0.8 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Ramazani dhe i varfri

Më të lexuarat

Nga: Mr. Sabaudin Jashari

Ramazani dhe i varfri

 
Transmetohet se profeti i Allahut Jusufi (a.s) agjëronte shpesh. E pyetën se pse e bënte këtë ndërkohë që ishte mbreti de facto i Egjiptit dhe kishte gjithçka? Ai (a.s) u përgjigj: atë ditë që agjëroj ndjej therjen e etjes e të urisë dhe kështu më shkon mendja te vuajtja e fukarenjve e sakaq solidarizohem me ta. Atë ditë që ha e pi ndjej shijen e mirësive të Allahut e kështu e falënderoj Atë.
Një nga ndjenjat më të bukura që përjeton agjëruesi që në ditët e para të agjërimit të Ramazanit është ndjenja e varfërisë karshi Zotit të tij. Allahu i Urtë me urtësinë e Tij të plotë ka vendosur të mos përjashtojë nga ky adhurim askënd, as të varfrin e as të pasurin, as të fortin e as të dobëtin, as të moshuarin e as të riun, as të lartin e as të thjeshtin, as të diturin e as të paditurin. Të gjithë pa përjashtim e kanë më se të domosdoshme ta ndjejnë se sa nevojtarë janë për Zotin e gjithësisë. Ndërsa agjërimi bën të mundur që çdonjëri ta ndjejë këtë nevojë shumë të bukur nga pozita ku ndodhet.
I varfri, i dobëti, i moshuari, i thjeshti, i padituri etj…përmes agjërimit ndriçojnë edhe më shumë bindjen se e vetmja strehë plotësuese e mangësisë së tyre është i Madhi Allah. Ndërsa i pasuri, i forti, i riu, i larti i dituri edhe këta përmes agjërimit ndriçojnë akoma më shumë bindjen se i vetmi burim i mirësive të tyre është i Madhi Allah.
Pikërisht ky rezultat, ndriçimi i bindjes, që buron nga ndjenja e fukarallëkut karshi Allahut i mundëson besimtarit të vazhdojë rrugën e tij drejt Allahut të gjithësisë deri sa t’i vijë shpirti në fyt.
I varfri, i dobëti, i moshuari, … përmes ndjenjës shumë të ëmbël të nevojës dhe fukarallëkut karshi Allahut kapërcejnë me sukses barrierën e rrezikshme të pesimizmit dhe zemërimit ndaj kaderit të Allahut që shpesh zë rrugën e udhëtarit drejt kënaqësisë së të Madhit Zot.
I pasuri, i forti, i madhi, i larti, i dituri… edhe këta përmes ndjenjës shumë të ëmbël të nevojës dhe fukarallëkut karshi Allahut kapërcejnë me sukses barrierën e rrezikshme të vetëpëlqimit dhe atribuimit të suksesit vetes së tyre, që shpesh zë rrugën e udhëtarit drejt kënaqësisë së pafundme të Madhit Zot.
Përemri vetor vrasës
Është mirësi e të Madhit Zot që e ka nderuar njeriun duke e bërë pjesë relative të veprimit dhe realizimit të kaderit të Allahut në tokë. Megjithatë besimtari përmes dritës së dijes hyjnore, besimit dhe përvojës së marrëdhënieve me Zotin e Tij, e ka të lehtë të konstatojë dhe vërtetojë se njeriu thjesht mund të quhet: “Përdorues i kaderit të Zotit dhe marrës i shpërblimit të Tij”. Sakaq të atribuarit absolut e unit bie shumë ndesh me atë se çka është njeriu në realitet.
Suksesi dhe uni
Suksesi në çdo lloj fushe të jetës ka shije shumë të ëmbël. Allahu na bën me dije se e do të suksesshmin. Mirëpo pikërisht mu tek arritja e suksesit ndizet drita e kuqe e rrezikut të bashkëveprimit jo të drejtë të suksesit me unin. E nëse mekanizmi i ndjenjës së fukarallëkut karshi Allahut nuk funksionon ashtu siç duhet, si pasojë e bashkëveprimit jo të duhur të suksesit me unin mund të ndodh ndonjë qark i shkurtër që ndërpret dritën ndriçuese të rrugës drejt kënaqësisë së pafundme të Zotit.
Të suksesshmit e humbur
Shejtani hodhi hapin e parë drejt zemërimit të Allahut me unë: “Unë jam më i mirë se ai (njeriu). Mua më krijove prej zjarrit ndërsa atë prej dheut” Araf
Faraoni e bëri veten Zot me unë: “Unë jam zoti juaj më i lartë” Naziat
Karuni pretendoi se Zoti e kishte për detyrë t’ia jepte atë pasuri që ia kishte dhënë sepse Karuni e meritonte: “ Kjo pasuri më është dhënë sepse e meritoj” Kasas
Shumë të dijshëm i ka bërë dija e tyre të mendojnë se mund të mjaftohen vetëm me dritën e mendjes së tyre dhe se janë të panevojshëm për dritën e vazhdueshme të dijes së Zotit: “A nuk e shikon atë që për zot bëri egon e tij dhe e humbi Zoti edhe pse kishte dije” Xhathije
Të suksesshmit e etur dhe të uritur për kënaqësinë e Zotit.
Arritja e suksesit është shije shumë e ëmbël dhe kënaqësi e rrallë ndërsa ruajtja e tij është stres dhe lodhje.
T’ia atribuosh suksesin Allahut do të thotë ta garantosh atë si në aspektin e ruajtjes së atij niveli suksesi të arritur edhe në aspektin e zhvillimit dhe rritjes së tij. Atribuimi i suksesit ndaj Allahut jo vetëm që e shpëton nga barriera e vetëpëlqimit që e frenon njeriun nga vazhdimi i rrugës së suksesit, por njëkohësisht i hap suksesit horizonte të pafundme e për pasojë i mundëson motivim të pafundmë pavarësisht pengesave dhe sfidave që mund të hasi gjatë rrugës.
Kështu na i paraqet Allahu i Madhëruar të suksesshmit atribues ndaj Allahut. “Ata kur japin atë që japin zemrat e tyre dridhen nga fakti i kthimit te Zoti i tyre. Pikërisht këta janë ata që konkurrojnë në të mira dhe këta janë të parët në këtë konkurim” Muminun
Pra atribuesit e suksesit Zotit të gjithësisë gjithmonë janë të preokupuar me kënaqësinë e Zotit të tyre në rrugën e suksesit të tyre dhe asnjëherë nuk kënaqen me veten. Kjo ndjenjë jo vetëm që nuk i frenon por përkundrazi këta janë ata që nuk ndalen asnjëherë së vepruarit mirë dhe së korrurit sukses.
Ligji hyjnor i garancisë së suksesit
Allahu i Madhëruar urdhëron e thotë: “Zoti yt ka vendosur: nëse falënderoni do t’ua shtoj (mirësitë e Tij) e nëse mohoni dijeni se ndëshkimi im është shumë i ashpër” Ibrahim
Allahu i Madhëruar të gjithë i sprovon me sukses: “Dhe Ne ju dërgojmë të këqija e të mira për t’u sprovuar dhe tek Ne do të ktheheni” Enbija, por të vetmit që meritojnë begatinë e Allahut dhe pranimin e Tij ndaj suksesit të tyre, janë ata që falënderojnë Allahun dhe Atij ia atribuojnë suksesin. Në të njëjtën kohë, Ai u nuk premton pakësim apo kufizim të suksesit atyre që mohojnë dhe nuk ia atribuojnë Allahut suksesin e tyre, por premton ndëshkim të ashpër. Dmth se atribuesi absolut i unit mund të ketë shtim suksesi, madje për një kohë shumë të gjatë, por kurrë nuk mund të jetë sukses i atij lloji mbi të cilin lartësohet drejt kënaqësisë së Allahut. Pra sukses i vërtetë është ai, që mbi bazën e falënderimit, shton bindjen ndaj Zotit dhe afron tek kënaqësia e Tij.
Ibrahimi (a.s) na bën me dije se tregues themelor i njësimit (teuhidit) të Allahut është atribuimi i çdo suksesi Allahut të Madhëruar: “Të gjithë ata (idhujt) janë armiqtë e mi përveç Zotit të botëve i cili më ka krijuar dhe është Ai që më drejton, është Ai që më ushqen dhe më jep të pi, e kur sëmurem Ai më shëron, është Ai që më vdes dhe më ngjall dhe shpresoj që vetëm Ai të më fali mëkatin tim ditën e gjykimit. O Allah më jep dije e urtësi dhe më bashko me të mirët” Shuara
Jusufi (a.s) i suksesshëm që tashmë ishte mbret i Egjiptit ia atribuon suksesin e dynjasë dhe ahiretit plotësisht Allahut të Madhëruar, pavarësisht vuajtjeve dhe mundimeve që kishte hequr gjatë gjithë rrugës së suksesit të tij: “Prindërit e tij i vendosi në fron dhe ata i ranë në sexhde (përulje) e Jusufi i tha babait të tij: O baba ky është interpretimi i ëndrrës sime që Allahu e bëri realitet. Allahu është Ai që më nderoi duke më nxjerrë nga burgu, juve ju solli nga shkretëtira pas konfliktit djallëzor mes meje dhe vëllezërve të mi. Zoti im është i ditur dhe i gjithënjoftuar për çka do. Ai është i dituri dhe i urti. O Zoti im Ti më dhe pushtet, më mësove interpretimin e ëndrrave. Ti je krijuesi i qiejve dhe i tokës. Ti je Mbrojtësi im në dynja dhe ahiret, ma merr shpirtin si mysliman dhe më bashko më njerëzit e mirë” Jusuf
  Sulejmani (a.s) ashtu si vëllai i tij profet Jusufi (a.s) nuk vonohet së atribuari suksesin e tij tepër të veçantë, njohjen e gjuhës së milingonave dhe të gjithë krijesave të tjera, Allahut të Madhëruar. Madje edhe falënderimin e këtij suksesi dhe veprimin e punës së mirë Sulejmani ia kërkon Allahut. Po ashtu, si Jusufi edhe Sulejmani (a.s) i kërkojnë Allahut vulën e suksesit dhe kurorën e tij, bashkimin në xhenet me njerëzit e mirë: “ Ai, Sulejmani, qeshi nga fjala e saj, milingonës, dhe tha: o Allah më mundëso të falënderoj për mirësinë tënde me të cilën më ke begatuar mua dhe dy prindërit e mi dhe më mundëso të bëj atë punë të mirë që të kënaq Ty dhe më bashko me mëshirën tënde me njerëzit e mirë” Neml
Vjen begatia e përvitshme e Allahut të Madhëruar, ramazani, për të na çliruar nga robëria e unit dhe për të na zgjuar dhe na kujtuar se sa të nevojshëm dhe fukarenj jemi karshi Allahut, qoftë edhe për kafshatën e bukës dhe gllënjkën e ujit pa të cilat shqisat dhe gjymtyrët nuk funksionojnë në rregull. E sakaq na shkon mendja gjatë gjithë ditës së agjërimit e veçanërisht në çastet e iftarit te të gjithë ato begati të pafundme të Allahut ndaj nesh, të dukshme e të padukshme, të cilat asnjëherë nuk do t’i kishim të mundura pa lejen e të Madhit Zot.
 
 
 

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit