13.3 C
Pristina
Wednesday, November 20, 2024

Qeveria synon përfshirjen e diasporës në diplomaci

Më të lexuarat

Përfshirja e diasporës në diplomaci, po konsiderohet nevojë urgjente nga qeveria. Shefi i ekzekutivit, Albin Kurti tha se po punojnë në fuqizimin e rolit ndërmjetësues të diasporës dhe në adresimin e të drejtave politike të tyre. Në tryezën për të drejtat e diasporës, ai theksoi se mërgatën e shohin si kapital njerëzor dhe jo vetëm financiar.

Para përfaqësuesve të shoqërisë civile, kryeministri Albin Kurti tha se 43 për qind të shtëpive në Kosovë, kanë më së paku një anëtar i cili jeton në diasporë.

“Remitancat e dërguara brenda një viti nga qytetarët që jetojnë jashtë, janë në vlerë mbi 1,4 miliardë dollarë. Që dëshmon se diaspora luan një rol kyç edhe në zhvillimin e vendit. Prandaj, pjesë integrale e fuqishme për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik është pikërisht mërgata jonë. Kjo është reflektuar edhe në programin tonë të qeverisë. Jemi duke punuar që diasporën tonë ta angazhojmë në disa mënyra. Marrë për bazë që diaspora sjell dy burime shumë të rëndësishme në vend. Të mirat materiale dhe njohuritë”, ka thënë Kurti.

Kurti theksoi se diaspora mund të ndihmojë edhe në krijimin e ndërmarrjeve, lidhjeve tregtare, investimeve, shkëmbimeve dhe aftësive që ndikojnë në rritjen e potencialit të vendit tonë.

Krahas investimeve në atdhe, Kurti tha se janë të interesuar që mërgata të sjell edhe dije.

“Po punojmë ta fuqizojmë rolin ndërmjetësues të diasporës, në takimet e niveleve të larta me ndërmarrësit politikë dhe korporatat e mëdha, në vendet ku ata jetojnë duke krijuar mekanizma për angazhim. Po ashtu, kjo qeveri është e përkushtuar që të adresojë të gjitha të drejtat politike të mërgatës sonë, duke filluar nga e drejta e votës së lirë në misione diplomatike. Ne e shohim mërgatën si kapital njerëzor, por para se ta shohim si kapital financiar. Për këtë arsyeje jemi duke u fokusuar në krijimin e programit nacional që në bazë ka transferin e dijes dhe përvojës nga mërgata në Kosovë”, ka deklaruar ai.

Në tryezën e organizuar për të drejtat e diasporës, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla u shpreh se fokusi i qeverisë duhet të jetë që shërbimi konsullor në botë të jetë më cilësor.

Gërvalla shtoi se është nevojë urgjente përfshirja e diasporës në diplomaci të mirëfilltë.

“Një diplomaci e cila nuk flet gjysmën e kohës me partnerët ndërkombëtarë rreth fqinjëve, rajonit dhe Serbisë, por që e shfrytëzon kohën një bisedë, një aktivitet për të folur më shumë për Kosovën, për potencialin e saj të madh ekonomik, për potencialin kulturor, për mundësitë e turizmit për të gjitha ato që ky vend i ka por që nuk po arrijmë si duhet t’i transmetojmë atje ku duhet… Kemi nevojë për përfshirjen urgjente të tyre në diplomacinë tonë të mirëfilltë, për të krijuar e më pas për të zhvilluar diplomacinë kulturore, publike, kulturore dhe ekonomike”, u shpreh ajo.

Sipas saj, ligji i ri do t’i mundësojë mërgatës ditën e zgjedhjeve të votojë në konsullata dhe duke marrë pjesë në mënyrë aktive në fatin politik të Kosovës. /kp/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit