Fatos Lubonja
Edi Rama po tregohet i palodhur për të bindur qytetarët se Teatri Kombëtar duhet prishur, duke risjellë nëpër media deklarime dhe argumente pro shembjes së tij, të lëshuara njëherë e një kohë nga persona të njohur publikë, qofshin këta të gjallë, qofshin edhe të vdekur. Kjo sprovë e tij nuk mund të mos më çonte në disa kujtime të njëherë e një kohe kur Edi Rama fliste ndryshe.
Po përdor fjalën “fliste” dhe jo “argumentonte” apo “mendonte”, pasi sot, që e njoh më mirë, them se ato që mund të quhen mendime të Ramës, kanë qenë dhe janë thjesht ide të huazuara sipas interesave të rastit mbi parimin “përdor dhe hidh”. Mendova, megjithatë, t’i risjell në kujtesë, jo për të shtyrë Edi Ramën të rimendojë, pasi mekanizmi i mashtrimit dhe vetëmashtrimit është instaluar tashmë në mënyrë të pakthyeshme në psikikën e tij, por për t’iu drejtuar atyre që ai u drejtohet sot, nëpërmjet vetë Edi Ramës kur pozonte si intelektual që kërkonte të vërtetën dhe përçmonte politikanët, të cilët kërkonin votën dhe intelektualët shërbëtorë të regjimit të vjetër e të ri. Për këtë do të sjell disa nga kujtimet e mia të atyre viteve me Edi Ramën, që lidhen me urbanistikën dhe arkitekturën e Tiranës.
Një ndër kujtimet e para është kur biznesmeni shqiptar me origjinë nga Maqedonia, Vehbi Velia, kërkoi të ndërtonte një kullë në qendër të Tiranës, në sheshin prapa monumentit të diktatorit Hoxha, midis Bankës dhe Muzeut Kombëtar. Ai e kishte blerë asokohe atë truall dhe filloi lobimin për ta ndërtuar kullën e tij. Në një moment të caktuar, mua dhe Edi Ramës na u kërkua nga njerëzit e tij të firmosnim një tip peticioni, të cilin, na u tha, e kishin firmosur shumë intelektualë të shquar, me në krye Ismail Kadarenë e Dritëro Agollin, me të cilët synonte t’i bindte autoritetet se ngritja e saj do të ishte një hap i madh përpara i Tiranës drejt modernizimit. Më kujtohet se e diskutuam firmosjen e këtij peticioni me Edi Ramën dhe argumenti ynë kryesor kundër, nga pikëpamja urbanistike – arkitektonike, ishte shprehja e habisë sesi mund të mendohet të ngrihet një kullë e tillë, që do të pengonte shikimin e malit të Dajtit e krejt kurorës së Tiranës. Sipas nesh, ndërtesat e larta do duhej të ngriheshin në periferi për të ruajtur edhe qendrën historike, edhe pamjen e kurorës. Kujtoj gjithashtu, se kemi folur me qesëndi për delirin e Vehbiut, i cili donte të përçudnonte qendrën, duke parashikuar madje edhe zhvendosjen nga pozicioni të Skënderbeut, si dhe për firmosësit e atij peticioni.
Një tjetër kujtim që dua të sjell është një bisedë që kam bërë me Edi Ramën, në kohën kur ky u bë ministër i Kulturës. Ishim në një sallë të katit të katërt të selisë së atëhershme (ishKomiteti Qendror), që shihte nga veriu. Nga dritaret e saj dukeshin dy kullat, e quajtura asokohe “të arabit”, kundër të cilave kishte folur e shkruar aq shumë Maks Velo, me argumentin se kishin masakruar perspektivën e bulevardit. Nuk më kujtohet nëse ishin mbaruar apo qenë në mbarim e sipër, por më kujtohet se Edi Rama më tha, duke bërë edhe gjestin me dorë, se ato duhet të priteshin, d.m.th. të mos kalonin lartësinë e ndërtesës së ish-Komitetit Qendror.
Jemi në kohën kur Rama emëroi si kryetar të Institutit të Monumenteve të Kulurës Artan Shkrelin, i cili kishte punuar e ishte specializuar në Itali për restaurim të monumenteve të kulturës. Në kohën kur ishim të tre miq e intelektualë pa pushtet, ky kishte botuar në revistën “Përpjekja” (anëtar i bordit të së cilës ishte edhe Edi Rama), një artikull të shkëlqyer, me bashkautor arkitektin Daniel Gjoni (edhe ky i thirrur më vonë nga Rama si bashkëpunëtor i tij i afërt në bashki), të titulluar “Tirana – ferri urban i fundshekullit XX”. Aty sintetizoheshin krejt kritikat që ndanim asokohe ndaj politikave të deriatëhershme urbane – arkitektonike që po sillnin shkatërrimin e Tiranës historike, të hapësirave publike etj. Mes të tjerave, Shkreli së bashku me Gjonin, shpreheshin edhe kundër ekspansionit horizontal dhe vertikal të Tiranës. Citonin edhe historianin, kritikun e arkitekturës e planifikimit urban, filozofin që është marrë me efektet e teknologjisë në jetën njerëzore, Lewis Mumford. Citimi i zgjedhur kishte të bënte, pikërisht me ekspansionin vertikal: “… fillimisht, ky ekspansion ndodhi në qytetet më të mëdha, por gabimet radikale që u bënë në periudhën e ideimit të gradaçielave, tani janë përhapur në të gjithë universin, pak nga përgjumja e organeve të kontrollit, dikur shumë të rrepta, pak nga kërkesat komerciale, pak nga dëshira për të ndjekur modën e pak nga dëshira e arkitektit për të përdorur teknologjitë e reja”.
Shkreli dhe Gjoni shkruanin asokohe: “Kombinimi i ekspansionit horizontal me atë vertikal po prodhon përfitimet maksimale në kurriz të një mjedisi të pafuqishëm për të rezistuar pa u degraduar, sikurse po ndodh realisht në Tiranë dhe qytetet e tjera shqiptare, dhe për më tepër do tentojë të ndodhë akoma më tragjikisht në të ardhmen”. (“Përpjekja” 10, maj-gusht 1997).
Aq radikal ishte Shkreli në bisedat tona për sa i përket ruajtjes së trashëgimisë dhe identitetit, sa ankohej me të madhe se pse hotel “Rogneri” (që, gjithsesi, u projektua me kujdesin që të mos kalonte lartësinë e ndërtesave të Kryeministrisë dhe ishKQ) u ndërtua me material të dobët (parafabrikate e suvatim), çka e bënte të mos rrinte mirë krahas ndërtesa përbri të ndërtuara me material shumë më të çmuar. E pra, mbi këto ide e lançoi Rama veten e tij si ministër Kulture e më pas si kryetar bashkie. Premtimit të tij urbanistik – arkitektonik ia vuri emrin “kthim në identitet”, që e filloi me restaurimin e ministrive, me kthimin e aksit të bulevardit dhe ndërtesave rreth e pranë tij (përfshirë edhe Teatrin) në monument kulture si dhe pastrimin e kioskave.
Mirëpo, s’kaloi shumë dhe Edi Rama ndërroi lëkurë. Një ditë të bukur na u paraqit me një projektide për shembjen e Teatrit Kombëtar dhe ndërtimin atje të një kulle, që do të mbante brenda edhe një teatër. E kishte harruar fare se kullat në qendër pengonin shikimin e kurorës së Tiranës dhe se Tirana historike duhej kthyer në identitet. Asokohe, në një debat të organizuar në sallën e Teatrit, i pati thuajse të gjithë kundër. Me sa kujtoj, bënte përjashtim drejtori apo ish-drejtori Xh. Ferri dhe dy ndërtues të interesuar për kullën që qëndruan në fund të sallës, por që kujtoj se u bënë shumë agresivë ndaj meje, kur u mbyll debati. Për ironi, nga sharjet e kërcënimet e dhunshme të këtyre miqve të rinj të Ramës, më larguan asokohe Artan Shkreli dhe Artan Lame, të cilët me hipën në makinën e tyre.
Vazhdimin e dinë të gjithë. Sot, malin e Dajtit dhe kurorën e Tiranës që donte të mbronte Rama intelektual, mund ta shohin vetëm pronarët e kullave që ka ngritur Rama politikan nga katet e tyre të larta. Ndërtesat historike, një listë të gjatë të të cilave e bëri Shkreli dhe Lame asokohe me synimin për t’u shpallur të mbrojtura, janë gllabëruar ose zhvleftësuar nga monstrat njerëzore dhe arkitektonike të Ramës.
Shkreli dhe Gjoni dolën profetikë me artikullin e tyre ku paralajmëronin se ekspansioni horizontal dhe vertikal do të zhvillohej edhe “më tragjikisht në të ardhmen”, por jo dhe aq për rolin e tyre në këtë tragjedi. Ndoshta, në atë kohë nuk e kanë menduar se do të bëheshin vetë protagonistë të parë të kësaj tragjedie, por më shumë gjasa ka që, ashtu si kapua i tyre, idetë e “Tirana – ferri urban i fundshekullit XX” t’i kishin edhe ata të huazuara sipas parimit “përdor dhe hidh”. Sot, së bashku me Ramën e asaj kohe, edhe Shkreli e Gjoni i asaj kohe kanë vdekur, por meqenëse Rama i sotëm po na sjell edhe argumente të të vdekurve, vlen që edhe argumentet e këtyre të vdekurve të publikohen sot si kundërpeshë ndaj të vdekurve që Rama po na i ringjall si mbështetës të shembjes së Teatrit. /Panorama/