1.7 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Qosja i zhgënjyer me letrën e 30 shkrimtarëve: “Asnjë keqardhjeje për Islamofobinë në Evropë, as për luftërat në…

Më të lexuarat

Akademik Rexhep Qosja, ka reaguar ndaj një letre të shkruar nga filozofi dhe publicist Bernar-Henri Levy e të nënshkruar nga 29 shkrimtarë e publicistë të tjerë.
Në këtë letër,  shpjegon Qosja, për shumë arsye bëhet thirrje që Bashkimi Evropian të mbrohet, që atdhetarët e këtij Bashkimi ta mbrojnë atë nga siç thotë ai, intelektualisht prej shkatërruesve të cilët gjithnjë e më të zëshëm po shihen e dëgjohen nëpër disa institucione evropiane.

E Qosja thotë se është befasuar jo nga përmbajtja e asaj letre, por nga çështjet që në të heshtën.

“Për këtë arsye, si lexues i veprave e i shkrimeve të disave prej nënshkruesve të kësaj letre, mund të them: Jam i zhgënjyer”, shkruan Qosja.

Reagimi i plotë i Rexhep Qoses:

Reagim ndaj letrës së 30 shkrimtarëve dhe publicistëve

Me vonesë disaditore e vërejta dhe e lexova letrën e shkruar prej filozofit, shkrimtarit e publicistit, Bernar-Henri Levy, e të nënshkruar prej njëzet e nëntë shkrimtarëve e publicistëve të tjerë, mes të cilëve edhe prej pesë fituesve të Çmimit Nobel për letërsi.

Në këtë letër për shumë arsye bëhet thirrje që Bashkimi Evropian të mbrohet, që atdhetarët e këtij Bashkimi ta mbrojnë atë intelektualisht prej shkatërruesve të cilët gjithnjë e më të zëshëm po shihen e dëgjohen nëpër disa sheshe e nëpër disa institucione evropiane!

Nuk prisja se kjo letër qëllimlartë do të më befasonte siç më befasoi jo vetëm me disa nga mendimet që thuhen në të, po më shumë me disa nga çështjet që në të heshten.

Për këtë arsye, si lexues i veprave e i shkrimeve të disave prej nënshkruesve të kësaj letre, mund të them: Jam i zhgënjyer.

Jam i zhgënjyer sepse ata e ngritën zërin me shumë vonesë.

Jam i zhgënjyer sepse ata e ngritën zërin vetëm kundër të këqijave që, siç e theksojnë, mund të ndodhin në Evropë pas zgjedhjeve të majit për Parlamentin Evropian në qoftë se fitojnë ata që duan të ringjallin një të kaluar të errët.

Jam i zhgënjyer sepse të këqijat që, thonë, se mund të ndodhin në Evropë pas zgjedhjeve të majit – ksenofobia dhe antisemitizmi po ndodhin tashmë në disa vende të Evropës.

Jam i zhgënjyer sepse i heshtën disa nga të këqijat e tjera që po ndodhin në Evropë dhe tragjeditë që po ndodhin në ujërat jugore të Evropës.

Jam i zhgënjyer sepse nuk e thanë asnjë fjalë keqardhjeje për tragjedinë më të madhe të shekullit në të cilin kemi hyrë: për tragjedinë e viktimave të luftërave, që në disa vende të Lindjes së Mesme e të Afërme po ndodhin edhe nën patronatin politik e ushtarak evropian!

Jam i zhgënjyer sepse me asnjë fjalë keqardhjeje nuk shkruan për rrënimet barbare të tri qytetërimeve të lashta në ato vende të Lindjes së Mesme e të Afërme që po ndodhin edhe nën patronatin politik e ushtarak të disa vendeve të Evropës!

Jam i zhgënjyer sepse asnjë fjalë keqardhjeje nuk u shpreh për islamofobinë që po përshtrihet në Evropë, e nxitur edhe prej terrorizmit – kësaj të keqeje skëterrore, kundërnjerëzore, që po e bëjnë madje edhe në disa vende që u kanë dhënë strehimin, individë dhe grupe të ndryshme me besim islamik duke keqpërdorur islamin për qëllimet e veta politike, ideologjike e të tjera.

Jam i zhgënjyer sepse këta, tridhjetë shkrimtarët e publicistët e shquar, që u paraqitën si ndërgjegje e zgjuar e Evropës së Re, nuk paskan vërejtur se si kolonializmi klasik në disa pjesë të Afrikës e të Azisë, është zhvilluar tashmë në kolonializëm modern, domethënë në neokolonializëm.

Jam i zhgënjyer sepse kërkesat shtetkrijuese, që u dëgjuan në Barcelonë, i identifikuan me shpërthimet nacionaliste dhe ksenofobe që po dëgjohen qe sa kohë, sidomos në Budapest, në Varshavë, në Vjenë, në Dresden e ku tjetër.

Jam i zhgënjyer sepse politikë “që nuk e denjëson inteligjencën dhe kulturën” e quajtën vetëm politikën që do të bëhet në Evropë në qoftë se në zgjedhjet e majit për Parlamentin Evropian fitojnë “shkatërruesit e idesë evropiane” dhe harruan se politikë e tillë po lulëzon tashmë në disa vende të Evropës, sidomos në vendet ish komuniste qoftë edhe të Bashkimit Evropian!

Jam i zhgënjyer sepse Evropën e quajtën “të braktisur edhe nga dy aleatë të mëdhenj që në shekullin e kaluar e shpëtuan dy herë nga vetëvrasja: njëri përtej La Manshit dhe tjetri përtej Atlantikut” dhe, kur shkruan kështu, këta dy aleatë, të përfytyruar gabimisht si kundërshtarë të BE-së, i imagjinuan në të njëjtin kontekst politik me Rusinë e Putinit, e cila e dëshiron rrënimin e këtij Bashkimi të Evropës, duke vepruar ku mundet e si mundet për atë rrënim! Është interesant se në këtë letër nënshkruesit e saj, me dashje a padashje, na e përkujtuan qëndrimin e krijuar në kohën e Napoleon Bonapartës kur u tha: Anglia është për Evropën çka është Shejtani për njerëzimin!

Jam i zhgënjyer sepse në letrën manifest politik nuk u sqarua se çfarë duhet të jetë Bashkimi Evropian që, besoj, s’do të mund ta plagosin “varrmihësit e idesë evropiane”: do të jetë Evropë e pluralizmit kombëtar, kulturor, fetar apo Evropë e totalitarizmit evropianist; do të jetë Evropë e kombeve të barabarta apo Evropë e dy-tre rrathëve me barazi të ndryshme të përbërësve kombëtarë të saj; Evropë, si e thotë evropiani i shumëdëshiruar, Karl Markus Gaus, e shumë gjuhëve apo e Evropë e vetëm disa gjuhëve, që do të na e mësojë barbarinë; Evropë e pastruar prej të gjitha paragjykimeve të së kaluarës apo Evropë në të cilën racizmin e dikurshëm të Lëkurës do ta zëvendësojë racizmi i Kuletës?

Bashkimi Evropian është ideja, është projekti, është ideali më madhështor në historinë e Evropës. Ai është premtimi politik, kulturor, qytetërues, human, etik, që popujve të Evropës u sjell besimin se kurrë më nuk do të përjetojnë luftëra botërore, as luftëra ballkanike, as Kongrese të Berlinit si ai i vitit 1878, as Konferenca të Londrës si ato të viteve 1913 e 1915, as Konferencë të Paqes si ajo e Parisit e vitit 1919, as “rende” të tmerrshme fashiste, staliniste, naziste; është premtim që popujve të Evropës u sjell besimin ndaj lirive, barazisë së dinjiteteve dhe të mirëqenies së tyre e të pasardhësve të tyre.

Shqiptarët e duan sot Evropën e këtillë, dhe e duan shumë përkushtueshëm duke u përpjekur që të sjellin vlerat e saj në jetën e tyre dhe duke u përpjekur që të plotësojnë kushtet që Shqipëria e Kosova, siç janë sot apo, edhe më mirë, të bashkuara, të bëhen anëtare të saj sa më shpejt.

Gëzuar Evropë e dashur!

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit