6.8 C
Pristina
Saturday, April 20, 2024

PDIU: Tensionet ndëretnike, tendencë antishqiptare

Më të lexuarat

Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka shprehur sot shqetësimin në lidhje me zhvillimet e fundit në rajon, ku tensionet ndëretnike po tregojnë një tendencë antishqiptare, si në Maqedoni, Luginën e Preshevës dhe Mal të Zi. “Sjellja brutale e autoriteteve maqedonase ndaj shqiptarëve të arrestuar për çështjen e Smilkovcit tregon qartazi prapavijën politike që qeveria Gruevski tenton t`I japi vrasjes së pesë të rinjve maqedonas përpara pak javësh. Aq më tepër, dënimi i protestave demokratike të shqiptarëve për të ndaluar incidentet e montuara nga autoritetet maqedonase tregon se qeveria Gruevski nuk po vepron në të mirë të Maqedonisë, por vetëm në të mirë të etnisë maqedonase” thekson PDIU-ja.

Sipas PDIU-së, qeveria Gruevski po tenton që të mbulojë dështimin e radhës për integrimin e Maqedonisë në NATO gjatë Samitit të Çikagos, duke shfryrë urrejtje ndaj shqiptarëve. “Partitë politike në Maqedoni duhet të kenë një zë unik në këtë drejtim dhe të lënë mënjanë gjatë kësaj periudhe tendencat e tyre për lojra mikropolitike. Çdo cënim i të drejtave dhe imazhit të shqiptarëve në Maqedoni do të thotë, as më pak e as më shumë, një rrezik për vetë ekzistencën e shtetit maqedonas. Këtë rrezik që vjen nga qeveria Gruevski, kombi shqiptar nuk duhet dhe nuk mund ta lejojë të jetë në dëm të interesave tona kombëtare. Ndaj, duhet që edhe diplomacia e Tiranës dhe Prishtinës të ketë një zë për të zbutur këto tensione” thekson më tej PDIU-ja.
Ndërsa i është referuar ngjarjes në Tuz të Malit të Zi, ku për motive etnike janë dhunuar një grup nxënësish shqiptarë, PDIU shton se bashkohet me thirrjen e shqiptarëve të Malit të Zi për të vendosur qartësisht të drejtat e shqiptarëve në Tuz, duke krijuar Komunën e Tuzit, ku shqiptarët do të mund të vetëadministrojnë territorin e Malësisë brenda shtetit të Malit të Zi. “Mosdhënia e të drejtave që ju takojnë shqiptarëve po prodhon tensione të panevojshme dhe të dëmshme për mbarë rajonin” thekson PDIU.
Kjo forcë politike i bën thirrje qeverisë së Shqipërisë, qeverisë së Kosovës dhe të gjitha forcave politike që përfaqësojnë shqiptarët në Ballkan që të jenë të kujdesshëm ndaj rritjes së nacionalizmit sllav në Ballkan. “Sot, më shumë se kurrë, duhet të kemi një zë” përfundon PDIU. /BS/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit