Lavdërimet dhe falënderimet i takojnë Allahut, i Cili na e ka përmbushur premtimin e Tij dhe na ka bërë trashëgimtarë të Tokës. Kështu, ne mund të banojmë në Xhenet ku të duam. Eh, sa shpërblim i shkëlqyer që është për të përkushtuarit dhe vepërmirët! Paqja, mëshira dhe bekimet qofshin mbi Muhamedin, prijësin e të devotshmëve, familjen dhe shokët e tij deri në Ditën e Gjykimit. Takua do të thotë “përkushtim i drejtë” përmes së cilës besimtari e synon frikë- respektin ndaj Allahut të Lartësuar, duke u vetëpërmbajtur prej gjynaheve dhe veprimeve të ulëta, të ndaluara nga Ai, dhe duke vepruar çdo të mirë, që Ai ka urdhëruar. Agjërimi është një ndër shtyllat baza të Islamit, për kryerjen e të cilit u urdhëruan besimtarët, ashtu siç qenë urdhëruar edhe popujt e mëhershëm: “…me qëllim që të mund të bëheni të devotshëm.” (Bekare, 183) Agjëruesi është i përkushtuar në garën e devotshmërisë, nëse rreh të përjetojë dhe shijojë gëzim dhe lumturi. Muslimanit i lumturohet shpirti sepse aktiviteti i tij do të jetë për të marrë një mbiemër cilësor, një shprehje të bukur artistike me karakteristika lavdërimi, epitetin “i devotshëm”. Është më se e natyrshme që njeriu ta shfaqë gëzimin në momente të veçanta. Disa u gëzohen çështjeve të kësaj bote të përkohshme, e disa kënaqen kur u jepet rasti për ta shpalosur adhurimin ndaj Allahut përmes asaj që Ai ka urdhëruar. Pa dyshim, besimtari i përkushtuar gëzohet kur mysafiri thërret dhe i troket në derë. Me nderimet më të larta, me shprehjet më të bukura, me zemërgjerësinë më të madhe dhe me respektin më të sinqertë i uron mirëseardhje. I Dërguari, sal-lallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Ju erdhi Ramazani, muaji i bekuar. Allahu jua ka obliguar agjërimin e tij. Në të hapen dyert e qiellit, mbyllen portat e Xhehenemit dhe prangosen shejtanët. Allahu në këtë muaj e ka (privilegjuar) një natë, që është më e mirë se një mijë muaj. Ai që privohet nga të mirat e kësaj nate, është privuar nga çdo e mirë.” (Shënon Nesaiu, sahih) Pse mos të gëzohet besimtari me muajin erëdhënës së bereqetit, dhuratave, namazit, durimit, faljes, pendimit, devotshmërisë, mëshirës, pastërtisë, bamirësisë, fitores dhe ngadhënjimit? Mirë se vjen, mysafir i nderuar! Inshallah edhe ne i gëzohemi Ramazanit, muajit më të vlefshëm. Mirë se vjen, pas një pritjeje të gjatë e të përmallshme! Mirë se vjen, mik përmallues! Zemrat tona do të kënaqen me erën tënde të këndshme. Me vizitën tënde do të pastrohemi nga gjynahet dhe do të na i mbulosh të metat tona. Allahu i Lartësuar thotë: “Thuaj: Me dhuntinë e Allahut dhe mëshirën e Tij – vetëm me këto le të gëzohen! Kjo është më e mirë se ajo që grumbullojnë.’’ (Junus,58) Agjërues i nderuar! Dymbëdhjetë muajt i shëmbëllejnë të bijve të Jakubit, alejhim selam: muaji Ramazan në mes muajve të tjerë është si Jusufi, alejhi selam, në mes vëllezërve të vet. Ashtu siç ishte Jusufi, alejhi selam, më i dashuri tek i ati, Jakubi, kështu muaji Ramazan është ndër muajt më të zgjedhur të Krijuesit. Jusufi, alejhi selam, ishte i sjellshëm dhe i mëshirshëm me vëllezërit. Edhe përkundër sjelljes së tyre të egër, ai me butësi dhe falje i mishëroi duke u thënë: “Sot s’ka qortim për ju; Allahu do t’ju falë. Ai është më i mëshirshmi i mëshiruesve!’’ (Jusuf, 92) Pikërisht kështu ky muaj do të jetë falje dhe mëshirë për besimtarët, prangosje për shejtanët. Gëzoju faljes së Allahut të Lartësuar. Gëzohu që Ai ta dha mundësinë e përmirësimit dhe pendimit. Gëzoju hapjes së portave të Xhenetit dhe mbylljes së atyre të Xhehenemit. Vëlla agjërues! Era e këndshme e Ramazanit po arrin. Ç’pret pra? Lidh kontratë (marrëveshje) për ripërtëritjen e imanit duke i pranuar porositë dhe mesazhet vijuese: Porosia e parë: Largohu nga bisedat dhe polemikat e panevojshme në shtëpi. Çdo paqartësi dhe problem mundohu ta evitosh para Ramazanit. Në shtëpinë tënde krijo atmosferë të qetë duke bërë vepra me të cilat është i kënaqur Allahu i Lartësuar. Shtëpia ku banon dhe mbrohesh është begati e Allahut dhuruar ty. I Plotfuqishmi thotë: “Allahu ju ka dhënë shtëpi për të banuar.” (Nahl, 80) Porosia e dytë: Ringjalle shpirtin, mendjen dhe trupin tënd me agjërim. Shpirtit tërhiqja vërejtjen për jetën e shkurtër, mendjen largoje nga epshet, kurse trupin përmbaje dhe kontrolloje nga ushqimet dhe pijet (e tepërta). Porosia e tretë: Mbaje gojën mbyllur dhe vetëpërmbahu nga fjalët e tepërta. Mendoje atë që thua. Allahu i Lartësuar thotë: “… për çdo fjalë që ai thotë, ka pranë vetes një mbikëqyrës të gatshëm (për ta shënuar atë).” (Kaf, 18) Allahu i Lartësuar t’i dhuroi dy sy e dy veshë, por vetëm një gjuhë, që të flasësh më pak. Porosia e katërt: Ripërtërije ndjenjën e kujdesit ndaj farefisit. Trego respekt dhe mirësi ndaj prindërve. Kujdesi ndaj tyre është detyrim. Allahu i Lartësuar thotë: “Ne e urdhëruam njeriun t’u bëjë mirë prindërve të vet.” (Ahkaf, 15) “Dhe frikësojuni Allahut, me emrin e të Cilit ju kërkoni të drejta të ndërsjella dhe ruani lidhjet farefisnore.” (Nisa, 1) Porosia e pestë: Largohu nga gjynahet. Mos e lejo veten të bëhesh pre e mëkateve. Largoju çdo rruge a rrugice që mund të të shpjerë në të keqen. Shpejto në pendim të sinqertë duke mos i kundërshtuar dhe tejkaluar kufijtë e Allahut të Lartësuar. “Këta janë kufijtë e Allahut, andaj mos i shkelni ata! Ata që shkelin kufijtë e Allahut, pikërisht ata janë keqbërësit.” (Bekare, 229) Agjërues i ndershëm! Në fund, e lus Allahun e Lartësuar, me emrat e Tij të bukur dhe cilësitë e Tij të larta, të na ndihmojë në përmendjen dhe falënderimin e Tij të sinqertë. Allahu im, na mundëso që në këtë muaj ta shijojmë kënaqësinë e adhurimit Tënd. Me admirim dhe kënaqësi shijojeni Ramazanin e erëzuar me mirësitë e Allahut drejt kopshteve të larta. “Ata nuk do ta dëgjojnë as zërin më të lehtë të tij (Xhehenemit) dhe do të banojnë ku ata të dëshirojnë. As tmerri më i egër e më i madh (në Ditën e Kiametit) nuk do t’i shqetësojë ata dhe melekët do t’i takojnë ata (me përshëndetjen): “Kjo është dita juaj e premtuar.” (Enbija, 102- 103)/Hoxhë Ulvi Fejzullahu