7.9 C
Pristina
Wednesday, November 20, 2024

Ramazani dhe copëza e mishit të Lukmanit (a.s)

Më të lexuarat

Nga: Mr. Sabaudin Jashari

Ramazani dhe copëza e mishit të Lukmanit (a.s)

Transmeton Imam Ahmedi (Allahu e mëshiroftë) në librin e tij “El-zuhd” se Lukmanit të urtë (a.s) i tha zotëriu i tij: There një dele dhe më sill pjesën më të mirë të saj. Lukmani i urtë i solli gjuhën e deles. I tha përsëri: There një tjetër dhe më sill pjesën më të keqe të saj. Lukmani i solli përsëri gjuhën e deles.
Njeriu dhe gjuha
Njeriu me gjuhën përmend Zotin e tij, me gjuhën lexon librin e Zotit të tij, më këtë gjuhë dëshmon  përkatësinë e tij, me këtë gjuhë bie në salavat dhe lutet për Profetin e tij, me këtë gjuhë urdhëron për mirë dhe ndalon nga e keqja, me këtë gjuhë komunikon me prindërit e tij, bashkëshorten e tij, me fëmijët e tij dhe me të gjithë njerëzit e tij të dashur, me këtë gjuhë promovon të drejtën dhe shpreh refuzimin e tij ndaj të kotës e të padrejtës, me këtë gjuhë shpreh ndjenjat dhe mendimet e tij, me këtë gjuhë përshkruan të shkuarën, të tashmen dhe planin për të ardhmen e tij, me këtë gjuhë përhap dijen dhe argumentin e saj, shpjegon të kotën dhe pavërtetësinë e saj, me këtë gjuhë bashkon të ndarët dhe afron të larguarit, me këtë gjuhë fton njerëzit në fenë e Zotit të tij, përshkruan përvojën e njerëzve të mirë me fenë e Zotit të gjithësisë, me këtë gjuhë shqipton emrin Zot, Profet, nënë e baba e me këtë gjuhë dëshmon edhe çelësin e xhenetit në çastet e vdekjes së tij dhe kalimit në botën e përtejme: esh’hedu en la ilahe ilallah ve esh’hedu ene Muhameden Resulullah.
Sakaq, a i shkon madhështisë së gjuhës të mbetet jashtë vëmendjes apo të abuzohet me të duke e përdorur në ato fusha që nuk i shkojnë madhështisë së saj?!
Ku qëndron gjuha?
Gjuha në Kuran dhe sunetin e Profetit (a.s) na paraqitet si dimensioni i katërt paralel me tre të tjerat, zemra, mendja dhe gjymtyrët, i devocionit dhe bindjes ndaj Zotit të gjithësisë. Vepra e gjuhës, deklarimi apo shqiptimi, është një nga tre komponentët bazë të besimit. Madje vepra e saj, deklarimi i besimit, është hapi i parë thelbësor drejt konkretizimit dhe jetësimit të besimit. Transmetohet se Ebu Talibi, xhaxhai i Profetit Muhamed (a.s), e besoi me zemër Zotin një dhe mesazhin e zbritur mbi Profetin Muhamed (a.s) por nuk e deklaroi me gjuhë e për këtë u privua nga mëshira e Zotit të gjithësisë.
Agjërimi dhe devotshmëria e gjuhës
Kurani me saktësinë e tij të plotë përmes objektivit që i ka vënë agjërimit përfshin të gjithë njeriun me të gjithë dimensionet e tij si, në rrafshin personal ashtu edhe në atë të jashtëm. Allahu i Madhëruar i drejtohet njeriut duke i thënë se ti o njeri duhet të synosh objektivin e agjërimit, devotshmërinë, me të gjithë qenien tënde pa përjashtuar asgjë nga vetja, gjithçka tënden duhet ta mobilizosh drejt këtij objektivi: “O ju që keni besuar ju është bërë detyrë agjërimi ashtu siç atyre para jush që të bëheni të devotshëm” Bekare
Numri shumës në të cilin është shprehur urdhri i agjërimit, ajkum-detyrë mbi ju,  por edhe objektivi i tij, tetekun- të jeni të devotshëm, nxjerr në pah, përfshirazi, efektin shoqëror të gjithë përbërësve të qenies e kryesisht të gjuhës. Sakaq edhe në këtë aspekt duhet të synohet objektivi i agjërimit, devotshmëria. Madje sfera kryesore ku gjuha shpreh devotshmërinë dhe korrektësinë e saj është sfera shoqërore.
Një copëz mishi mes dy nofullave? Jo.
Kur përmendet gjuha mendja fluturon menjëherë tek kjo copëz mishi mes dy nofullave që merr forma të ndryshme fizike dhe që na shërben materialisht për të përpunuar dhe përtypur ushqimin e lëngjet si dhe për t’i dhënë zërave formën e duhur për të nxjerrë shkronja dhe fjalë të caktuara. Deri këtu jemi në rregull në bazë vetëm të këndvështrimit materialist ndaj gjërave. Mirëpo bujaria e Zotit të Madh ka bërë që përmes besimit çdo pjesëz e njeriut, nën hijen e asaj për të cilën ekziston njeriu, të marrë një dimension vlere shumë të lavdishëm dhe një vlerësim shumë jetik.
Është shumë e mrekullueshme kur mendon se edhe qimja e flokut tënd të thinjur gëzon vëmendjen e Profetit Emin: “Mos i shkulni se ato janë bukuria e besimtarit Ditën e Kiametit dhe dëshmi për të për jetën e kaluar në besim”. Të njëjtën vëmendje gëzojnë edhe vetullat, dhëmbët, thonjtë, mjekra dhe mustaqet … madje dhe më të rëndomta se sa kaq… .
Edhe këto elementë të thjeshtë qenë pjesë përbërëse e njeriut mëkëmbës e adhurues të Zotit kur Zoti i Mençur i Gjithësisë njoftoi melaiket për krijimin e tij.
Stili i imponuar i jetës materialiste që jetojmë dhe i cili synon t’i thjeshtojë ekstremisht gjërat në atë se çka prekim e shohim, na bën shpesh, edhe ne që besojmë, t’i thjeshtojmë banalisht shumë gjëra në funksionin fizik dhe material të tyre.
Për shembull le të kufizohemi tek gjuha, në shumë raste na ndodh ta thjeshtojmë rolin e saj në të ngrënë, në të pirë e në të komunikuar apo biseduar me njëri-tjetrin. Për ta konstatuar këtë mjafton të vërejmë se si sillemi me gjuhën në rastin e dy sëmundjeve të saj: në rastin kur në gjuhën tonë del ndonjë puçërr dhe fillon të na bezdis nuk vonohemi së shkuari tek mjeku. Sa më e madhe të jetë kjo lloj sëmundje aq më i madh do të jetë interesimi dhe aq më i shpejtë do të jetë reagimi, pra vajtja tek mjeku. Po në rastin e sëmundjes së mëkatit të gjuhës a ndodh kështu?!
Profeti Muhamed (a.s) na mëson se Islami është i thjeshtë dhe jetik jo sepse i thjeshton gjërat por sepse din të shpjegojë thjeshtë rëndësinë e gjërave. Një herë Profeti (a.s) po i shpjegonte Muadhit (r.a) disa lloje të rëndësishme të punëve të mira. Në fund i tha: A do të tregoj për kryen e të  gjithë të mirave? Profeti (a.s) e nxori gjuhën dhe iu drejtua Muadhit (r.a): mbaje këtë. Mirëpo vendosja e çështjes së gjuhës në të njëjtin kontekst me namazin, zekatin, sadekanë … etj, e habiti Muadhin dhe e bëri që ta pyeste Profetin (a.s): “O Profeti i Zotit vallë a do të merremi në llogari për ato çka thonë gjuhët tona?! Profeti (a.s) e kuptoi se problemi i Muadhit qëndronte tek thjeshtimi i gjërave sakaq iu përgjigj: “O Muadh, nuk ka gjë më të rrezikshme që i hedh njerëzit me kokë në zjarr të xhehenemit se sa gjuhët e tyre”
Dimensioni i rrezikshëm shoqëror i gjuhës.
Dijetarët e parimeve të së drejtës islame pohojnë se “Detyrimet karshi Zotit janë të ngritura mbi bazën e faljes dhe tolerancës ndërsa detyrimet karshi njerëzve janë ngritur mbi bazën e rigorozitetit”. Që nga vlerësimi i madh që i bëhet gjuhës kuptohet se kjo vjen për shkak të efektit shumë të madh shoqëror që ka gjuha. Madje mund të themi se dy janë fushat kryesore ku shfaqet rëndësia e gjuhës tek kujtimi i Allahut dhe tek komunikimi me ambientin përreth.
Profeti (a.s) edhe fjalën më të thjeshtë të mirë e ka konsideruar sadeka, punë apo vepër të mirë që meriton shpërblim hyjnor. Ndërsa gibetin (përgojimin) Kurani e trajton si ngrënien e mishit të vëllait të vdekur. Pra ky efekt negativ i gjuhës na paraqitet në Kuran në nivelet më të ulëta të ligësisë. Madje aq i lig saqë vrasja e vëllait krahasuar me këtë efekt konsiderohet fisnikëri.
D.m.th, aq i rrezikshëm konsiderohet efekti i keqpërdorimit të gjuhës saqë mund të çojë në pasoja më të rrezikshme se sa vrasja. Vrasja që lë pas nder të ruajtur mund të pasohet me rregullim, ndërsa vrasja që lë pas nder të njollosur thuajse e bën të pamundur rregullimin dhe normalizimin e jetës.
Të afërmi e mi më kanë treguar se në një fshat afër fshatit tim të lindjes janë vrarë, mes dy fiseve, njëmbëdhjetë vetë për shkak të një shpifje të vockël. Ngjarja ishte shumë e thjeshtë. Një personi, hipur mbi kalë, i shpëton nga dora shkopi, me të cilin goditi kalin për të shpejtuar, dhe fluturimthi rra mbi dengun e barit që po e mbante një grua dhe që po kalonte aty pranë gjatë kohës që po shkëmbeheshin në rrugë. Kjo ngjarje u vëzhgua nga një gojëlig që ndodhi aty pranë dhe i cili menjëherë e fabrikoi shpifjen e tij dhe njoftoi bashkëshortin e kasaj gruaje. Të gjitha detajet që u transmetuan nga shpifësi rreth ngjarjes ishin të sakta veç njërës: “e bëri qëllimisht”. Vetëm një kundrinë, folje dhe ndajfolje bëri që brenda pak çastesh të shkojnë në varr njëmbëdhjetë xhenaze.
Disa Ensarë dhe Muhaxhirë qenë gati të kthehen në vëllavrasjen e xhahilijes (epoka para Islamit), për shkak të kujtimit dhe përmendjes së lavdive dhe triumfeve të vjetra ndaj njëri-tjetrit, nëse s’do kishte ndërhyrë shpejtë dhe urtë Profeti Muhamed (a.s)
Sa i mëshirshëm tregohet me ne Profeti (a.s) kur na thotë:”Një njeri mund të thotë një fjalë shumë të thjesht pa i kushtuar vëmendje, por që e kënaq Allahun, dhe për shkak të saj hyn në xhenet. Siç ndodh që një njeri të thotë, pa i kushtuar vëmendje, një fjalë shumë të thjeshtë, por që e zemëron Allahun, e për shkak të saj hyn në xhehenem”
Në kuadër të efektit të rrezikshëm shoqëror të gjuhës Islami na e paraqet veprën e gjuhës si treguesin dhe matësin kryesor të suksesit të marrëdhënieve shoqërore i cili përbën një nga dimensionet bosht të devotshmërisë ndaj Zotit.
Transmetohet se Profeti (a.s) u pyet për një grua që shquhej për adhurim ndaj Allahut, por kishte një të metë që konsistonte në përgojimin e komshinjve. Profeti (a.s) njoftoi se ajo është në zjarr. E pyetën gjithashtu edhe për një grua tjetër që nuk shquhej për shumë adhurime vullnetare por kishte një të mirë. Ajo nuk ishte vërejtur asnjëherë të përgojonte komshinjtë e saj. Profeti (a.s) njoftoi se ajo është në xhenet.
Gjuha moderator i personalitetit
Selefët e kanë kuptuar shumë mirë rolin e madh që luan gjuha në formësimin e personalitetit individual dhe shoqëror. Transmetohet se Imam Maliku kur hyri në Medine Munevere tha: “Kur erdha në Medine gjeta disa njerëz që nuk kishin të meta por filluan të merren me të metat e të tjerëve. Sakaq edhe të tjerët filluan të merren me të metat e tyre dhe kështu u bënë me të meta. Por gjeta edhe disa të tjerë që kishin shumë të meta por nuk merreshin me të metat e të tjerëve. Sakaq edhe të tjerët nuk u morën me të metat e tyre dhe kështu u harruan të metat e tyre”
Imam Shafiu në librin e tij “El-Divan”: “Nëse do të jetosh i mbrojtur nga e keqja, me mëkat të falur dhe me nder të ruajtur, gjuhën tënde mos e përdor në të metat e të tjerëve sepse ti je njeri dhe njerëzit kanë gjuhë”
Ndërsa një poet tjetër arab thotë: “Ruaju gjuhës tënde o njeri se ajo është nepërkë e të kafshon. Sa prej tyre që sot janë banorë në varreza dje ishin prej atyre që i kishte frikë çdo njeri”
Devotshmëria e gjuhës garanci e pranimit të agjërimit
Nga sa u përmend më sipër mund të hedhim dritë mbi shkakun se pse korrektësia e gjuhës është kusht i pranimit të sakrificës së agjërimit dhe shkakun se pse profeti Muhamed (a.s) e ngre devotshmërinë e gjuhës në lidhje me agjërimin, në të njëjtin nivel me besimin dhe hatrin e Zotit. Ai (a.s) ashtu siç shprehet për besimin dhe ihtisabin (hatrin e Allahut), si dy garantues të pranimit të agjërimit, shprehet edhe për devotshmërinë dhe korrektësinë e gjuhës. “ Kush agjëron ramazanin me besim dhe ihtisab i falen të gjitha mëkatet e kryera më parë” transmeton Imam Buhariu dhe Imam Muslimi, po ashtu shprehet dhe thotë: “ Kush nuk heq dorë nga gënjeshtra dhe puna e keqe le ta dijë se Allahu nuk ka nevojë për urinë dhe etjen e tij” Imam Buhariu
 
 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit