Lideri i Listës Serbe, i cili mban edhe postin e ministrit të Pushtetit Lokal në Republikën e Kosovës, Goran Rakiq, ka thënë se zgjidhja e situatës së krijuar në veri të Kosovës, duhet kërkuar në Bruksel dhe se ajo, sipas tij, nuk ndodhet në veri të vendit.
“Sot jam në Jarinë dhe kam folur me njerëzit që janë këtu. U kam thënë të jenë të durueshëm, të mos bien në provokime dhe se u tregova që momentalisht në Bruksel, ndodhen ekipet teknike të bisedimeve z. Gjuriq dhe z. Bislimi me ndërmjetësimin e BE-së, ku shpresoj që do të gjejnë një zgjidhje për tejkaluar këtë situatë që të gjithë kemi lirinë e lëvizjes”, ka thënë ai në një adresim para mediave, të cilave u është drejtuar pas një kohe të qëndrimit bashkë me qytetarët protestues serb që ndodhen në afërsi të kufirit të Jarines, transmeton Kallxo.com.
Ai ka thënë se nga bisedimet që sot po vijojnë në Bruksel, pret që të ketë një kompromis, të qëndrueshëm që, sipas tij, nënkupton respektim të asaj çfarë është nënshkruar më parë në Bruksel.
“Zgjidhja për këtë problem nuk është këtu, është në tavolinën e bisedimeve në Bruksel dhe pres që të gjitha palët ta zbatojnë atë për çfarë janë marr vesh dhe çfarë kanë nënshkruar. Çelësi i suksesit dhe i zgjidhjes së problemit është në Bruksel”, tha ai.
I pyetur nëse mund të komentoj informacionet mediatike se forcat e ushtrisë së Serbisë, tashmë janë tërhequr nga pozicionet që kishin zënë buzë kufirit me Kosovën, ai ka konsideruar se kjo nuk është pyetje për të.
“Nuk kam ndonjë informacion për këtë dhe kjo nuk është një pyetje për mua”, ka thënë Rakiq.