1.4 C
Pristina
Friday, November 15, 2024

Rama: Nuk jam tradhtar, por nuk heq dorë nga “Ballkani i Hapur”

Më të lexuarat

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, përmes një shkrimi të gjatë në rrjete sociale shkroi për marrëdhëniet e krijuara me Kosovën dhe iu përgjigj komentuesve që një ditë më parë e quajtën “tradhëtar” kur ai postoi një fotografi me dy fitueset e medaljes së artë në Lojërat Olimpike “Tokio 2020” nga Kosova, Nora Gjakova dhe Distria Krasniqi.

“Biseda me vajzat e me trainerin dhe miqtë që i shoqëronin, ishte frymëzuese dhe me disa ide të bukura bashkëpunimi, që dakorduam t’i zhvillojmë së bashku. Kur kërkuan të dilnim edhe në fotografi, u thashë ‘Po unë jam tradhtar, s’dua t’ju hap telashe!’”, shkruan Rama.

Ai tha se “ushtria digjitale e kinse patriotëve matanë kufirit, që të sharat e mallkimet i kanë armët e tyre të luftës qorre të shqiptarit me shqiptarin dhe që s’po dinë hiç çka t’i bëjnë gomarit e po i bien samarit, u lëshua uturishëm në lumin e komenteve të postimit tim”, duke iu referuar komentuesve nga Kosova që e kritikuan Ramën për “afërsi me Serbinë “.

Rama u rikujtoi ndjekësve të tij se dhe atyre që e “gjetën tradhëtarin te ai” se ishte vetë ai që në mes të Beogradit foli me zë të lartë për njohjen e Kosovës nga Serbia dhe tha se “sikur të tërë ta mbronin njohjen e Kosovës në gjuhë të huaj të paktën siç e mbroj unë, kudo e kurdoherë, sot Kosova do të ishte shumë më e respektuar ndërkombëtarisht”.

Kryeministri i bëri shkak këto komente për të shkruar edhe për refuzimin e Kosovës që të jetë pjesë e iniciativës “Ballkani i Hapur”, që deri disa javë më parë njihej si mini-Shengeni Ballkanik, duke thënë se kjo retorikë nuk i shërben Kosovës dhe diplomacisë së saj.

“Ballkani i Hapur është jo vetëm rruga e të ardhmes për prosperitetin e kombit shqiptar, si komb europian që përkatësinë e vet e ka në Europën e Bashkuar, por është edhe një mundësi e re dhe e madhe më shumë, në rrugën drejt njohjes së Kosovës nga Serbia; sa për një nga shumë shembuj të dobisë së madhe të Ballkanit të Hapur, kush nuk do që ta kuptojë pse Ballkani i Hapur e heq më në fund kufirin mes Shqipërisë e Kosovës, le të më thotë pse nuk e kanë hequr dot deri më sot ata që e kanë premtuar me bujë dhe pse nuk e heq dot pa Ballkanin e Hapur atë kufi, asnjë prej atyre të cilëve “nuk u han luli” për aleatët e pazëvendësueshëm strategjikë të Kosovës e të Shqipërisë bashkë, që e mbështesin plotësisht nismën Open Balkan”, tha kryeministri.

Kryeministri përfundoi shkrimin e tij duke thënë se ai nuk do të heqë dorë nga kjo iniciativë dhe se ajo ka për qëllim paqen dhe prosperitin ekonomik e social.

“Kush në Kosovë mendon se duke më sharë e mallkuar mua e bën Kosovën më të fortë në luftën diplomatike për njohjen nga Serbia, pushka top le t’i bëhet, e ka të gjithë bekimin tim të nxjerrë krejt gjuhën jashtë. Por ama askush në Kosovë a në Shqipëri qoftë, të mos presë assesi që unë dhe shumica e re qeverisëse e Shqipërisë, të heqim dorë nga lufta diplomatike për paqe e prosperitet ekonomik e social në Ballkanin e Hapur – përfshirë edhe njohjen e Kosovës nga Serbia”, përfundon shkrimin kryeministri.

Në anën tjetër, këtë iniciativë deri tani e përkrahin vetëm Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut, ndërkohë që në javët e fundit që Shqipëria kishte nevojë për ndihmë për menaxhim të zjarreve që u përhapën në gjithë vendin, asnjë nga këto dy vende nuk i doli në ndihmë, edhe pse marrëveshja e vetme që firmosën tre liderët e shteteve kishte të bënte me mbrojtjen dhe shpëtimin në rastet katastrofat natyrore në Ballkanin Perëndimor.

Ideja e “mini-Shengenit” ballkanik, u prezantua në Novi Sad të Serbisë më 10 tetor të vitit 2019, nga liderët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

Kosova refuzon të jetë pjesë e kësaj iniciative dhe e ka quajtur të rrezikshme.

“Si Republikë e Kosovës, iniciativën e Novi Sadit, në ndërkohë të “mini-Shengenit”, e që nga dita e djeshme, e “Ballkanit të Hapur”, e konsiderojmë si të rrezikshme, sepse krijohet përshtypja se kemi alternativë ndaj rrugës sonë të përbashkët si rajon, drejt BE-së dhe përçimin e këtij mesazhi ne e konsiderojmë se është më i rrezikshëm sesa vonesat që mund të ndodhin ndërkohë, gjatë procesit tonë të integrimit”, kishte thënë ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla.

Kosova ishte zotuar se do t’i bashkohej“mini-Shengenit” në Marrëveshjen e Uashingtonit, të nënshkruar më 4 shtator 2020 në Shtëpinë e Bardhë nga ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në prani të ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

[email protected] (Gresa Kraja)

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit