Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë të ditur se janë duke e përgatitur Ligjin për Sigurimet Shëndetësore.
Ai ka thënë se sigurimet shëndetësore janë zotim i qeverisë së tij, derisa ka shtuar se qytetarët do të kenë kosto shtesë.
“Padyshim që sigurimet shëndetësore janë shumë të rëndësishme dhe ato janë edhe zotim i yni. Ligjin për Sigurime Shëndetësore jemi duke e përgatitur dhe nëse jo në mbledhjen e ardhshme, e cila mbahet nesër, atëherë në mbledhjen tjetër të radhës së Qeverisë do të jetë për miratim dhe më pastaj do t’i ndjekë procedurat për Kuvendin e Kosovës. Duhet ta kemi edhe një gjë parasysh se kur të bëhen sigurimet shëndetësore tek qytetari do të ketë një kosto shtesë sepse sigurimet shëndetësore nënkuptojnë që të paguajmë paraprakisht për atë që eventualisht mund të na ndodhë më vonë”, u shpreh Kurti.
Kryeministri shtoi se qytetarët nuk duhet t’i shohin ato si “një shkop magjik që do t’na parandalojë sëmundjet”.
“Nuk është që sot qytetarët paguajnë tepër shumë dhe rrjedhimisht sigurimet shëndetësore janë ato që do të na bëjnë të paguajmë më pak. Në fakt, fillimisht, sidomos do të jetë e kundërta. Do të na duhet që të paguajmë njëherë në mënyrë që të mos paguajmë më vonë. Nuk duhet parë sigurimet shëndetësore si një lloj shkopi magjik, i cili do të na i parandalojë sëmundjet ose do të na i eliminojë ato nëse i kemi”, tha Kurti.
Ai shtoi se buxheti për shëndetësi krahasuar me vitin e para parapandemik 2019 tash që po flasim në 2024 është 50% më i lartë.
“Dhe kjo natyrisht nuk është një shumë e cila i dedikohet mjekëve dhe infermierëve sa i dedikohet pacientëve. Lista esenciale e barnave nga 24 milionë euro që e kemi gjetur si buxhet në vitin 2021 në vitin 2024 është 60 milionë euro, pra ngritje 150%. Përafërsisht në Kosovë blihen 120 milionë euro barna në vit. Tash gjysmën e kostos e bart shteti e gjysmën qytetari”, tha Kurti.
E ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se fillimisht duhet të sigurohen investimet e më pastaj të fillohet me implementimin e sigurimeve shëndetësore. /Telegraf