Nga Ardiana Shala Prishtina
Si parathanje:
Fëmija: e masnesër kena me shku…
Baba: pasnesër. pasnesër kena me shku…
Fëmija: pasnesër kena me shku…; po njejt asht. masnesër. pasnesër.
Baba: pasnesër duhet. jo masnesër.
Fëmija: (tue folë vetmevete e tue e shtramu krytë herë kah nji vesh, herë kah tjetri) masnesër. pasnesër. masanej; pasanej. (tani tue i drejtue babës me vetull të çume nalt e sytë e hapun; shum serioz): e bab’ pse nuk thojna pasanej?
Më kujtohet klasa e pestë në shkollë fillore. Klasa jonë, për fat të mirë tonin, u konsiderojke klasë problematike. Nji arsimtare e gjuhës shqipe, të cilës mjerisht ia kam harru emnin, por nuk kam me ia harru kurrë fëtyrën e amël, na pranoi si klasë të veten. Më duket që as nuk e pyetën, na dhanë në dorë të saj sikur me dashtë me e dënu se dyqysh ajo i turpnojke mësimdhanësit e tjerë që s’i vijke marre me folë gegnisht në orë të mësimit. Kur na kapke shurra në mes të orës, e na si qytetarë që ishim nuk dijshim a me thanë «a ban me shku në ‘toalet’ a në ‘wc’? », ajo na thojke: nuk e di çka asht as njona as tjetra, nëse don me shku në nevojëtore, çu e shko.
Kjo fjalë prej gojës të saj, në orë të mësimit, tue qenë se mësuesët i shifshim me admirim si autoritet të dijes (bile edhe kur nuk nuk na dojshin), për mu ka qenë po aq e fuqishme sa ka qenë revolucioni francez për rendin e ri botnor. Me shku në nevojëtore nuk ish ma kërkesë për çlirim prej shurrës a kakës, ish çlirim prej komplekseve snobiste të nji sistemi që kish pasë ba be dikun përmes gjuhës me na zhveshë prej çdo aspekti të mendimit të lirë. Nji sistemi që mbi robnimin e mendimit tonë të lirë, na mësojke përmes gjuhës që prindërit tanë ishin katunarë, e që me qenë katunar në vetvete ishte krim që s’falet, e ishin të mosditun e të prapambetun (ishin pra katunarë), sepse mutin e bajshin në nevojëtore e jo në «wc» ose «toalet». Për fatin e keq tonin, kjo arsimtare nuk e di a nejti nja gjashtë muej me ne, sepse e pensionunë.
Klasa jonë mbet pa kujdestarë për disa javë, sepse atë kohë, sikur sot, mësimdhanësit zgjedhshin nxanësit. Pas saj si kujdestare na erdh nji tjetër që gjithashtu folke gegnisht pa fije kompleksi. Ndoshta menojshin që po na dënojnë me kujdestarë që folin gegnisht. Kujdestarja jonë e re, tue qenë se ish arsimtare e edukatës fizike, si duket nuk vujke prej komplekseve gjuhësore, sepse bazën e komunikimit e shihke përmes sportit, por ndoshta edhe tue qenë nji prej pak grave në këtë lami, betejat e tabuve i kish thy si grue në përzgjedhje të profesionit e kjo gjuhësorja ish ba tash dytësore për me ia nxanë për të madhe najkush.
Sidoqoftë, për landën e gjuhës shqipe na erdh nji idiot, që krejt orët e gjuhës dhe letërsisë i ka kalu tue na shti me recitu, jo me recitu, por me piskatë vjersha, tue u ulë në bankë e tue na hangër farrat që i blejshim te Cubi. Udhëzimet natyrisht në «standard». Nji herë të vetme nuk e mbaj në mend që kena diskutu për përmbajtjen e atyne vjershave, përveç definicioneve hazër: «autori me këtë deshi të thotë këtë e atë… », të cilat u detyrojshim me i recitu njajtë si vjershat, tue u gërvallë.
E mbaj në mend, që pas pushimeve verore së paku nji javë rresht na fëmija nuk folshim për kurrgjo tjetër mes vete pos qysh i kena kalu pushimet verore. Jena konë te dajtë, aty këtu najnji ish konë në deti, ose në Ulqin ose në Shqipni. Ata që ishin konë në Shqipni, na u dokshin shum interesant. Se u konë krim me shku në Shqipni në atë kohë, e kushtimisht trimni e madhe nëse ke shku. Dikush kallxoje për kafshët e shumta që i kish pa e besa edhe hangër në katun te dajtë; dikush për pemët e ndryshme që i kish vjelë me durë të veta. Edhe un u bajsha njifarë tregimi interesant, se dajtë i kisha në Shkup, e përveç që kur u kthejsha nja dy muej në vijim autobusit i thojsha avtobus, e mollës modhë, kur ata keshshin me mu që nuk i dijsha çka asht viçi, iu kallxojsha që kam pa gjirafa e luanë e majmunë përnime, dhe shkallë elektrike ma shum se nji, e kjo nuk ish e vetkuptueshme për neve qytetarët e këtij shehri të madh që folshim «katunarski» në shpi. Qeshtu ia plotësojshim botën e vogël njani tjetrit.
Natyrisht në orën e gjuhës nji prej detyrave të para mas pushimeve verore ka qenë me shkrujtë nji hartim me titullin «si kalova pushimet verore». Dhe mas krejt asaj që ia tregojshim njani tjetrit qysh i kena kalu pushimet verore, tue mos dijtë me u nalë tue folë, në letër menxi i qitshim nja pesëdhetë fjalë. Pse? Sepse, iu tutshim vijave të kuqe që e dijshim që kanë me shkallavitë mbi kujtimet tona të kandshme, nëse nuk dijna knusit me i thanë «gjel», Anes me i thanë «gjyshe», e katunit me i thanë «fshat» etj. etj. Kushtimisht, njoh bashkëmoshatarë që shkollën e mesme e kanë fillu tue mos dijtë me shkrujtë as nji mendim të thjeshtë. Në mesin e tyne edhe disleksikë (fjalë që mungon në fjalor) që janë dënu me nota të këqija e ngelje, pa u folë kurrë për disleksinë e tyne.
Un, nevojëtoren (gjithashtu, fjalë që mungon në fjalor) nuk e kam harru kurrë ma. Sot e kësaj dite, për mu, kjo asht fjala ma e amël e gjuhës shqipe. Nevojë-tore! Ndoshta në mendjen tem, kjo nevojëtore ka ba lidhje me shum nevoja tjera çlirimi prej krejt asaj çka nuk i duhet ma as trupit e as mendjes tem. Ndoshta ka nxanë vend në botëkuptimim tem si shpresë dekontaminimi prej komplekseve të shoqnisë që e dijsha që jam e vogël me i luftu krejt, por përderisa e kisha «nevojëtoren» si shembull, kisha arsye me besu që nuk kam me mbet e vogël përgjithmonë.
Sot, un ndërkohë e rritun dhe me pesë gjuhë të hueja në bagazh, e pasigurinë ma të madhe në shkrimin e gjuhës amtare, në prag të fillimit të vitit të ri shkollor, e konsideroj mjerim të madh sa pak ka ndryshu shkolla prej kur un isha fëmijë. Shkollave vazhdon me iu ardhë era shurrë e mut korridoreve, si atëherë, por asht fjala «nevojëtore» çka definon «prapambetuninë» e njeriut hala sot e kësaj dite.
E që shum prind sot kanë frikë me i çu fëmijët në shkollë asht nji ndryshim i vogël, sepse sot përmes kësaj frike sëpaku vjen në shprehje nji zgjim i nevojshëm që shkollën nuk e konsideron ma të pakritikueshme, e as mësuesit të «shejt». Këta prind me të drejtë shqetësohen, sepse, mësuesit/mësueset e fëmijëve të tyne, me nji shansë të madhe mujnë me iu qëllu budallë/budallica. Për arsye të shumta, por un do të ndalem te gjuha, sepse me gjuhën fillon çdo kuptim. Sepse, në shkolla tona hala fëmijët korrigjohen kur folin gegnisht. Sepse, fëmijët në klasë të parë hala pa nisë me i mësu germat e mësojnë që s’po dijkan shqip; iu mësohet që gjuha që e folin në shpi asht «katunarçe» nëse fjalët nuk përfundojnë me «uar», pra nëse nuk folin si mësuesja, e cila folë shqip si fjalor i programuem në nji robot.
Tani, nuk asht çudi, qysh na dëshmoi PISA, që fëmijët tanë nuk dijnë me riprodhu me fjalë të veta kuptimin e nji leximi, sepse riprodhimi i kuptimit asht proces që duhet me ardhë përmes mendimit kritik e analitik i cili në formim ka me përdor krejt çka njeh prej botës që e rrethon; e kur fëmijës i mbetet me riprodhu vetëm përmes definicioneve të diktume tue lanë anash krejt njohuritë e fitume prej përvojave të jetës të botës që e rrethon, sepse janë grumbullu në nji gjuhë që nëse aj fëmi nuk mundet me e përkthy në gjuhën e rregullave të standardit, mësuesja i vlerëson ulët, natyrisht që ka me vujtë mendimi kritik. Pra fëmija jonë mësohet, kushtimisht, jo me ba lidhje mes çka e rrethon, por me i këput lidhjet që i krijon natyrshëm si bashkëbanues i kësaj toke, për me e pasë ma lehtë «me e dashtë» mësuesja. Pra, pasojat janë të mëdhaja, dhe un besoj fort që shkojnë aq larg sa ndikojnë direkt edhe në formimin e mentalitetit tonë nënshtrues, që un mendoj se e kemi si shoqni.
Kur gjuhën që e folë ta mveshin me komplekse të katunarizmit, të të mosditunit, të të prapambetunit etj. mendimi kritik nuk mundet me u zhvillu, në vend te saj vjen në shprehje nji përkufizim i të mendumit inferior vs. superior, në bazë të së cilës edhe notohesh. Sa ma saktë riprodhon të diktumen, aq ma e naltë nota. Pra sa ma shum nënshtrohesh, aq ma shum vlerësoshesh. Superioriteti, vjen në shprehje veç si riprodhim gjuhësor, jo i kuptimit.
Un personalisht nuk e njoh as nji njeri që e ka shqipen gjuhe amtare, e e folë «standardin» në shpi ose në shoqni. Por shoh përditë qysh të njajtit njerëz, kur dalin në TV bahen horë e menxi e thojnë nji mendim, sepse ma shum se tue mendu cka dashtën me thanë, janë në ankth qysh me e thanë «korrekt».
Këtu në Kosovë, të sakatumë qysh jemi prej komplekseve gjuhësore, si e nijmë dikend të Shqipnisë tue folë mjafton theksi me qenë i Shqipnisë, edhe sen mos me e marrë vesh, thojna: «ooh sa bukur po folë»; «po çka tha? »; «jo, s’di, ama a e pa sa mirë foli.» Para do muejve u ba hallakamë interneti tue keshë me Mihrije Brahën, e cila prej «korrigjimeve» të moderatores në nji emison shqiptar, e cila fjalët shqip ia korrigjojke në italisht, shum shpejt e kapi atë çka çdo i dyti, për mos me thanë secili, shqiptar i Kosovës e ndjen shpesh në bisedë me nji të Shqipnisë: kompleksin që ka me u dokë i prapambetun nëse folë gegnisht; e u munojke e shkreta qaq shum me folë «ma shqip» sa që për nji kohë të shkurtë gati e nijshe në krye të vet tue e përkthy veten «shqip-shqip». Edhe kur kanë mendime të mirëinformume për nji temë të caktume, pavarësisht çka asht tema, se gjithkush di diçka, tingëllojnë si të paditun. Këta i prodhon shkolla jonë. Jo kushtimisht njerëz të paditun, por gjithësesi njerëz inferiorë. Nga ky inferioritet nuk janë të mbrojtun as mësimdhanësit. Qysh na tregoj PISA, rezultati i dobët i nxanësve nuk kishte qysh me u sqaru ndryshe pos me cilësinë e dobët të mësimit, i cili pavarësisht kushteve teknike etj. në fund mvarej prej aftësisë së mësuesit. E mësuesët tanë në këtë test dolën që janë jashtzakonisht të dobët.
Patriku, nipi jem katërvjeçar, ish rrxu nji ditë në çerdhe, e pveta qysh je rrxu zemër, ke ngajtë a? Tha: jo, mësuesja ka thonë «vlapual». Dhe çka asht ma e keqja, nuk e kish përqafu me e qetësu, por ia kish tregu gishtin. Budallica e budallë të tillë ka plot në shkolla tona.
Shkolla nuk guxon me qenë nji vend ku gjuha që folet aty nuk e reflekton botën që të rrethon, sepse shkolla e ka për detyrë me i përgaditë fëmijët me u ballafaqu me botën që i rrethon. Gjuha s’guxon me qenë pengesë e mendimit kritik, e aty ku gjuha e folun kufizohet brenda nji rregulli drejtëshkrimi, dhe mësuesja të korrigjon për me të korrigju e të thotë «vrapuar» kur ti nganë, un nuk pres zhvillim të mendimit kritik tek fëmijët e forcim të vetëbesimit të tyne, që si shoqni na duhet shum.
Nji ditë isha dëshmitare qysh nji vajzë e vogël po pvet nanën e vet, e cila folke me babën e fëmisë dhe mu në tavolinë gegnisht sa s’ka ku shkon ma: mam’ çka po thot gjyshja se nuk e kuptoj dot? Gjyshja me nji shami me ojna në krye e do kule të hinta me lule edhe ma të hinta, do metra ma andej mes do luleve në nji kopsht të vogël, ish tue e thirrë vajzën «hajde pak, këqyr çka gjeta». Mami po ia përkthen vajzës: po thot, eja këtu, shiko çfarë kam gjetur. Nuk asht faj i gjuhës që mesa e gjyshja s’mujnë me komuniku mes vete pa ndërmjetësim, asht kompleksi i prindërve me i luftu kulet e gjyshes përmes «modernizimit» gjuhësor. A po e kuptoni sa larg mujnë me shku komplekset?
Sot ndjej me prindërit që s’ka me i marrë gjumi prej shqetësimit që nesër, dashtën a s’dashtën, fëmijën duhen me ua lanë në dorë këtyne mësuesve të kompleksumë. Këtyne mësuesve që s’kuptojnë kurrgjo prej psikologjisë të fëmisë e nuk e kanë problem me i kompleksu e me ua hupë besimin qysh në ditët e para të shkollës, për me i ba si vetja. Tue ia dhanë si mësim të parë nji shuplakë gjuhësore që asht rezultat i drejtëpërdrejtë i inferioritetit të tyne. Nji shuplakë gjuhësore, fëmijëve të cilët deri në atë ditë qysh prej ditës kur linden, ishin të mrrekullueshëm me e mësu gjuhën vet tue ndërvepru me botën që i rrethon, këtë sistem kaq kompleks, saqë as shkencëtarët hala nuk e kuptojnë fort mirë qysh ndodhë.
Urime dita e parë e shkollës voglushave, e mes tyne lumit ata që kanë prind që kanë me i inkuraju mos me u nalë tue ngajtë, me ngajtë për me u liru e me ikë prej gjykimit të mësuesve në nji botë ma të dashtun të librave që s’ti jep mësuesi/mësuesja, e bile nashta as nuk ka ni kurrë për to. Lumit ata fëmijë që kanë prind që nuk u vjen marre që shurrën e kakën i bajnë në nevojëtore.