8 C
Pristina
Tuesday, March 19, 2024

Thaçi: Samiti i Berlinit pa ndonjë rezultat konkret për Kosovën

Më të lexuarat

Konferenca e liderëve të Ballkanit Perëndimor, që u zhvillua në Berlin me iniciativë të përbashkët franko-gjermane, sipas presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, nuk solli ndonjë rezultat për rrugën e Kosovës drejt integrimit evropian, por as edhe në marrëdhëniet midis këtij vendi dhe Serbisë.

Pas përfundimit të takimit, presidenti Thaçi u tha gazetarëve se Kosova edhe njëherë është injoruar dhe zhgënjyer për “mospërfilljen e çështjes për liberalizimin e vizave për kosovarët”.

“Ishte takim i rëndë. Nuk mund të themi se pati ndonjë rezultat konkret. Kosova ka theksuar shumë qartë se na duhet patjetër vendimi për liberalizim, sepse diçka të tillë Kosova e meriton. I kemi implementuar të gjitha kriteret e nevojshme dhe nëse diçka e tillë nuk ndodhë në një të ardhme të afërt do të ketë zhgënjim të madh”, tha Thaçi.

Thaçi tha se në takim e kanë konfirmuar zotimin për fqinjësi të mirë dhe normalizim të marrëdhënieve me Serbinë. Ai shtoi se ishte konstatim unanim që ky problem duhet të tejkalohet dhe se nuk do të ketë dialog të kushtëzuar.

Sa i përket dialogut me Serbinë, Thaçi tha se roli i SHBA-ve do të jetë mbështetje e fuqishme dhe njëkohësisht zotim nga kjo e fundit.

Megjithë, Serbia ka thënë se nuk do të vazhdojë dialogu pa u hequr tarifën 100 për qind ndaj produkteve serbe, por Thaçi pas Samitit të Berlinit ritheksoi se ajo do të mbetet si e drejtë legjitime.

Dialogu i lehtësuar nga Bashkimi Evropian (BE) midis Serbisë dhe Kosovës është pezulluar që nga muaji nëntor i vitit të kaluar, pasi Beogradi protestoi ndaj vendimit të Prishtinës për vendosjen e tarifave ndaj të gjitha mallrave serbe.

Siç tregoi ai, në takim ka ftuar kancelaren gjermane që ta bindë presidentin serb për ta njohur shtetësinë e Kosovës, por siç tha ai, një bindje e tillë ka munguar.

Thaçi për takimin që e quajti “të vështirë”, tha se emërues i përbashkët ishte “jemi pajtuar që të mos pajtohemi”, megjithëse, theksoi ai, do të shikohen rrugët më kreative për zgjidhje në të ardhmen.

Para takimit, presidenti francez, Emmanuel Macron, në konferencën e përbashkët për media me kancelaren gjermane, Angela Merkel, bëri të ditur se në këtë takim do të diskutohen tensionet midis Kosovës dhe Serbisë, stabiliteti në rajon dhe perspektiva evropiane e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Ne do të donim të shohim vazhdimin e dialogut midis Serbisë dhe Kosovës. Ne nuk kemi për qëllim të diktojmë ndonjë zgjidhje për Beogradin dhe Prishtinën”, theksoi Macron.

Sot në Berlin me ftesë të kancelares Merkel u mbajtë takimi mbi Ballkanin Perëndimor, ku përveç kryeministrave të vendeve të Ballkanit Perëndimor të pranishëm ishin edhe presidenti Macron dhe përfaqësuesja e lartë e BE-së për Siguri dhe Politikë të Jashtme, Federica Mogherini. Në takim u ftuan edhe kryeministrat e Sllovenisë dhe Kroacisë, Marjan Sharec dhe Andrej Plenkoviq.

Takimi i ardhshëm i liderëve të Ballkanit me kancelaren Merkel dhe presidentin Macron, do të thirret nga ky i fundit më 1 korrik në Paris.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit