1.3 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Qosja: Ky pushtet s’ka ardhmëri

Më të lexuarat

Akademiku Rexhep Qosja ka reaguar në lidhje me zhvillimet e sotme, ku u arrestua deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje!, Albin Kurti dhe dhjetëra aktivistë të VV-së. Qosja në një opinion të cilin e ka postuar në profilin e tij në “Facebook”, ka thënë se pushteti i sotëm po tregohet pushtet i dhunës dhe i terrorit ndaj atyre që ia duan të mirën më të madhe Kosovës. “Ky pushtet s’ka ardhmëri”, ka thënë akademik Qosja.
Qosja ka edhe një kërkesë për partinë e Hashim Thaçit. “Partia Demokratike e Kosovës duhet sa më parë të shpëtojë nderin e trashëguar prej luftës së saj çlirimtare: duhet sa më parë, sa nuk është bërë vonë, sa nuk është përlyer politikisht e kombëtarisht përgjithmonë, të distancohet prej politikës që Kosovën e ka bërë shtet privat me polici private. Kosova do ta tejkalojë krizën e madhe në të cilën është sot atë ditë kur kjo qeveri të shkojë ku e ka vendin: në plehun e historisë”, ka shkruar Qosja.

Opinioni i plotë i Akademik Rexhep Qosjes

Ballin lartë e kurrizin drejtë

Sllobodan Millosheviqi ka vdekur, e kanë dënuar faktorët ndërkombëtarë dhe e ka dënuar historia ballkanike. Por mënyrat e dhunës dhe terrorit të Sllobës nuk kanë vdekur: ato, ja, po përsëriten në Kosovë! Po i përsërisin ata që i kanë shërbyer regjimit të Millosheviqit, e fati i zi i Kosovës ka bërë që sot ata të sundojnë në Kosovë.

Mënyrat e dhunës e të terrorit psikologjik e policor që përdorte regjimi i Millosheviqit u panë pardje, dje e sot në Prishtinë. Pardje e dje u panë në përpjekjet e qeverisë që ta frikësojë popullin për të dalë në protestën paqësore të 28 Nëntorit kundër dy marrëveshjeve: kundër Marrëveshjes mbi krijimin e Bashkësisë së Komunave serbe – në të vërtetë të shtetit të ri të Serbisë në Kosovë dhe kundër Marrëveshjes për caktimin e kufijve të ri të Kosovës me Malin e Zi – në të vërtetë të faljes Malit të Zi një pjese të Kosovës.

Mënyrat e asaj dhune e terrori u panë posaçërisht sot më 28 Nëntor. Mbarimi paqësor i protestës së tri partive opozitare e shqetësoi qeverinë dhe e shqetësoi sepse ajo protestë masive tregoi se do të trashëgohej me protesta të reja kundër të njëjtave shkaqe dhe kundër shkaqeve të reja që e kanë bërë Kosovën plaçkë të zhvatur të klasës sunduese politike dhe vend pa kurrfarë shprese për jetë e ardhmëri të më tepër se gjysmës së popullit shqiptar të Kosovës.

Mënyrat e kësaj dhune e terrori u panë mbas përfundimit të kësaj proteste paqësore – u panë e na i përkujtuan terroret e policisë së Millosheviqit gjatë bastisjes së zyrave të selisë së një partie politike të Kosovës – të Vetëvendosjes.

U panë duke arrestuar në mënyra të egra aq protestues sa arrestoheshin në kohën e Millosheviqit.

Ato mënyra të dhunës e terrorit u panë në mënyrën e burgosjes së anëtarit më të ri të Vetëvendosjes: të ish avokatit të popullit, Sami Kurteshi.

Në mënyrë të veçantë këto mënyra të dhunës e terrorit u panë kur u arrestua vrazhdë, egër, urrejtshëm ish-kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti. Të pa setër veshur policia e futi në “maricën” e saj dhe të pa setër veshur policia e çoi në Pallatin e Drejtësisë! Ashtu arrestoheshin dikur ata që konsideroheshin armiq të Kosovës dhe ashtu, siç e thashë, arrestoheshin protestuesit që kërkonin lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Albin Kurti duhet të krenohet pamatshëm për fatin e tij të sotëm, për ballin lartë e kurrizin drejtë. Donika Kada Bujupi duhet të krenohet për fatin e saj të sotëm. Albulena Haxhiu dhe Faton Topalli duhet të krenohen me fatin e tyre të sotëm. Qeveria e Kosovës, pushteti i Kosovës, duke e bërë fatin e këtyre dy djemve dhe të këtyre dy grave të tillë çfarë e bëri sot – të lavdishëm po tregohet pushtet i dhunës dhe i terrorit ndaj atyre që ia duan të mirën më të madhe Kosovës. Ky pushtet s’ka ardhmëri.

Partia Demokratike e Kosovës duhet sa më parë të shpëtojë nderin e trashëguar prej luftës së saj çlirimtare: duhet sa më parë, sa nuk është bërë vonë, sa nuk është përlyer politikisht e kombëtarisht përgjithmonë, të distancohet prej politikës që Kosovën e ka bërë shtet privat me polici private.

Kosova do ta tejkalojë krizën e madhe në të cilën është sot atë ditë kur kjo qeveri të shkojë ku e ka vendin: në plehun e historisë.

Rexhep Qosja, 28 Nëntor 2015

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit