3.1 C
Pristina
Wednesday, December 18, 2024

Qytetërimi evropian është në rënie të lirë

Më të lexuarat

Nga: Lee Cohen / The Daily Telegraph

Sipas kritikëve të presidentit të sapozgjedhur, ditë të errëta po vijnë me rikthimin e Donald Trumpit në skenën botërore. Nuk mund të qëndroj indiferent. Në fakt, Trump 2.0 mund të jetë katalizatori i nevojshëm për të zgjuar jo vetëm Amerikën, por edhe Mbretërinë e Bashkuar dhe Evropën nga trajektoret e tyre shkatërrimtare.

Zgjedhja e Trumpit ishte një refuzim i plotë i publikut ndaj perceptimeve të gabuara elitare në Amerikë. Ndërkohë, të “përmbyturit” – Holivudi dhe The New York Times që kërcasin gishtat dhe fajësojnë racizmin e mizogjininë për fitoren historike të tij – duket se janë të pavetëdijshëm për një krizë të vërtetë që po ndodh në Perëndim. E pllakosur nga migracioni masiv, kalbja ekonomike, trazirat politike dhe një krizë ekzistenciale e identitetit, Evropa është një qytetërim në rënie të lirë. Vizioni ambicioz i Trumpit – me fokusin e tij te forca, sovraniteti dhe dinamizmi ekonomik – mund të jetë shpresa më e mirë dhe e fundit e Perëndimit.

Krahaso Amerikën tani me Britaninë, ku qeveria laburiste e Keir Starmerit përfaqëson gjithçka që nuk funksionon në qeverisjen në stilin evropian. Starmeri ka përqafuar një përzierje shkatërrimtare të ekonomisë socialiste dhe të politikës së jashtme të paqësimit. Vendimi i tij për të dorëzuar Ishujt Çagos – një lëvizje që tradhton sovranitetin britanik dhe i shërben interesave të rivalëve gjeopolitikë – është i pabesueshëm: i dobët, shkurtpamës dhe servil ndaj ortodoksisë së ashtuquajtur “ligj ndërkombëtar.” Britania nuk është më një shembull i forcës, por një paralajmërim se çfarë ndodh kur një komb sakrifikon interesat e veta për të kënaqur elitat ndërkombëtare.

Problemet që pllakosin Evropën, në përgjithësi janë të thella dhe trajektorja e kontinentit duket gjithnjë e më e zymtë. Migracioni masiv, ashtu si në Amerikën e Bidenit, është një forcë paralizuese që gërryen kohezionin shoqëror dhe mbingarkon shërbimet publike. Evropa po përballet me një krizë ekonomike që kufizohet me katastrofën.

Kjo është një rënie e projektuar – një kontinent që ofron veten në altar të iluzioneve ideologjike. Burokracitë e centralizuara imponojnë rregullore shkatërruese, politikat monetare frenojnë rritjen dhe modeli ekonomik korporativ i BE-së pasuron elitat duke varfëruar industrinë. Rezultati? Produktiviteti dhe rritja mbeten pas Shteteve të Bashkuara, duke e bërë Evropën një rast të zymtë mbi atë se si nuk duhet të qeverisësh.

Peizazhi politik është po aq i zymtë. Kolapsi i qeverisë franceze këtë javë është vetëm episodi më i fundit në një dramë të gjatë të mosfunksionimit. Emmanuel Macroni, me gjithë pretendimet e tij për të qenë shpëtimtari reformist i Evropës, është reduktuar në një president pa fuqi, i penguar nga një Parlament i përçarë dhe armiqësor. Gjermania, dikur fuqia ekonomike e BE-së, ndodhet në një bllokim të ngjashëm, duke shkuar drejt zgjedhjeve të parakohshme, ndërsa ekonomia e saj goditet nga politikat e gjymta energjetike. Në një kohë kur udhëheqja e fortë është dëshpërimisht e nevojshme, elitat evropiane po merren me politikë komitetesh dhe sinjalizime virtytesh, të pavetëdijshme për retë e stuhisë që po grumbullohen në horizont.

Këtu hyn Trump 2.0, antiteza e rënies së menaxhuar të Evropës. Vizioni i tij i guximshëm dhe pa pardon për Amerikën është një sfidë e drejtpërdrejtë për mendësinë e gabuar dhe vetëkënaqësinë e liderëve të Evropës. Ata e shohin guximin e tij si kërcënim, kur në fakt është pikërisht ajo që Perëndimi ka nevojë – një president amerikan me sens të përbashkët që nuk ka frikë të përballet me të vërtetat e pakëndshme dhe të veprojë me vendosmëri në skenën botërore.

Analizoni qasjen e Trumpit ndaj NATO-s. Ndryshe nga liderët e paaftë të Evropës, të cilët e trajtojnë aleancën si një udhëtim falas mbi kurrizin e Amerikës, Trumpi kërkon përgjegjshmëri. Duke insistuar që shtetet anëtare të paguajnë hisen e vet, ai jo vetëm që forcon NATO-n, por ekspozon hipokrizinë e evropianëve që predikojnë “vlera të përbashkëta” ndërsa shmangin përgjegjësitë.

Në çështjen e energjisë, kontrasti është po aq i mprehtë. Ndërsa Mbretëria e Bashkuar dhe pjesa më e madhe e Evropës gjymton veten me dogmën e net zero [për ambientin dhe ndryshimet klimatike], Trumpi po premton të çlirojë sektorin energjetik të Amerikës, duke synuar të sigurojë si stabilitetin ekonomik ashtu edhe autonominë strategjike. Politikat e tij, të bazuara në pragmatizëm, e dinë se pavarësia energjetike është e arritshme pa sakrifikuar rritjen apo sigurinë. Kriza energjetike e Evropës nuk është aksident; është rezultat i drejtpërdrejtë i liderëve që vendosin ideologjinë e gjelbër mbi sensin e përbashkët.

Të fajësosh Trumpin për problemet e Evropës, siç bëjnë dhe do të bëjnë disa, është të mos e kuptosh thelbin fare. Nëse ditët e errëta janë përpara, ato nuk janë rezultat i ngritjes së Trumpit, por kulminim i dështimeve të vetë Evropës – refuzimi për të trajtuar migracionin masiv, politikat e saj ekonomike vetëvrasëse dhe mungesa e dëshirës për të mbrojtur sovranitetin kombëtar. Kthimi i Trumpit nuk është kërcënim, por mundësi – një shans për Evropën që të ndryshojë kursin dhe të përqafojë një drejtim të guximshëm të ri.

Zgjedhja përpara Evropës është e qartë: të vazhdojë rrugën drejt rrënimit ose të ndjekë drejtimin e Trumpit dhe të rimarrë fatin e vet. Vizioni i tij, me theks te forca, vetëpërcaktimi dhe realizmi i patundur, ofron një mundësi shpëtimi për një kontinent në buzë të greminës. Nëse Evropa do ta kapë apo do ta shpërdorojë atë, kjo do të përcaktojë të ardhmen e Perëndimit.

Kthimi i Trumpit nuk është një arsye për dëshpërim, por një thirrje për veprim – një kujtesë se Perëndimi ende ka një mundësi për të rimarrë madhështinë e vet, vetëm nëse ka guximin të veprojë. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit