-0.2 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

QKUK: Mungesë të ilaçeve për fëmijë

Më të lexuarat

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve ka shprehur shqetësim për vonesat në furnizimin me barna të listës esenciale në QKUK, sidomos për mungesën e barnave në Klinikën e Pediatrisë, Pediatrisë Intensive dhe Repartin e Hematologjisë.

“Mungesa e barnave të nevojshme për fëmijët mund të sjellë pasoja të mëdha për shëndetin e tyre madje dhe vdekjeprurëse për fëmijët”, thuhet në shkresën drejtuar ministrit Imet Rrahmani nga presidenti i KOMF-it, Gani Lluga.

Një vajzë katër vjeçe po mjekohet për një infeksion në Qendrën Klinike Universitare.

Mjekët i kanë rekomanduar terapi, mirëpo familjarët tregojnë se po detyrohen që për ilaçet kryesisht t’i drejtohen barnatoreve private.

“Po detyrohemi me ble ilaçe, sepse në QKUK mungojnë disa nga ilaçet elementare”, thotë Lendita Morina, nëna e vajzës katër vjeçe që po mjekohet në QKUK.

Ajo ka treguar se mungesat janë të vërejtshme në të gjitha repartet e QKUK-së.

“Po bisedojmë me pacientë dhe familjarë të tyre, shumica po blejnë ilaçet”, ka thënë Morina.

Mungesa e ilaçeve dhe detyrimi i prindërve për t’i blerë ato për fëmijët, është vetëm njëra nga pikat e ndjeshme që kanë shtyrë Koalicionin e OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë – KOMF, që përfaqëson njëzetedy organizata joqeveritare, të shprehë shqetësim për gjendjen e fëmijëve në sistemin shëndetësor në Kosovë. /Zëri/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit