12.7 C
Pristina
Tuesday, November 19, 2024

Qeveria e Mianmarit shpallet fajtore për gjenocid

Më të lexuarat

Gjykata Ndërkombëtare Popullore Permanente e ka shqyrtuar në një procedim gjyqësor në Malajzi qëndrimin e qeverisë së Mianmarit ndaj pakicave muslimane

ANKARA (AA) – Gjykata Ndërkombëtare Popullore Permanente ka gjykuar se qeveria e Mianmarit ka kryer gjenocid ndaj pakicës muslimane në vend, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas lajmeve në disa media, Gjykata Ndërkombëtare Popullore Permanente e ka shqyrtuar në një procedim gjyqësor në Malajzi qëndrimin e qeverisë së Mianmarit ndaj pakicave muslimane.

Juria ndërkombëtare prej shtatë anëtarësh në seanca që kanë zgjatur prej pesë ditësh ka analizuar dokumentet, opinionet e ekspertëve dhe deklaratat e 200 dëshmitarëve.

Gjykatësi Daniel Fierstein, i cili shpalosi gjykimin për sulmet ndaj pakicave muslimane me në krye muslimanët e Arakanit, ka thënë se qeveria e Mianmarit është hetuar dhe shpallur fajtore për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Pas gjykimit, gjykata ka lexuar edhe një rekomandim prej 17 pikash.

Gjykatësi Gill H. Boehringer, i cili lexoi rekomandimet, tha se “Komisionit hetimor të Kombeve të Bashkuara duhet t’u jepen viza dhe qasje e lirë për të hetuar krimet e kryera kundër muslimanëve të Arakanit, Kaçinit dhe rajoneve të tjera”.

Ai ka shtuar se qeveria e Mianmarit duhet gjithashtu të ndryshojë kushtetutën e saj dhe të shfuqizojë ligjet diskriminuese për t’i dhënë të drejta dhe shtetësi pakicave të shtypura.

Boehringer ka thënë se bashkësia ndërkombëtare duhet të ofrojë ndihmë financiare për vendet si Bangladeshi dhe Malajzia, që po presin njerëzit që ikin nga dhuna.

Ai po ashtu ka theksuar se gjetjet, gjykimet dhe rekomandimet e gjykatës do t’i përcillen organeve ndërkombëtare dhe grupeve civile për të ushtruar presion ndaj qeverisë së Mianmarit lidhur me çështjen.

Edhe Dr. Chandra Muzaffar, anëtar tjetër i gjykatës, e ka cilësuar vendimin e gjykatës si hap të rëndësishëm drejt njohjes së krimeve të kryera në Mianmar.

Ai ka thënë se organizatat ndërkombëtarë si ASEAN (Asociacioni i Kombeve të Azisë Juglindore), Gjykata Ndërkombëtare Penale dhe superfuqitë duhet t’i përdorin si bazë në veprimet e tyre gjetjet dhe gjykimin e gjykatës.

Ndryshe, e themeluar në vitin 1979 në Itali, Gjykata Ndërkombëtare Popullore Permanente përbëhet nga 66 anëtarë.

Që nga themelimi i saj, gjykata ka mbajtur 43 seanca për raste të shumta, që përfshijnë të drejtat e njeriut dhe gjenocidet.

Vendimet e gjykatës, përtej përgjegjësive ndëshkimore, synojnë arritjen e së vërtetës dhe respektimin e të drejtave personale.

Mijëra muslimanë të Arakanit kanë humbur jetën që nga 25 gushti si rezultat i sulmeve të ushtrisë së Mianmarit, e cila pohon se është duke luftuar militantë të armatosur. Numri i saktë i viktimave ende nuk mund të verifikohet, për arsye se qeveria e Mianmarit nuk lejon hyrjen e organizatave ndërkombëtare.

Gjatë sulmeve të ushtrisë dhe budistëve radikalë janë djegur ose shkatërruar rreth 200 fshatra. Dhjetëra mijëra muslimanë të Arakanit përpiqen të ikin nga rajoni për shkak të sigurisë, duke shkuar në zona relativisht të sigurta ose duke u përpjekur ta kalojnë në Bangladesh përmes zonave malore, Lumit Naf ose rrugëve detare.

Që nga 25 gushti, mbi 421 mijë muslimanë të Arakanit kanë arritur në Bangladesh.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit