Me këtë gjendje përballen çdo ditë banorët e Hanit të Elezit, shkaku i pluhurit që shkakton fabrika e betonit “SharrCem”.
Dhe telashet që po ua shkakton ky pluhur nuk janë risi, pasi që ka disa vite që kjo kompani e ushtron punën e saj pa asnjë pengesë, raporton KTV.
Filtrat që ka vendosur kjo kompani për të ndalur përhapjen e pluhurit nuk po japin rezultate. Banorët po ndihen të rrezikuar nga gjendja e tillë, e cila siç thonë ata, po ua rrezikon jetën.
E si pasojë e pluhurit të krijuar, banorët vështirë që kanë mundësi edhe të qëndrojnë në ambient të jashtëm.
Në anën tjetër, kryetari i Hanit të Elezit, Rufki Suma, tha se autoritetet lokale tashmë janë ankuar në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, për të marrë masa ndaj kompanisë “SharrCem”, por kjo e fundit ende nuk ka vepruar në drejtim të kësaj çështjeje.
Meqë pluhuri në Han të Elezit tash e disa vjet paraqet problem të madh në aspektin e mjedisit, banorët kaherë kanë filluar të përdorin shprehjen ‘qyteti me mantel gri’.