0.7 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Qeveria e Maqedonisë së Veriut miratoi vendimin që e diela të shpallet ditë jo pune

Më të lexuarat

Qeveria e Maqedonisë së Veriut në mbledhjen e sotme e miratoi tekstin e ndryshimeve dhe plotësimeve të Ligjit për marrëdhënie pune dhe Ligjit për shoqata tregtare, me të cilat e diela shpallet ditë jo pune dhe këto ndryshimet ligjore do të dërgohen për miratim në Kuvend.

Kryeministri, Zoran Zaev gjatë konferencës së mbajtur për media pas përfundimit të kësaj mbledhje tha se, ky është premtim që Qeveria e vendosi si prioritet në programin e saj dhe pasi i përfunduan të gjitha konsultimet dhe analizat në një proces jashtëzakonisht inkluziv, me sindikatat dhe punëdhënësit, kanë miratuar vendimin e harmonizuar ligjor.

“Zbatimin e këtij vendimi e projektojmë të fillojë në tetor. E diela bëhet ditë jo pune, ditë e pushimit javor dhe me këtë bëjmë edhe një hap drejt avancimit të të drejtave të punëtorëve dhe drejtësisë sociale dhe e vazhdojmë kujdesin dhe përkrahjen për punëtorët, si prioritet i këtij koalicioni qeveritar. Në fokusin e kujdesit tonë, në procesin e ndryshimeve në ligjin për marrëdhënie pune dhe ligjit për shoqata tregtare me të cilin e diela bëhet ditë e pushimit javor ishte rëndësia e baraspeshës mes jetës profesionale dhe private, si element i domosdoshëm i punëtorëve dhe punëtoreve. Kjo baraspeshë kontribuon që punëtorët dhe punëtoret të jenë më efikas dhe të motivuar në vendin e punë dhe nga ana tjetër, të kenë edhe jetë private, familjare dhe sociale që i kënaq nevojat e tyre dhe nevojat e të afërmve të tyre”, tha Zaev.

Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jagoda Shahpaska deklaroi se, propozim ligji është përpiluar me pjesëmarrjen e të gjitha partnerëve në dialogun sociale, përfaqësues të punëtorëve përmes sindikatave dhe punëdhënësve. Siç tha ajo, ligji parasheh që e diela të jetë ditë jo pune për të gjithë punëtorët, përpos për pjesën e punëtorëve për veprimtaritë ku procesi i punës nuk mund të ndërpritet.

“Së bashku me partnerët social, kemi definuar së bashku përjashtimet në të cilat do të punojnë një pjesë e punëtorëve, por edhe për këta punëtorë ky ligj do të thotë avancim të të drejtave të punëtorëve. Këta punëtorë, për punën ditën e diele do të marrin mëditje më së paku 50 për qind më ta lartë se mëditja e rregullt. Në mënyrë shtesë, do të marrin edhe ditë të lirë që do ta shfrytëzojnë në 7 ditët e ardhshme. Zbatimi i ligji do të kontrollet nga ana e Inspektoratit të Tregut dhe Punës. Ata punëdhënës që do të punojnë të dielën, duhet ta paraqesin punën në ITP, si organ kompetente për kontrollin e zbatimit të ligjit. Punëdhënësit që do të shkelet ligji do t’u ndalohet puna 15 ditë dhe do t’u lëshohet urdhërpagesë për kundërvajtje”, deklaroi Shahpaska

Ndërkaq, ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi tha se me këtë propozim ligj është parashikuar që shtesa e pagës për punë të dielave dhe gjatë festave që punëdhënësi duhet t’ua paguaj punëtorëve të arrijë së paku 100 për qind për çdo orë të kaluar në punë gjatë të diela dhe festave. Ai po ashtu sqaroi se cilat veprimtari do të mund të punojmë të dielave dhe gjatë festave.

“Të dielën do të mund të punojnë dyqanet e specializuara apo kiosqe për të shitur akullore, ëmbëlsira dhe apetisanë, si dhe lule, suvenire, filigran, gazeta dhe cigare në vendet turistike të përcaktuara me ligjin për veprimtari turistike. Shitore në kuadër të pompave të benzinës të cilët ushtrojnë tregti me pakicë, kryesisht me ushqim, pije dhe duhan. Shitore, kiosqe dhe tenda në qendrat tregtare dhe është këtu me rëndësi të theksohet fakti se pikërisht po të njëjtat do të kenë mundësi të punojnë vetëm nga ora 10 deri në orën 18:00 gjatë ditëve të diela. Stenda dhe kiosk ku shiten mallra gjatë ngjarjeve sportive, festivaleve, manifestimeve, panaireve dhe gjatë projeksioneve publike të veprave kinematografike. Shitore për tregti me pakicë për ushqim, pije dhe duhan në të cilat tregtia ushtrohet personalisht dhe vetëm personalisht nga pronari i shitores”, tha ai.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit