3.4 C
Pristina
Saturday, November 16, 2024

Rama: Ballkani i Hapur mjet për zbatimin e Procesit të Berlinit

Më të lexuarat

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nga Austria ka deklaruar se nisma rajonale ‘Ballkani i Hapur’ është një mjet i menduar për të zbatuar Procesin e Berlinit.

I ftuar në Forumin Evropian “Wachau” për temën “Ruajtja e së ardhmes së Evropës dhe zgjerimi i Bashkimit Evropian”, Rama ka thënë se në vend që të presin dritën jeshile nga BE-ja, shtetet e rajonit kanë menduar të bashkëpunojmë.

“Ne mund të rrimë duke pritur Godonë, ose të lëvizim për të ri ngjallur shpirtin evropian në rajonin tonë”, është shprehur ai.

Sipas tij, nëse shtetet e Ballkanit nuk përpiqen të normalizojnë marrëdhëniet, e kaluara tragjike mund të rikthehet.

“Jemi shumë të mirë për të bërë gjëra të tmerrshme. Duhet që bashkëpunimi të jetë norma dhe që lëvizja e njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit të jetë mënyra sesi ne jetojmë. Ne duam ta zbatojmë Procesin e Berlinit dhe për këtë kemi ndërtuar një mjet për ta zbatuar, Ballkanin e Hapur”, ka shtuar tutje kryeministri shqiptar.

Rama ka folur edhe për Samitin e BE-së me liderët e Ballkanit Perëndimor, duke kritikuar BE-në pasi të enjten nuk u votua për çeljen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, pas vetos së Bullgarisë.

Ai ka thënë se Ballkani ka nevojë për BE-në, aq sa ka nevojë BE-ja për të dhe ka shtuar se ndihet i keqardhur për Bashkimin Evropian, pasi në një situatë kaq të nxehtë në Evropë, mes të një lufte, Bullgaria merr “peng” dy vende të NATO-s.

“Ky është vendi i përsosur për të diskutuar, disa prej shkallëve shkojnë lart e disa zbresin poshtë, ne jemi në mes. Disa njerëz e kuptojnë mirë, disa të tjerë kanë nevojë për shtysë që ta kuptojnë, sot BE-ja ka nevojë për Ballkanin po aq sa Ballkani ka nevojë për ne. Nga ana tjetër duhet të them se nuk është ide e mirë që të ftosh dikë nga Ballkani dhe ta lësh të ulet sepse mund të kërkojë vërtetë shumë kohë që të dëgjosh fjalën e tij. Ndaj, urime të gjithë atyre që patën idenë që unë të qëndroj në këmbë në mënyrë që trupi im t’i ndalë vrullin gojës sime”, ka deklaruar mes tjerash Rama. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit