4.7 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Racistët, partia e tretë më e madhe në Gjermani

Më të lexuarat

E themeluar në vitin 2013 si reagim ndaj krizës ekonomike në Bashkimin Evropian (BE), në programin e parë partiak AfD kundërshtoi valutën e përbashkët në BE, euro

BERLIN (AA) – Partia anti-islame dhe djathtiste ekstreme në Gjermani, Alternativa për Gjermaninë (AfD), vazhdoi ngritjen e saj, duke hyrë në Kuvendin Federal me numër të konsiderueshëm deputetësh në zgjedhjet e përgjithshme, shkruan Anadolu Agency (AA).

E themeluar në vitin 2013 si reagim ndaj krizës ekonomike në Bashkimin Evropian (BE), në programin e parë partiak AfD kundërshtoi valutën e përbashkët në BE, euro, dhe paketat e daljes nga kriza ekonomike për shtetet e përfshira nga kriza e borxheve, duke kërkuar shpërbërjen e Eurozonës.

AfD, e cila me këtë program garoi në zgjedhjet e shtatorit të vitit 2013, arriti të sigurojë mbi dy milionë vota, megjithatë, me 4.7 për qind, ajo nuk arriti të kalojë pragun prej 5 për qind për të hyrë në Kuvendin Federal.

Ndërkaq, partia arriti të sigurojë shtatë deputetë në zgjedhjet për Parlamentin Evropian në vitin 2014, duke kapur potencial të rëndësishëm votash në vend.

Në të njëjtin vit, partia e djathtë ekstreme tërhoqi vëmendjen me 10 për qind të votave në zgjedhjet parlamentare shtetërore në Brandenburg, Thüringen dhe Saksonia. Ajo filloi të nxjerrë në plan të parë krizën e refugjatëve, ndërsa pas sulmeve terroriste në Francë, politika ksenofobe dhe anti-islame.

AfD më pas filloi të hyjë edhe në kuvendet shtetërore, si në Hamgurg dhe Bremen, kurse në vitin 2015, kryetari themelues i partisë Bernd Lücke, i cili kërkonte t’u jepet rëndësi temave ekonomike, u ndie i shqetësuar nga retorika e djathtë ekstreme dhe u largua nga partia.

Në këtë mënyrë, ai kuadër partiak që përdorte retorikë të djathtë esktreme, të kryesuar nga Alexander Gauland dhe Bernd Höcke, filluan të kenë ndikim në parti.

Megjithëse sipas anketave popullariteti i partisë u zvogëlua deri në 3 për qind pas këtyre zhvillimeve, thellimi i krizës së refugjatëve në gjysmën e dytë të vitit dhe hapja e dyerve për refugjatët nga ana e Gjermanisë në muajin shtator, bëri që AfD të intensifikojë retorikën raciste.

AfD, e cila fitoi interesimin e atyre që reagonin ndaj partive aktuale dhe e cila mori mbështetjen edhe të PEGIDA-s, hyri në kuvende edhe në zgjedhjet e tjera shtetërore që pasuan.

AfD ka deputetë në gjithsej 13 kuvende shtetërore. Ajo ka siguruar 24.3 për qind të votave në Saksonia-Anhalt dhe 20.8 për qind në Mecklenburg-Vorpommern.

Pasi një nga bashkëkryetarët, Frauke Petry, mbeti i neutralizuar për shkak të mosmarrëveshjeve të brendshme në vitin 2017, krahu i djathtë i formuar nga dyshja Höcke-Gauland dhe Alice Weidel dhe Jörg Meuthen mori kontrollin e plotë të partisë.

Në zgjedhjet federale të së dielës, AfD mori 12.6 për qind apo 5 milionë e 877 mijë vota, duke siguruar 94 deputetë në Kuvendin Federal.

Retorika ksenofobe dhe anti-islame në programin partiak

AfD, e cila në programin partiak i dha hapësirë retorikës anti-islame dhe vazhdoi me politikë provokuese kundrejt muslimanëve dhe migrantëve, thekson se Islami nuk ka vend në Gjermani, se nuk duhet lejuar ndërtimi i xhamive me minare dhe leximi i ezanit dhe që shoqatave muslimane të mos u jepet e drejta e personit juridik.

Ajo kërkon ndaljen e fluksit të refugjatëve dhe që BE t’ua kthejë kompetencat shteteve anëtare.

Në programin e partisë po ashtu gjendet edhe kundërshtimi i anëtarësimit të Turqisë në BE.

Profili i elektoratit

AfD posedon masë të konsiderueshme simpatizantësh, të cilët në të kaluarën kanë votuar partitë e djathta dhe kanë përvetësuar retorikat raciste të partisë.

Grupi më i madh prapa partisë përbëhet nga persona që kanë reaguar ndaj politikave të partive aktuale dhe kanë protestuar kundër tyre.

Në grup tjetër që ka votuar për partinë janë ata të cilët janë ndikuar nga globalizimi dhe persona në shtetet lindore të Gjermanisë të cilët janë ndjerë të përjashtuar ekonomikisht.

Afër 1.4 milion votues të cilët më parë nuk kanë votuar në zgjedhjet e përgjithshme, supozohet të kenë votuar për AfD.

Sipas anketave, AfD ka marrë vota edhe nga parti të tjera, gjegjësisht një milionë nga partitë CDU/CSU, 500 mijë nga Partia Social Demokrate (SPD) dhe 400 mijë nga Partia e Majtë.

Numër të madh të votave partia ka siguruar veçanërisht nga shtetet lindore të vendit.

Retorika raciste e udhëheqësve

Para zgjedhjeve të përgjithshme, udhëheqësit e partisë treguan se votën kërkojnë votën e së djathtës ekstreme përmes retorikës raciste.

Alexander Gauland, zëvendëskyretar i partisë, përdori retorikë raciste kundrejt ministres përgjegjëse për Integrim, Aydan Özoğuz, ndërsa pas zgjedhjeve, ai tha se “Do ta dëbojmë Merkelin. Do ta kthejmë vendin tonë”.

Ndërkaq, për futbollistin gjerman të Bajern Mynihut, Jerome Boateng, Gauland është shprehur: “Njerëzit e konsiderojnë si futbollist të mirë, por nuk e duan një Boateng si fqinj”.

Ai po ashtu ka thënë se “Nëse francezët dhe gjermanët krenohen me perandorin e tyre ose kryeministrin Winston Churchill, edhe ne kemi të drejtë të krenohemi me sukseset e ushtarëve gjermanë në dy luftërat botërore”, duke nxitur reagime për lëvdata për regjimin nazist në Luftën e Dytë Botërore.

Nga ana tjetër, bashkëkryetarja e partisë, Frauke Petry, kishte bërë thirrje për përdorim armësh ndaj refugjatëve në kufi. “Në gjendje të vështirë, policia le të përdorë armë kundër refugjatëve. Është i logjikshëm armatimi i policëve në kufi dhe nëse është nevoja, përdorimi i këtyre armëve për paralajmërim, plagosje, ose në fund vrasje”, ka thënë ajo, duke kundërshtuar multikulturalizmin e vendit.

Edhe Björn Höcke, kryetari i partisë për shtetin Thüringen, e ka cilësuar si “përmendore e turpit” përmendoren e Holokaustit në Berlin, duke nxitur po ashtu reagime.

Krahas muslimanëve, AfD ka pikëpamje negative edhe për hebrenjtë, ndërkohë që kurreshtja mbetet në atë nëse partia do të vazhdojë të përdorë retorikën e njëjtë edhe në kuvend.

Plasaritje e madhe në AfD

Në ndërkohë, në parti kanë filluar të shfaqen plasaritje.

Bashkëkryetarja Petry bëri të ditur se nuk do të marrë pjesë në grupin parlamentar të partisë, për shkak të mendimeve të ndryshme me kryesinë e partisë.

Në opinionin gjerman janë përhapur komente se Petry do të largohet nga partia dhe do ta ndajë partinë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit