Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama deklaroi se politika duhet t’i japë zgjidhje dy momenteve tepër të rëndësishme, që janë përmbyllja e reformës zgjedhore para 24 majit dhe zgjedhja e një presidenti konsensual.
Pas takimit të zhvilluar me kreun e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, Rama akuzoi sërish Kryeministrin Berisha se po bën shurdhin dhe se kërkon një president që të jetë në shërbim të tij.
“Ne duam një president që duhet të jetë mishërimi i unitetit të kombit në këtë periudhë historike, kur shqiptarët kanë nevojë të shkojnë përpara së bashku. Ne duam një President edhe për integrimin e Shqipërisë”, tha Rama, në prononcimin e shkurtër për media pas takimit.
Nga ana e tij, kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule theksoi se konsensusi duhet të jetë në qendër të zgjedhjes së kreut të ri të vendit, ndërsa u shpreh se Reforma Zgjedhore duhet mbyllur brenda afatit.
Dule vleresoi se forca e tij mbeshtet Fatos Nanon, si një kandidature që plotëson kushtet për të qenë një President konsensual./tch/kohaislame