Zëdhënësja e Komisionit të Kuvendit Turk për Përshtatjen me BE-në, Zehra Tashkesenliollu tha në sesionin e vjeshtës së Asamblesë Parlamentare të NATO-s në Stamboll se delegatët evropianë vazhdojnë të heshtin ndaj problemeve të emigrantëve.
Qeveritë evropiane vazhdojnë të ruajnë heshtjen ndaj më shumë se 10 mijë fëmijëve emigrantë që rezultojnë të zhdukur në Evropë.
Zëdhënësja e Komisionit të Kuvendit Turk për Përshtatjen me BE-në, Zehra Tashkesenliollu (Zehra Taşkesenlioğlu) tha në sesionin e 62-të të Asamblesë Parlamentare të NATO-s në Stamboll se delegatët evropianë vazhdojnë të heshtin ndaj problemeve të emigrantëve dhe ti anashkalojnë këto probleme.
Duke iu referuar raportit që Europoli (Zyra Evropiane e Policisë, një agjenci me seli në Hagë e krijuar nga Bashkimi Evropian) ka përgatitur këtë vit në lidhje me refugjatët, Tashkesenliollu kritikoi mosbërjen e asgjëje pas publikimit të këtij raporti.
Brenda një viti në Evropë kanë humbur 10 mijë fëmijë emigrantë, u shpreh Tashkesenliollu, ndërsa shtoi se “në këtë kontekst ata (evropianët) heshtin pasi kanë frikë se mos ndëshkohen nga bashkësia ndërkombëtare”.
Specialistët theksojnë se është e lartë mundësia që këta fëmijë të jenë rrëmbyer nga mafia e trafikimit të organeve ose nga grupe ilegale që merren me drogë, tha Tashkesenliollu, ndërsa vuri në dukje se bëhet fjalë edhe për raste të shfrytëzimit të fëmijëve të zhdukur nga DAESH dhe organizata të tjera të ngjashme.