur’ani dhe dhënie ushqimi.” Ata pëlqenin ndejën në xhami dhe thoshin: “Po e ruajmë agjërimin tonë dhe nuk bëjmë gibet (shpifje e përgojim).” Kujdeseshin për namazin e teravive dhe nuk largoheshin derisa të përfundonte imami. Pejgamberi a.s. ka thënë:

“Kush falet gjatë Ramazanit me plotë besim dhe shpreson shpërblimin nga Allahu, do t’i falen mëkatet e mëhershme.” (Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi)

si dhe thotë:

“Kush falet me imamin derisa ai të përfundojë, do të shpërblehet sikur të jetë falur tërë natën.” (Transmetojnë autorët e Suneneve)

Agjërimi i Ramazanit është prej veprave më të dobishme dhe më me vlerë, është njëri prej pesë kushteve themelore të Islamit. Prej dobive të tij është arritja e devotshmërisë sikur thotë edhe Allahu:

“O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim sikur që ishte obligim edhe i atyre para jush, kështu që të bëheni të devotshëm.” (Bekare, 183)

Agjërimi i jep njeriut shumë të mira në Dynja dhe në Ahiret, Allahu thotë:

“Po që se e dini, agjërimi është më i mirë për ju.” (Bekare, 184)

E mëson njeriun të bëjë sabër, ngase përballet me lënien e ushqimit dhe kënaqësive me plotë vullnet e dëshirë. I ndihmon të dominojë mbi veten e tij dhe nuk e lejon të bie pre e epsheve dhe intrigave të ulëta. Ia ngushton dhe vështirëson qarkullimin e shejtanit nëpër trupin e njeriut, ngase siç e dimë ai qarkullon nëpër trup sikur gjaku nëpër vena, e me këtë ia vështirëson dhe pengon veprimin e shejtanit. Ia përmend agjëruesit që t’i kujtojë mirësitë e Allahut, sepse kur e përjeton etjen dhe urinë, atëherë ua di vlerën begative të Zotit të vet dhe falënderon për to. Ua përkujton njerëzve që duhet të kujdesen për gjendjen e fukarenjve dhe të nevojtarëve. I mëson të jenë të thjeshtë e modest e jokryelartë e mendjemëdhenj, i bën unik dhe të bashkuar, ngase agjërojnë dhe bëjnë iftar në të njëjtën kohë. Ua ruan shëndetin, ua lehtëson aktivitetin dhe shumë e shumë dobi tjera.

Të nderuar besimtarë!

Agjërimi po ashtu ka edhe rregulla të cilave duhet t’u përmbahet agjëruesi. Pikësëpari këtë ta bëjë vetëm për kënaqësinë e Allahut në pajtim me rregullat e Islamit. Nuk mjafton të largohet vetëm nga ushqimet, pijet dhe marrëdhëniet seksuale prej agimit deri në mbrëmje, por duhet të agjërojë duke u larguar edhe nga mëkatet, gënjeshtra, fjalët e këqija e banale, mashtrimet e betimet e rrejshme, sjelljet brutale e të pahijshme etj.

Po ashtu edhe pse agjëron nuk duhet tepruar me ushqim, sepse mund t’i sjell dëm organizmit të tij. Ngrënia e tepërt dëmton dhe të bën përtac. Duhet të ngutet iftari dhe të vonohet syfyri, në mënyrë që menjëherë pas syfyrit të pritet edhe koha e namazit të sabahut si dhe të mos fillohet me agjërim para kohe.

T’i kushtohet kujdes të gjitha llojeve të ibadetit gjatë tërë ditëve të Ramazanit e veçanërisht dhjetë ditëve të fundit, ngase Pejgamberi a.s. angazhohej në dhjetë ditët e fundit si asnjëherë më parë në ditët tjera. Që në këto dhjetë ditë të fundit përveç që gjendet Nata e Kadrit në to, por është edhe një ibadet tjetër madhështor që e praktikonte Pejgamberi a.s. – I’tikafi (qëndrimi dhe mbyllja në xhami për dhjetë ditë rresht).

Andaj, të nderuar besimtarë!

Ta respektojmë në maksimum këtë Muaj të Bekuar duke e kënaqur Allahun me ibadetet tona dhe të kënaqemi ne me mirësitë dhe shpërblimet e Allahut. Le të hetohet atmosfera e Ramazanit në shpirtrat tanë, shtëpitë tona, nëpër familje, shokë, miq e dashamirë, në shkollë, në punë, në treg, në rrugë e çdokund.

Në fund e lusim Allahun të na i pranojë veprat tona të mira dhe të na bashkojë me Pejgamberin a.s. në Xhenet! Aminë!

13.09.2012

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit