Kryeministri Rama mbajti një fjalim gjatë punimeve të Kongresit Botëror të Naftës që nisi punimet këtë të hënë në Stamboll, Turqi.
Ky është momenti më i mirë për të investuar në industrinë e gazit në Shqipëri’, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama para drejtuesve të nivelit të lartë nga kompanitë lider në fushën e energjisë, gjatë punimeve të Kongresit Botëror të Naftës që nisi punimet këtë të hënë në Stamboll, Turqi.
Kryeministri Edi Rama shprehu besimin se Shqipëria mund të bëhet një front i ri i naftës. “Besoj vërtet se kemi çdo mundësi për t’a bërë këtë. Kemi një strategji të qartë, e ç’ka është më e rëndësishme, shumë rezerva gazi e nafte. Por për të arritur këtë na duhet të punojmë së bashku. Kjo është arsyeja se pse i jam mirënjohës presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan për mbështetjen e tij dhe bashkëpunimin e ngushtë me qeverinë turke”, deklaroi Rama.
Ne, vijoi kryeministri, kemi arritur të kuptojmë se jo vetëm duhet të forcojmë përpjekjet për më shumë efikasitet e diversifikim, por po ashtu, se duhet të veprojmë të gjithë së bashku.
Kësisoj , theksoi ai, bashkëpunimi qeveritar me shoqëritë tregtare të sektorit privat të interesuara të kryejnë biznes në vendin tonë, është shumë i rëndësishëm për të siguruar një rritje të qëndrueshme e të vijueshme të sektorit të naftës.
“Qeveria jonë e konsideron sektorin energjetik si sektor strategjik dhe fokusi kryesor është rritja e furnizimit për konsumatorin shqiptar dhe vijimi i përparimit drejt integrimit të tregut energjetik shqiptar në tregun rajonal të Ballkanit Perëndimor dhe më tej, në tregun evropian”, u shpreh kreu i qeverisë, Rama.
Industria e naftës, si një pjesë kryesore e sektorit energjetik në Shqipëri, tha ai, është shumë e rëndësishëm për shkak të një sërë faktorësh dhe është me shumë rëndësi fakti se Shqipëria gjendet në rrugëkryqin midis lindjes e perëndimit si një urë e vërtetë.
Për shkak të vendndodhjes sonë gjeografike, sipas Kryeministrit Rama, Shqipëria do të gjendet përgjatë një prej itinerareve më të rëndësishme të botës, që është TAP që do të fillojë furnizimin me gaz nga rajoni i Kaspikut në zemër të Evropës në 2019-ën.
Ai shprehu besimin se kemi arritur mjaft me synimin e krijimit të një agjende të mirëfilltë të zhvillimit të sektorit energjetik, të sigurisë energjetike e bashkëpunimit evropian për të pasur një portofol më divers e më të larmishëm të paketës energjetike.
“Ne jemi të ulur, apo gjendemi në një prej fushave të naftës më të mëdha on shore në Evropë me të paktën 220 milionë fuçi naftë të vërtetuara në rezerva nafte. Aktualisht në prodhimin e naftës krudo me rreth 1.1 milion tonë ose 6.5 milion fuçi në vit . Kemi pra një rritje të prodhimit të naftës, të blloqeve, të kapacitetit të rafinimit. Jemi në procesin e vijimit të skenarëve të privatizimit apo ristrukturimit të kompanisë shtetërore të Albpetrol”, informoi Kryeministri Rama investitorët e pranishëm në Kongres.
Duke e cilësuar të ardhmen e Shqipërisë si të shkëlqyer në zhvillimin e kësaj industrie, Rama tha se jemi mjaft të inkurajuar nga prania e SHELL-it dhe nga lajmi i fundit se janë zbuluar burime gazi në Shqipëria.
“E gjithë strategjia përqendrohet në përfundimin me sukses të TAP-it dhe pas përfundimit të tij, shpresojmë fort se do të kemi një mbështetje nga Bashkimi Evropian dhe do të zgjasim përmes degës Adriatiko-Joniane edhe një degë të dytë, që shpresojmë të jetë e suksesshme Shqipëri-Kosovë-Serbi”, deklaroi ai.
Sipas Kryeministrit Rama, ky është momenti më i mirë për të investuar në industrinë e gazit në Shqipëri. “Duhet të rrimë përkrah njëri-tjetrit dhe të planifikojmë një të ardhme më të mirë për popujt tanë dhe për shumë prej kompanive të pranishme këtu”, tha Kryeministri Rama.
Deri në datën 13 korrik, krerë shtetesh, drejtues të nivelit të lartë nga kompanitë lider në fushën e energjisë dhe më shumë se 50 ministra të energjisë do të jenë pjesë e këtij kongresi, tema e të cilit është “Ura për të Ardhmen e Energjisë tonë”.