Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar sot për rritjen e çmimeve dhe për nivelin e rrogave në vend.
Rama nëpërmjet një përgjigje ndaj një qytetari në profilin e tij të Facebookut, ka thënë se rritja e çmimeve është një problem i përgjithshëm që nuk lidhet vetëm me vendin.
“Rritja e çmimeve është një problem i përgjithshëm sot, mjafton të shihni Kosovën për të mos shkuar me larg, ndërkohë që siç kam premtuar ne po mbajmë më shumë kosto për buxhetin, mburojën mbi çmimin e energjisë për konsumatorët familjarë e biznesin e vogël, që kudo ka kërcyer e po kërcen lart”, thuhet në përgjigjen e Ramës.
“Sa për rrogat ato janë rritur e do vazhdojnë të rriten, por rritja e rrogave nuk bëhet sipas dëshirës sonë, pasi unë i pari do doja t’i rrisja menjëherë të gjitha, por çdo rritje jashtë mundësive, do të thotë falimentim total në pak muaj si në kohën e Sudës, prandaj duhet punë e durim, për t’u ngjitur me këmbë në tokë s’ka asnjë rrugë tjetër të sigurt”, ka shtuar ai.
Shqipëria është duke parë një rritje të shpejtë të çmimeve në muajt e fundit e kryesuar nga rritja e çmimeve të karburanteve. Nafta së fundmi duket se po i afrohet nivelit të 200 lekë për litër.
Në disa pika të karburanteve në kryeqytet nafta shitet për 193 lekë, duke u shtrenjtuar me gati 8 lekë në raport me rritjen e fundit. Rritje ka pasur edhe për benzinën dhe gazin./Telegrafi/