1.4 C
Pristina
Saturday, December 21, 2024

Qeveria kundërshton heqjen e vizave për shtetasit e Kosovës që kanë pasaporta të Serbisë, e quan shkelje e sovranitetit

Më të lexuarat

Qeveria e Kosovës ka shprehur shqetësimin lidhur me propozimin e fundit të Komisionit Evropian, i cili parashikon heqjen e vizave për qytetarët e Serbisë që jetojnë në Kosovë dhe posedojnë pasaporta të lëshuara nga autoritetet serbe.

Kjo lëvizje, siç thotë ekzekutivi kosovar, nuk është konsultuar me ta dhe shkel sovranitetin e Kosovës.

Në një reagim në Facebook, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, theksoi se pasaportat në fjalë, të cilat janë lëshuar “nga ajo që njihet si Drejtori Koordinuese serbe”, e shohin Kosovën si pjesë të Serbisë, gjë që është e papranueshme për Qeverinë e Kosovës dhe cenon integritetin e saj territorial.

“Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh shqetësimin e saj në lidhje me propozimin e Komisionit Evropian për pasaportat e lëshuara nga e ashtuquajtuara Drejtoria Koordinuese serbe.
Ky propozim, nuk është diskutuar me Qeverinë e Republikës së Kosovës, e as konsultuar apo informuar mbi këtë. Pasaportat ilegale të lëshuara nga Qendra Koordinuese e Serbisë, i konsideron komunat brenda Kosovës si pjesë të juridiksionit të Serbisë, shkelje kjo e sovranitetit tonë dhe e papranueshme”, tha Bislimi.
Tutje Bislimi ka bërë thirrje për BE-në që të shpallë këto dokumente si të pa vlefshme, në të njëjtën mënyrë siç trajtohen të gjithë dokumentet e tjera të lëshuara nga strukturat paralele serbe.

“Ne ftojmë BE-në që këto dokumente t’i trajtojë si të paligjshme ashtu siç trajton pjesën tjetër të dokumentacionit paralel. Komuniteti serb në Kosovë, nuk ka mbetur pa liberalizim të vizave, pasi ata mund të pajisen me pasaporta të rregullta të lëshuara nga Kosova të cilat mundësojnë udhëtimin pa viza”, u shpreh zëvendëskryeministri.

Ai gjithashtu ka sqaruar se vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën, që pritet të hyjë në fuqi më 1 janar 2023, nuk e përjashton komunitetin serb nga kjo përfitim, pasi ata mund të marrin pasaporta nga autoritetet e Kosovës.

Bislimi vë në dukje se Qeveria e Kosovës ka nisur tashmë një procedurë të përshpejtuar për dhënien e pasaportave për serbët e Kosovës dhe ka regjistruar një rritje të kërkesës për pasaportat kosovare nga ky segment i popullsisë, me një rritje prej 29% në krahasim me vitin e kaluar.

“Qeveria jonë tashmë ka vënë në praktikë një procedurë të përshpejtuar për pajisjen e të gjithë serbëve të Kosovës me pasaporta. Së fundmi, është parë dhe një interes i lartë e rritje të numrave të qytetarëve që janë pajisur me pasaporta të Kosovës. Në krahasim me vitin e kaluar, kemi një rritje prej 29%. Mbetemi të përkushtuar që të sigurohemi që të gjitha komunitetet në Kosovë të mund të gëzojnë udhëtimin pa viza me pasaportat e Kosovës”, pohoi ai.

Ndonëse qytetarët serbë të Kosovës kanë të drejtë të marrin pasaportë nga Serbia – e cila gëzon liberalizim të vizave që prej vitit 2009 – BE-ja e ka nxitur Serbinë që të formojë një Administratë Koordinuese për të trajtuar çështjen e pasaportave për ata me adresë në Kosovë.

Në një deklaratë të mëparshme gjatë këtij viti, Komisioni Evropian pati theksuar se liberalizimi i vizave për Kosovën vlen vetëm për ata që mbajnë pasaporta të Kosovës, por në propozimin e ri, KE-ja rishikon politikën për pasaportat e lëshuara nga Administrata Koordinuese serbe dhe shpjegon se nuk ekzistojnë më kushtet që dikur ndalonin lëvizjen e lirë pa viza të këtyre pasaportave.

Të martën, mbi 20 organizata të shoqërisë civile në Kosovë sot i kanë bërë thirrje Komisionit Evropian që të tërheq Propozimin që i lejon udhëtim pa viza bartësve të pasaportave të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese e Serbisë.

Në një letër drejtuar Ylva Johansson, Komisionere Evropiane për Çështje të Brendshme, organizatat e shoqërisë civile theksojnë se propozimi i Komisionit Evropian vjen në një kohë ku ka shumëfishim të numrit të qytetarëve serbë që kërkojnë të pajisen me dokumente të Kosovës, përfshirë pasaportat dhe targa të veturave dhe kjo sipas tyre është një zhvillim tejet pozitiv dhe jashtëzakonisht premtues për kthim të normalitetit në veri të vendit./Telegrafi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit