Serbia dhe Kosova janë pajtuar të vazhdojnë bisedimet për të zgjidhur konfliktin e tyre, ka thënë qeveria gjermane përmes një deklarate të martën në mëngjes. Ky njoftim erdhi pas përfundimit të samitit rajonal që u organizua të hënën në Berlin.
Fqinjët ballkanikë do t’i vazhdojnë përpjekjet për të zbatuar marrëveshjet ekzistuese, tha një zëdhënës qeverie.
“Pjesëmarrësit e Samitit theksuan rëndësinë e një marrëveshjeje finale, ligjërisht obliguese, në normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës për stabilitetin e rajonit. Një marrëveshje e tillë është qendrore në rrugën e Serbisë dhe të Kosovës drejt Evropës. Ata u pajtuan se një marrëveshje e tillë duhet të jetë edhe gjithëpërfshirëse e edhe politikisht e qëndrueshme dhe që kontribuon në stabilitetin e rajonit”, thuhet në një komunikatë për media të Qeverisë gjermane, raporton Koha.net.
“Serbia dhe Kosova u pajtuan të intensifikojnë përpjekjet e tyre të zbatojnë marrëveshjet ekzistuese dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialog për normalizimin e marrëdhënieve, përmes BE-së, me qëllimin e arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse finale”, thekson më tej komunikata e Qeverisë Federale gjermane.
Më tej thuhet se pjesëmarrësit e Samitit, që ishin Kosova, Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia, Bosnja e Hercegovina, Serbia, si dhe Kroacia e Sllovenia, u theksuan rëndësinë e një procesi negociues gjithëpërfshirës dhe transparent, “i cili duhet të shoqërohet me masa të ndërtimit të besimit”.
Ata po ashtu thuhet se u pajtuan që t’i avancojnë përpjekjet për të krijuar një zonë rajonale ekonomike në pajtim me deklaratën e Samitit të Sofjes 2018 dhe me Konkluzat e Presidencës të Samitit të Ballkanit Perëndimor 2018.
Të gjithë pjesëmarrësit konfirmuan përkushtimin e tyre për të bashkëpunuar brenda kornizës së të ashtuquajturit Procesi i Berlinit.
Qeveria gjermane, në komunikatën për media që përmbledh zhvillimet e Samitit të Berlinit, ka thënë po ashtu se pjesëmarrësit janë pajtuar që të angazhohen rreth luftës kundër terrorizmit, të përkushtohen për demokraci, përfshirë rolin qendror të institucioneve zgjedhore dhe parlamentare, sundimin e ligjit dhe qeverisjen e mirë, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe rolin e shoqërisë civile dhe të mediave të pavarura.
“Ata u pajtuan që reformat e qëndrueshme janë thelbësore për perspektivën evropiane të rajonit dhe për të forcuar elasticitetin e shoqërive në sfidat e brendshme dhe të jashtme të kohës sonë. Ata riafirmuan angazhimin e tyre për stabilitetin e rajonit”, deklaron qeveria gjermane.
Po ashtu, pjesëmarrësit mirëpritën qëllimin e Kroacisë për të organizuar një Samit BE-Ballkan Perëndimor gjatë presidencës së saj të BE-së më 2020.
Presidenti Thaçi, mbrëmë pas Samitit, tha se një takim tjetër është caktuar për datën 1 korrik në Paris ku do të diskutohet sërish për çështjen Kosovë-Serbi.