Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha të mërkurën se prej datës 3 qershor, të gjithë qytetarët e Bosnje e Hercegovinës do të mund të vaksinohen falas kundër koronavirusit në territorin e Serbisë.
“Ata do të mund të vaksinohen plotësisht falas dhe të marrin certifikatën, sikurse qytetarët e Serbisë”, tha Vuçiq pas takimit me një delegacion të Republikës Sërpska në Beograd.
Ai tha se qytetarët e Bosnjës do të mund të vaksinohen në cilindo qytet të Serbisë.
Vuçiq tha se ka pritur vaksinim më të madh të qytetarëve të Serbisë, porse edhe norma aktuale është e kënaqshme.
Në Bosnje e Hercegovinë, mbi 91,000 qytetarë janë vaksinuar me një dozë të vaksinës kundër koronavirusit, ndërsa mbi 31,000 i kanë marrë të dyja dozat.
Qeveria e Serbisë i ka dhuruar Sarajevës 20,000 doza, ndërsa donacione ka dërguar edhe në Republikën Sërpska.
Serbia i ka dhuruar vaksina edhe Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi.