0.7 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

Qytetet e mëdha shkaktojnë stres

Më të lexuarat

Më shumë zhurmë, më shumë plehra dhe njerëz me shumicë – jeta në qytetet e mëdha është stresuese. Se çfarë do të thotë kjo për shëndetin përpiqen ta hulumtojnë ekspertë të degës së re të “neuro-urbanizmit”.
Perspektiva për një punë më të mirë, të ardhura më të larta, kulturë dhe stil jetese urban tërheq gjithnjë e më shumë njerëz në qytete: nëse 60 vjet më parë më pak se një e treta e popullsisë së botës jetonte në qytete, sot jeton atje më shumë se gjysma. Deri në 2050 rreth 70 për qind e njerëzve në glob do të jetojnë në zonat urbane, vlerësojnë ekspertët.
Me rritjen e numrit të banorëve të qyteteve, rritet në të gjithë botën edhe numri i sëmundjeve psiqike, paralajmëron Andreas Meyer-Lindenberg, drejtor i institutit për shëndet mendor në Mannheim: “Vetëm depresionet u kushtojnë njerëzve në Evropë çdo vit rreth 120 miliardë euro. Nëse merren së bashku kostot e të gjitha sëmundjeve psiqike, përfshirë këtu demencën, frikën patologjike dhe psikozat, shuma tejkalon buxhetin e mekanizmit evropian të stabilitetit. Shpeshtësia dhe forma e rëndë e sëmundjeve vazhdojnë të neglizhohen.”
Jeta në qytet shpesh të sëmur dhe të bën të vetmuar
Gjithmonë problem me kohën.
Në 2003 psikiatër britanikë publikuan një studim për gjendjen psiqike të banorëve të lagjes Camberwell në Londër, një zonë e cila ka përjetuar një rritje të fortë që prej mesit të viteve 1960. Mes viteve 1965 dhe 1997 numri i pacientëve me skizofreni thuajse është dyfishuar ndërkohë që numri i popullsisë nuk është rritur në të njëjtën masë. Në Gjermani mes 2000 dhe 2010 është dyfishuar numri i ditëve të mungesës për sëmundje për shkak të problemeve psiqike. Në Amerikën Veriore sipas vlerësimeve të kohëve të fundit rreth 40 për qind e mungesave të të punësuarve për shkak sëmundje lidhen me depresionet.
“Në qytete mund të ndodhë që nuk i njeh fqinjët, që mbështetja sociale e cila ekzistonte ndoshta në qytezë apo fshat, nuk është më e mundur, që njeriu bëhet gjithnjë e më i vetmuar, ndihet i përjashtuar në aspektin social dhe i mungon rrjeti që siguron mbështetje.” Disavantazhet e jetës në qytet janë të njohura, mendon Andreas Heinz, drejtor i Klinikës për Psikiatri dhe Psikoterapi në spitalin Charité në Berlin.
Por studime solide për ndikimin e qytetit në trurin e njeriut deri tani thuajse nuk ka. Nga modelet e kafshëve dihet megjithatë se izolimi social ndryshon sistemin e përçuesve në tru: “Në parim mendohet se hormoni serotoninë është një lëndë vendimtare përçuese për të zbutur situata kërcënuese. Nëse kafshët izolohen herët në aspektin social, vihet re një rënie masive e serotoninës. Kjo do të thotë se rajonet e trurit të cilat reagojnë ndaj ngacmimeve kërcënuese reagojnë më fort. Përjashtimi social apo mbështetje e munguar sociale mund të bëjnë që njeriu të reagojë shumë fort ndaj situatave të stresit apo shumë situatave të tjera, të cilat nuk janë kaq kërcënuese, por thjesh perceptohen më fort. Kjo mund të ketë si pasojë që njeriu të zhvillojë sëmundje të frikës patologjike apo edhe depresione.”
Jeta në qytet ndryshon trurin
Stres edhe në trafik.
Një nga studimet e para me njerëz duket se i konfirmon këto dyshime: në tomografët e rezonancës manjetike Andreas Meyer-Lindenberg dhe ekipi i tij, studiuan trurin e njerëzve të cilët janë rritur në qytete dhe të njerëzve të cilët ishin transferuar në qytet në moshë të rritur. Ndërkohë që personat e testuar duhet të zgjidhnin probleme të thjeshta llogaritjeje, studiuesit i vendosnin nën trysni të vazhdueshme me feedback social negativ. Ata ankoheshin për shembull se personat e testuar i bënin llogaritjet shumë ngadalë ose gabim, ose që vepronin shumë më keq se persona që e kishin bërë testin më parë.
“Në vrojtuam zonat e trurit që janë aktive kur njeriu është i stresuar dhe që kanë zhvillim të ndryshëm në varësi të përvojës urbane të njerëzve.” Veçanërisht Amygdala reagonte ndaj stresit social dhe aq më shumë sa më e fortë të ishte përvoja urbane e personave në test. “Ky rajon i trurit është gjithnjë aktiv kur percepton diçka si kërcënuese. Ai mund të shkaktojë reagime kundërpëgjigjëse agresive dhe luan rol në krijimin e patologjive të frikës”, shpjegon Meyer-Lindenberg. Veç kësaj, kush është rritur në qytet shfaq në gjendje stresi aktivitet të ngjashëm në rajone të caktuara të trurit si njerëzit, që për shkak të predispozitës gjenetike, janë më të rrezikuar nga skizofrenia.
Kërkimet studimore të trurit ofrojnë të dhëna për planifikimin e qyteteve
Kudo në botë qytetet rriten dhe ndryshojnë në masë të madhe. Por askush nuk ka të dhëna domethënëse se si duhet të jenë qytetet ideale, nëse merret parasysh edhe shëndeti mendor i banorëve të tyre, thotë Meyer-Lindenberg. Studiuesit përpiqen tani të marrin njohuri konkrete se si pasqyrohen në tru aspekte të ndryshme të jetës së përditshme urbane: a shkaktojnë banesat e vogal stres apo vetëm atëherë kur edhe rrugët janë shumë të ngushta? A ka efekt qetësues të shohësh një pemë, apo mjafton të kesh të park pranë? A ka një shëtitje në gjelbërim një efekt të matshëm në tru?
Arkitektët duhet të rimendojnë
Për arkitektët dhe përgjegjësit për planifikimin e qyteteve, njohuritë nga studimi i trurit mund të jenë një ndihmë e vlefshme në vendimmarrje, mendon Richard Burdett, profesor për studimin e qyteteve në “London School of Economics”. “Ata që merren me planifikimin e qyteteve në të ardhmen duhet të kenë parasysh ekuilibrin mes nevojës për të organizuar shumë njerëz në një hapësirë të kufizuar dhe nevojës për të pasur hapësira të hapura. Njerëzit duhet të kenë akses në kinema, të takohen me miqtë apo të shëtisin buzë lumit. Aspekte të tilla shpesh nuk merren parasysh kur planifikohen qytete të reja, për shembull në Kinë apo Indonezi. Arkitektët kujdesën për përmasat dhe formën dhe specialistët e urbanistikës për eficiencën e transportit urban. Por shpesh nuk e kemi aspak idenë se çfarë efekti kanë ato tek njerëzit.”

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit