-2.9 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Qeveria, si strukturë paralele

Më të lexuarat

Debati në shoqërinë demokratike nuk do të drejtohej kah pyetja se a kanë të drejtë aktivistët e “Vetëvendosjes” që të përcaktojnë se cila veturë e kalon kufirin, por përse Qeveria e vendit nuk e ka plotësuar obligimin ndaj të zgjedhurve të popullit. Për më tepër, pse i rrah kur ata kërkojnë që të respektohen interesat e vendit, ashtu siç i ka përcaktuar Kuvendi. Krahasuar me këto mëkate, ai i “Vetëvendosjes” duket lojë fëmijësh

1.

Pengimi i dhunshëm i demonstratave të “Vetëvendosjes” më 14 janar të këtij viti tregon degradimin e mëtejmë të funksionimit të brishtë të demokracisë kosovare dhe është edhe një sinjal alarmi për shtetin e ri.

E qartë, ajo që u pa në sipërfaqe të ngjarjes, në afërsi të Podujevës, ishte ushtrimi i dhunës nga ana e policisë së Kosovës kundër protestuesve të padhunshëm. E me këtë, edhe sinjali i Qeverisë së Kosovës se nuk ka tolerancë ndaj protestës – së paku ndaj protestës së shqiptarëve. Rrjedhimisht, dhe po të qëndrojë kështu, do të ndërtohet një parim i rrezikshëm për shoqërinë, e ai është e drejta e seleksionimit nga ana e Qeverisë se kush guxon të protestojë dhe kush nuk guxon ta bëjë këtë, ani pse përdor metoda të padhunshme.

Vendi ka kaluar nëpër arbitraritetin qeveritar më herët – vetëm se ka qenë një sistem krejtësisht tjetër, që pau fundin e vet me bomba të NATO-s.

2.

Problemi është edhe më i thelluar se kaq, kur shohim se në mesin e të rrahurve dhe të të arrestuarve ka deputetë të Kuvendit të Kosovës. Urdhërdhënësit e këtij aksioni vunë në një situatë të papërputhshme me demokracinë njësitet e policisë së Kosovës: ato lëre që nuk kanë të drejtë të rrahin e të arrestojnë protestues të padhunshëm, por aq më pak kanë të drejtë të rrahin e të arrestojnë deputetë të Kuvendit të Kosovës. Deputetët e përfshirë në këto protesta konsideronin se po e kryenin mandatin e tyre, si përfaqësues të zgjedhësve të vet, dhe përfshirja e tyre në protestë nuk kishte asnjë element të veprimit kriminal për çka do të mund të ndiqeshin eventualisht. Rrahja dhe arrestimi i deputetëve të “Vetëvendosjes” përbën një shkelje të rëndë ligjore. Është edhe pengim i dhunshëm i kryerjes së funksionit të deputetit. Është edhe cenim i votës së lirë të qytetarëve, i shndërruar në mandat të deputetit. Është edhe përmbysje e interpretimit të Kushtetutës: policët rrahën dhe arrestuan eprorët e vet. Deputeti i Kuvendit të Kosovës zgjedh Qeverinë e Qeveria, në bazë të këtij mandati të marrë urdhëron policinë. Vetëm në sisteme jodemokratike mund t’i urdhërojë policia pjesëtarët e Parlamentit se çka të bëjnë.

3.

Veprimi i policëve, natyrisht, nuk ishte shprehje e vullnetit individual të tyre. Po të ishte kështu, atëherë në Podujevë e në pikën kufitare të Dheut të Bardhë do të flisnim për tejkalim kompetencash të pjesëtarëve të policisë.

Nuk është kështu. Veprimi i policisë ishte tejkalim kompetencash i Qeverisë. Shpërfillja e Qeverisë e të së drejtës për të protestuar, qoftë të qytetarit, qoftë të deputetit pason një shpërfillje paraprake, atë të vendimeve të Kuvendit të Kosovës.

Me iniciativë të lëvizjes “Vetëvendosje” dhe me përkrahje të deputetëve të shumë subjekteve të tjera parlamentare (përfshirë edhe të atyre të Pushtetit), Kuvendi mori një vendim me të cilin Qeveria obligohet që të vendosë marrëdhënie reciproke me Serbinë.

Qeveria deri më tani nuk ka marrë në shqyrtim ndonjë informatë përmbledhëse e lëre më t’i raportojë Kuvendit se çka ka ndërmarrë në kryerjen e obligimit të vendosur nga organi më i lartë i vendit. Në vend të shqyrtimit, të përpilimit të detyrave dhe raportimit, Qeveria me një dozë të theksuar harbutërie deklaroi se këtë vendim e konsideron këshillëdhënës, pastaj se edhe ashtu është duke e përmbushur reciprocitetin dhe në fund e akuzoi “Vetëvendosjen” se po sillet njëjtë sikur një i arrestuar për kontrabandë armësh dhe kush e di çka tjetër me emrin Veselinoviq.

Obligimi i një qeverie demokratike, në këtë një muaj e gjysmë, prej se është marrë vendimi në Kuvend, ka qenë që së paku të ftohen “Vetëvendosja” dhe partitë e tjera votuese të këtij vendimi për të bërë një bilanc: çka është bërë deri tani në vendosjen e reciprocitetit, çka po mungon sipas partive në opozitë, çka mund dhe duhet të bëhet më tutje.

Kjo gjendje quhet dialog, kusht paraprak për zgjidhje brenda institucionale, diçka që duket e panjohur për pushtetin e tanishëm.

Kjo qeveri, në vend të ftesës për zbatim të përbashkët të obligimeve të vendosura në Kuvend është kërcënuar së pari verbalisht ndaj prijësve të “Vetëvendosjes”, e pastaj këtë kërcënim e ka zbatuar me dhunë policore.

Duke shkelur mbi protestuesit, Qeveria ka shkelur me të dyja këmbët edhe mbi relacionin demokratik mes Kuvendit dhe Qeverisë: ka zgjedhur të mos e përfillë vendimin e Kuvendit, e madje edhe të shkelmojë të gjithë ata që menduan se duke protestuar në rrugë po e mbronin mu atë vendim të Kuvendit.

Kështu ia ka hapur rrugën vetes që të vendosë parimin e arbitraritetit: do të respektojë çka dhe kur të dojë nga Kuvendi i Kosovës, e kur këtë nuk do ta bëjë mund të përdorë edhe forcën.

4.

Kurthi i arbitraritetit rri edhe mbi kokën e “Vetëvendosjes”. Dikush mund të akuzojë, ndoshta edhe me të drejtë, se “Vetëvendosja” ka zgjedhur të bëhet “arbitri kufitar” i cili do të përcaktojë se cili kamion do të kalojë e cili jo, cila veturë bën të hyjë në Kosovë e cila jo. Këto punë i kanë qartazi policët dhe doganierët e Kosovës, dhe “Vetëvendosja” nuk mund t’ua marrë atyre kompetencat. Por ky arbitraritet duhet të konsiderohet brenda kontekstit të arbitraritetit më të madh, atij të Qeverisë. Nëse Qeveria nuk i urdhëron policët e doganierët kosovarë që të respektojnë një marrëdhënie reciproke me Serbinë pse të akuzohet “Vetëvendosja” që dashka të bënte një gjë të tillë me vetiniciativë?

Në një shtet demokratik, veprimi i këtillë i “Vetëvendosjes” ndoshta do të interpretohej si një veprim arbitrar, por edhe më tepër, si një veprim që simbolizon dështimin e institucioneve të Kosovës. Debati në shoqërinë demokratike nuk do të drejtohej kah pyetja se a kanë të drejtë aktivistët e “Vetëvendosjes” që të përcaktojnë se cila veturë e kalon kufirin, por përse Qeveria e vendit nuk e ka plotësuar obligimin ndaj të zgjedhurve të popullit. Për më tepër, pse i rrah kur ata kërkojnë që të respektohen interesat e vendit, ashtu siç i ka përcaktuar Kuvendi. Krahasuar me këto mëkate, ai i “Vetëvendosjes” duket lojë fëmijësh.

Lëvizja “Vetëvendosje” është portretuar pa të drejtë me tone alarmuese nga ana e Qeverisë, medieve të tyre dhe disa përfaqësuesve ndërkombëtarë. Këta të fundit do të mund të ishin më konsekuentë në fjalët e tyre dhe para se të deklaroheshin, do të mund të lexonin Raportin e Progresit të Komisionit Evropian të tri viteve të fundit. Aty, në formë të përhershme vlerësohet si dobësi e madhe e Kosovës shpërfillja e Kuvendit të Kosovës nga ana e Qeverisë. Po të ishin konsekuentë në analizë do të duhej të pranonin se në formë paradoksale, jo edhe gjithaq të dashur e të duhur ndoshta, por lëvizja “Vetëvendosje” po i zbaton rekomandimet e Komisionit Evropian, për dallim prej Qeverisë.

5.

Para një viti vendi ishte në një krizë politike të krijuar, kryesisht, nga partia e cila sot është në pushtet.

Ajo për një kohë të gjatë ndërtoi institucionet e veta paralele, me burime gjithsesi të dyshimta financimi. Për pothuaj një dhjetëvjetësh kishte policinë e vet sekrete, jashtë çdo kontrolli institucional. Pastaj organizoi një strukturë për vjedhje votash, e cila nuk u ndëshkua nga ligji, duke e legjitimuar si partinë, ashtu edhe instrumentin e vjedhjes së votës.

Pushteti arriti të funksionojë si “strukturë paralele” në shumë vendime, prej atij prej negociatave me Serbinë e deri te ndërtimi i autostradës, me një kontratë “fantome” që do të kushtojë një miliard euro.

Me veprimin e 14 janarit Qeveria e dha kontributin edhe për vulën e vet politike. Po rrezikon të shndërrohet e tëra në strukturë paralele, e shkëputur prej relacioneve kushtetuese dhe qytetarëve të vet, e vendosur që të mbrohet me kërbaç.kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit