Qeveria gjermane emëroi sot politikanin Manuel Sarrazin, si të dërguarin special të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor.
Edhe pse Gjermania ka qenë më parë e përfshirë në Ballkanin Perëndimor, me ardhjen e qeverisë së re dhe pasi të Gjelbërit morën postin e Ministrisë së Jashtme gjermane, shteti gjerman dëshiron të rrisë ndikimin në proceset e Ballkanit Perëndimor.
Sarrazin me këtë rast do të jetë edhe njeriu i parë që do të marrë këtë pozicion, duke qenë se ai nuk ka ekzistuar as në punën e ish-qeverisë gjermane të udhëhequr nga kancelarja gjermane, Angela Merkel.
Nuk dihet nëse Sarrazin do të përfshihet në monitorimin dhe zbatimin e të ashtuquajturave Procesi i Berlinit apo qeveria gjermane po planifikon një rol shumë më të gjerë politik për këtë zyrtar në Ballkanin Perëndimor.
Theksojmë se 40-vjeçari është anëtar i Partisë Gjermane të Gjelbër dhe ka qenë anëtar i Bundestagut nga viti 2008 deri në vitin 2021. Ai gjithashtu mori pjesë aktive në punën e Komisionit për Çështje Evropiane dhe Komisionit për Punë të Jashtme, si dhe ishte zëdhënës i grupit parlamentar për politikën e Evropës Lindore.
Pak ditë më parë, rrjeti gjermano-boshnjak Pangea i bëri thirrje qeverisë gjermane të caktojë një përfaqësues special për Ballkanin Perëndimor, raporton mediumi boshnjak klix.ba.
Ata theksuan se një përfaqësues i tillë special, së bashku me përfaqësuesin e zgjedhur të Britanisë së Madhe, Sir Stuart Peach, do të koordinonin politikën e përbashkët gjermano-britanike.
Sarrazin ka folur në disa raste më parë për situatën në gadishullin ballkanik.
Ndër të tjera, në një intervistë për Deutsche Welle-n në maj 2021, ai theksoi rëndësinë e një politike të koordinuar gjermano-franceze për Ballkanin Perëndimor dhe kundërshtoi me forcë ndryshimin e kufijve në rajon.
“Zgjidhjet nuk duhet të kontribuojnë në shtrëngimin e vijave të demarkacionit etnik. Dhe ky duhet të jetë një kriter që duhet të formulohet në mënyrë eksplicite. Brukseli dhe kryeqytetet evropiane do të duhet të matin çdo zgjidhje sipas asaj, nëse qëllimi është më pak segregacioni etnik apo sjell efekt të kundërt”, tha Sarrazin. /Telegrafi/