Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se Shqipëria e ka të pamundur të përpunojë naftë pasi ajo që prodhohet aktualisht është shumë e rëndë dhe jo për përdorim.
Gjatë një takimi me dhomat e bizneseve, Rama zbuloi planet e qeverisë për të ndërtuar një rafineri të re të përpunimit të naftës, raporton Telegrafi Shqipëri.
“Zgjidhja që kërkojmë është ndërtimi i një rafinerie të re, problemi është ku ta gjesh naftën që do përpunosh. Kjo pastaj është gjeopolitikë. Jemi në proces, nëse arrijmë kontratat e duhura do kalojmë në nivel tjetër ku mund të flasim për çmim me konkurrencë”, tha kreu i qeverisë.
Në fund të vitit të kaluar para krizë së energjisë, rafineria e fundit e përpunimit të naftës në Shqipëri u çmontua dhe përfundoi për skrap.
Një bankë e nivelit të dytë e shiti rafinerinë e Ballshit për 9 milionë euro.
Fillimisht, banka e nivelit të dytë, mësohet se ka negociuar për ta shitur rafinerinë për 25 milionë euro, me qëllim që kompania blerëse ta rikthente atë në punë.
Për këtë qëllim u ngritën dy grupe me ekspertë vlerësues të rafinerisë së amortizuar. Grupet e ekspertit, në bazë të vlerësimit, arritën në përfundimin se për të rikthyer në punë rafinerinë, duheshin 30 deri në 50 milionë euro, një kosto kjo shumë e lartë.
Në këto kushte, banka vendosi t’ia shesë rafinerinë kompanisë Shijaku shpk për 9 milionë euro. Kompania Shijaku shpk ka bërë më pas çmontimin e rafinerisë së Ballshit, për ta çuar për skrap, sipas kontratës.
Privatizimi dhe menaxhimi i rafinerisë së Ballshit ka qenë për vite me radhë mollë sherri midis opozitës dhe mazhorancës. Raportime të shumta në media kanë folur për korrupsionin dhe keqmenaxhimin e një prej rafinerive më të mëdha në Ballkan e cila në fund u la në mëshirën e fatit. /Telegrafi/