4.7 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Qeveria nuk lejon lirimin automjeteve

Më të lexuarat

Qeveria e Kosovës, duket se do të ketë negociata të mundimshme me ekspertët e Bashkimit Evropian për Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë, pasi që synon ta mbrojë mënyrën aktuale të zhdoganimit të automjeteve, në përpjekje për të ruajtur mënyrën më të kollajshme për të siguruar para për buxhetin e Kosovës. MTL me Bashkimin Evropian ka filluar të negociohet dhe ajo pritet të finalizohet gjatë pjesës së parë të vitit. Thelbi i kësaj marrëveshjeje është qarkullimi pa doganë i mallrave mes Kosovës dhe vendeve të BE-së, përfshirë edhe automjetet. Mënyra e tanishme e importimit dhe zhdoganimi të automjeteve, është njëra prej masave mbrojtëse që parasheh të ndërmarrë Qeveria e Kosovës, krahas mbrojtjes për prodhimet bujqësore dhe disa industrive agropërpunuese.

Vetëm nga importi i automjeteve buxheti i shtetit siguron të hyra rreth 20 milionë euro në vit, para të cilat i merr nga taksa doganore 10 për qind, akciza mbi automjetet e përdorura dhe TVSH-ja – 16 për qind, shkruan revista “Ekonmia’.

“Marrëveshja për Tregti të Lirë me BE-në është në negocim e sipër dhe pritet të finalizohet gjatë vitit të ardhshëm. Ne kemi kërkuar të mbrojmë një varg produktesh bujqësore, prodhime agroindustriale dhe disa industri të tjera që janë në hapat e parë të zhvillimit. Krahas tyre, synojmë që të zgjasim regjimin aktual të doganave për automjete, së paku për 7 vjetët e ardhshëm”, tha këshilltari në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, Florent Bakija.

Ai i tha revistës se nuk është i sigurt nëse BE-ja do të lejojë këtë, pasi këtë nuk u ka lejuar as vendeve të tjera në rajon.

“Negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit janë aktualisht duke u zhvilluar. BE-ja nuk mund të komentojë, apo të spekulojë për rezultate, përfundime të mundshme para se marrëveshja të arrihet mes palëve negociuese”, tha për revistën zyrtarja për informim e Bashkimit Evropian në Prishtinë, Fjolla Çeku, duke iu përgjigjur pyetjes nëse do t’i lejohet Kosovës i njëjti regjim doganor për automjetet edhe 7 vjetët e ardhshëm.

Të gjitha shtetet në regjion, që kanë nënshkruar MTL me Bashkimin Evropian, kanë hequr doganat për produktet e anëtarëve të unionit, përfshirë edhe automjetet.

Synimin e Qeverisë së Kosovës e ka quajtur absurd edhe përfaqësuesi i markave më të njohura të automjeteve “Porche”, drejtori i “Porshe Prishtina”, Florent Pruthi, e cila ka ekskluzivitetin për shitje në Kosovë të brendeve, si Volkswagen, Audi, Shkoda etj.

Sipas tij, të njëjtat efekte buxhetor mund të arrihen nëse Qeveria e Kosovës heq doganat për automjetet e reja, pasi dyfishohet shitja e tyre dhe këto para mblidhen nga TVSH-ja. “Nuk ka asnjë arsye që automjetet e reja të ngarkohen me taksë doganore 10 për qind. Ne kemi bërë të gjitha përllogaritjet. Nëse hiqet kjo taksë, nga 1.300 automjete, sa shiten tani, do të shiteshin 2.600 vetura, ose më shumë. Përveç që shuma e parave nga TVSH-ja do të dyfishohej, do të kishte edhe efekte të tjera nga shitja e automjeteve të reja, si ndotja më e vogël e ambientit, më pak aksidente dhe rrjedhimisht më pak dëme për sigurimet ”, tha Florent Pruthi.

Sipas tij, pas heqjes së doganës, njerëzit do mund të blinin automjete të reja me çmim prej 8.700 euro e lart, që sot janë të paimagjinueshme. ‘Hiç më shumë se me 8.700 euro do të mund të kushtojë një Polo e re, një Shkoda, apo një markë tjetër. Tani të gjithë këta tipa automjetesh shiten 11 mijë euro e më shumë, pasi ne i marrim më shtrenjtë veturat nga prodhuesi edhe për shkak të numrit të vogël të shitjeve, që vjen si rrjedhojë e doganës dhe detyrimeve të tjera.”, theksoi Pruthi.

Vende të tilla, si Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, apo edhe vetë Serbia, kanë doganë zero për automjetet nga BE-ja.

Në fakt, të gjitha produktet nga BE-ja qytetarët e Kosovës i paguajnë më shtrenjtë se në shtetet fqinje. Nga 2.5 miliardë euro që janë importet totale, rreth 1 miliardë vijnë nga vendet e BE-së. Pa llogaritur automjetet, Qeveria e Kosovës ka bërë një përllogaritje se pas arritjes së MSA –së, buxheti i Kosovës mund t’i humbasë deri në 70 milionë euro, shumë që pritet të rikompensohet në forma dhe programe të ndryshme nga vetë BE-ja.

“Çështja e kompensimeve të mundshme ende nuk është diskutuar. Sa i përket impaktit në sektorin e bujqësisë, apo sektorë të tjerë, ju lutem qe t’u referoheni autoriteteve relevante nacionale të cilat janë duke punuar në analize të impaktit të MSA-së për Kosovën”, ka thënë zyrtarja e Bashkimit Evropian në Prishtinë.

Zyrtarët e MTI-së kanë llogaritur se rreth 100 milionë euro në vit arkëtohen nga taksa doganore për importet nga BER-ja. Në të ardhmen, këto para do të mbeten në xhepat e konsumatorëve.

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit