13.8 C
Pristina
Friday, September 20, 2024

Qeveria: Në Kizhevak u zhvarrosën mbetje mortore të të paktën nëntë personave

Më të lexuarat

Në Kizhevak të Serbisë është përmbyllur procesi i gërmimit dhe zhvarrosjes së mbetjeve mortore dhe sipas Qeverisë së Kosovës, janë zhvarrosur të paktën mbetjet mortore të të paktën nëntë personave.

Mbetjet mortore të dy personave janë identifikuar tashmë përmes metodës së ADN-së, njofton Qeveria.

Në Kizhevak të Rashkës gërmimet për gjetjen e mbetjeve mortore të viktimave të luftës në Kosovë nisën vitin e kaluar, por u ndërprenë për shkak të kushteve atmosferike. Ato rifilluan më 5 maj dhe zgjatën deri më 26 maj.

Në këto gërmime kanë marrë pjesë ekspertët mjeko-ligjorë të Kosovës, krahas atyre të Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur, ekspertë të EULEX-it, Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, si dhe institucioneve të Serbisë.

“Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar për të vazhduar punën duke i dhënë prioritet ndriçimit të fatit dhe vendndodhjes së të pagjeturve, trajtimit më të mirë ligjor dhe institucional familjeve të​ tyre dhe vendosjen e drejtësisë”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Pas përfundimit të luftës në Kosovë, në vitin 1999, rreth 6,500 persona kanë qenë të zhdukur.

Që nga ajo kohë janë kryer disa zhvarrime në varreza masive në Kosovë dhe Serbi dhe deri më tash janë gjetur rreth 70 për qind e të zhdukurve.

Sipas autoriteteve në Kosovë, të pagjetur vazhdojnë të jenë edhe rreth 1,600 persona, kryesisht shqiptarë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit